Edhe sot pas kaq vitesh, kur viktimat e 2 prillit 1991, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, ndermenden dhe nderohen, e vërteta e vrasjes së tyre dhe autorët kanë mbetur mister. Si çdo vrasje tjetër me prapavijë politike, edhe kjo u ndëshkua nga gojët e kyçura, keqinterpretimet dhe keqkuptimet, që mbuluan me vello dilemash, ndoshta ngjarjen më të bujshme të postdiktaturës.
Politika, si ajo që u akuzua drejtpërdrejtë, si ajo që përfitoi nga kjo ngjarje për të ardhur në pushtet, nuk ishin të interesuara të zbardhnin autorët e vërtetë të vrasjeve. Pikërisht këtu është çelësi i rebusit. Kush ishte dhe mbeti i interesuar që e vërtetë e kësaj ngjarje të mos zbardhej?! Kush fshihet dhe çfarë sekretesh mbart zvarritja deri në mostolerim e ballafaqimit me drejtësinë të autorëve të kësaj masakre?
Kjo plagë ende nuk është shëruar. Këto viktima ende akuzojnë. Politika është e përfshirë dhe përgjegjëse kryesore. Memorialet, titujt, dekoratat, elegjitë, patetika e fjalimeve, janë maska që mbulon fytyrën e vërtetë të vrasësit. Katër bijtë e Shkodrës martire nuk ngrihen nga varri, por drejtësia duhej treguar më e drejtë se kaq për të shëruar plagët e katër familjeve që humbën më të shtrenjtit, bijt e tyre. Partia Demokratike duhej të bëntë të pamundurën që e vërteta e kësaj masakre të thoshte fjalën e fundit. Një proces me mjaft hije dyshimi zgjatoi. Një gjykim i denjë për konsum politik mori interesimin e opinionit por nuk e çliroi atë nga dilema e autorëve të vërtetë. Gjithsesi krimi, vrasja, katër jetë të sakrifikuara në një protestë popullore, bëjnë fajtor si vrasësit si përfituesit.
Mbeti pas një pamjaftueshmëri e qëllimshme për të vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e masakrës, për të besuar tek e vërteta. Populli demokrat i Shkodrës, familjet dhe të afërmit e katër Martirëve të Demokracisë kanë mbetur të vrarë si nga plumbat ashtu edhe nga padrejtësia. Edhe sot pas 28 vitesh ata akuzojnë politikën, politika akuzon rivalët e saj, të tjerë nxitojnë të thuri teori konspiracioni, skenare të supozuara krimi, alibi vrasjeje. Dhe… e vërteta është ende një e pamundur për të ballafaquar faktet dhe ndëshkuar fajtorët.
***
2 prilli i vitit 1991, ishte momenti më i hidhur i një procesi që kishte nisur më parë në Shqipëri. Në muajin dhjetor 1990, u ligjërua pluralizmi politik dhe menjëherë u krijuan partitë e para politike opozitare me Partinë e Punës në pushtet. Zgjedhjet e para pluraliste ishin caktuar më 31 mars 1991. Periudha janar-mars 1991 ishte shumë e trazuar. Të gjithë deputetët e Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 31 Marsit 1991 ishin të Partisë Demokratike. Por kjo parti, sipas rezultatit zyrtar të atyre zgjedhjeve, nuk kishte mundur të fitonte maxhorancën. Në 1 prill 1991, u grumbulluan në Shkodër, para godinës së ish-Komitetit Ekzekutiv, qindra njerëz me parrulla antikomuniste. Protesta vazhdoi në një nivel më të lartë të nesërmen.
***
Një dëshmi me shumë interes e kronologjisë së asaj dite të përgjskahsme është ajo e Gjek Celaj, zv.shef i policisë së Shkodrës në kohën e vrasjeve.
Më 2 prill 1991, rreth orës 07.00 shkova tek zyra e shefit të policisë dhe së bashku u paraqitëm tek kryetari i Dega e Punëve të Brendshme. Çapajev Taçi na tha se kishte biseduar me kryetaren e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, Terezina Marubin, dhe kishin rënë dakord që atë ditë, rreth orës 08.00 të bëhej një mbledhje në zyrën e saj ku, përveç shefit të policisë, të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e partive politike të rrethit. Meqë, në situatën e krijuar, parashikohej të kishte përsëri grumbullime të paligjshme rreth orës 09.00, ishte menduar që në atë mbledhje të diskutohej, për daljen nga situata dhe pushteti ekzekutiv i rrethit t’u kërkonte të gjitha forcave politike të kontribuonin për eliminimin e trazirave, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për paqe e qetësi.
Më vonë do të merrnim vesh se atë ditë, më 2 prill 1991, qysh në orën 07.00, Çapajeve Taçi i kishte dërguar degës së PD të Shkodrës një shkresë me anën e të cilës i kërkonte që të ndërhynte për të qetësuar e shpërndarë anëtarët dhe simpatizantët e saj, përndryshe do të zbatohej ligji me vendosmëri. Siç u pa më vonë, ndonëse përmbajtja ishte formuluar me pak arrogancë, qëllimi kishte qenë gjithnjë i mirë, parandalimi i ballafaqimit të dhunshëm midis popullit dhe shtetit, të përfaqësuar nga policia.
Nuk besoj se ndokush në DPB besonte deri më 2 prill se këto grumbullime të paligjshme organizoheshin nga PD. Jo vetëm që sektori i Sigurimit të Shtetit që duhej të siguronte informacionin e fshehtë ishte paralizuar plotësisht, por, përderisa PD, me anën e kryetarit të saj S.Berisha kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ne besonim se këto tubime ishin spontane dhe shprehnin thjesht mllefin e akumuluar tek njerëzit për regjimin që po kalonte në muze. Koha do të tregonte se, ashtu si për probleme të tjera, ne po gabonim përsëri në gjykimet tona.
Në çastin kur po i bënim prezent Çapajev Taçit mundësit e pakta të forcave të policisë për përballimin e demonstrimeve të paligjshme, njoftohemi me radio nga patrulla e policisë se para selisë së PD-së kishte grumbullime njerëzish. Ishte ora 07.20’. U konsultuam me kryetarin e DPB dhe ai na tha (mua e Dilaverit) të niseshim për në qendër të qytetit dhe t’u kërkonim drejtuesve të PD-së të bënin çmos që njerëzit të shpërndaheshin. Nëse ata nuk ju ndihmojnë,- tha Taçi,- ju merrni masa dhe bëni të mundur shpërndarjen e tyre me forcën e policisë, por duhet të ndërhyni qysh në fillim pasi, po të bëhen shumë, nuk i përballoni dot.
***
Buja e ngjarjes së 2 prillit 1991 do të kishte kishte po kaq interesim edhe për peocesin që do të merrte mbi vete përgjegjësinë e zbardhjes së të vërtetës së një masakre. Gjykata, pasi e filloi 4 herë procesin gjyqësor, herën e katërt dënoi pesë persona, si përgjegjës për këtë ngjarje: Ish Kryetarin e PPSH për Shkodrën, ish zv. ministrin për policinë, Ish Kryetarin e Degës së Brendshme të Shkodrës, ish shefin dhe ish zv. shefin e policisë. Ata u dënuan përfundimisht për vrasje “të kryera me dashje Indirekte”. Ndërsa ekzekutorët në krim nuk u identifikuan dhe nuk morën dënmin e merituar as dje as kurrë. Më i njohuri mes të dënuarve, është Aredin Shyti, ish zv/ministri i Brendshëm. Në disa intervista të botuara gjatë viteve ’90-të ai ka dhënë variantin e tij për atë që ndodhi në 2 prill. Praktikisht, Shyti shprehte pretendimin se policia kishte bërë gjithçka për të parandaluar atë që ndodhi. Shyti ka pretenduar se prania e Arben Brocit atë ditë, një ndër drejtuesit e PD-së në Shkodër, ka qenë mister. Sipas Shytit, Partia Demokratike ato ditë të trazuara ka deklaruar për policinë se turma nuk mund të kontrollohej prej saj. Kështu nuk menduan ama Gjykata, por para saj edhe një Komision i Posaçëm i Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e marsit, i cili u ngarkua atëherë për të hetuar mbi ngjarjen. Pas hetimeve ky komision paraqiti disa konkluzione dhe sugjerime. Është një dokument i vitit 1991 i cili tregon mbi të gjitha një linjë zyrtare të asaj që mendonte shteti dhe legjislativi i asaj kohe. Që në faqen e parë të këtij dokumenti thuhet se “ngjarjet që ndodhën menjëherë pas zgjedhjeve në Shkodër e kanë origjinën në mospërgatitjen e mjaftueshme të elektoratit për të pranuar pa tensione sa fitoren aq edhe humbjen në zgjedhje”. Ky komision, shprehte atëherë mendimin se: “ngjarja mund të ishte parandaluar”, se: “Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit duhet të ndërhynte më energjikisht kur iu kërkua ndihmë nga Dega e Punëve të Brendshme për të qetësuar situatën”. Më tej, në këtë dokument thuhet: “Drejtuesit e Komitetit të Partisë së Punës të rrethit duhet të mbanin qëndrim aktiv e të mos qëndronin mbyllur e të ndaheshin nga masa e demonstruesve, por të dilnin para tyre për t’i qetësuar”. Akuza më e madhe, duket se bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme, kur thuhet se: “Në këtë çështje, mungesa e udhëzimeve që duhet të ishin nxjerrë për zbatimin e këtij dekreti nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngarkon këtë të fundit me përgjegjësi”.
***
Sipas Ramiz Alisë, ish-presidenti komunist të Republikës dhe sekretar i Parë i KQ të PPSH, zëvendësuar në postin e presidentit prej komunistit Sali Berisha, ngjarja e 2 prillit 1991, ndodhi menjëherë pas fitores së Partisë së Punës në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991. Pas këtyre zgjedhjeve dhe fitores së PPSH dhe humbjes së PD pati një reagim në formën e një demonstrimi masiv, i cili përfundoi me vrasjen me armë të katër personave, një prej të cilëve Arben Broci, një prej drejtuesve të Partisë Demokratike dhe iniciator i lëvizjes studentore. Ramiz Alia kujton se për ngjarjen e Shkodrës për herë të parë kam marrë njoftim gjatë zhvillimit të mbledhjes së përbashkët të Presidiumit të Kuvendit Popullor e të Këshillit Presidencial, që është mbajtur në datën 2 prill më 1991. Madje ai kujton se në intervalin midis orës 11:30-12:00, ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Gramoz Ruçin, e kërkuan në telefon me urgjencë nga ministria që drejtonte. Kur u kthye ai njoftoi se në Shkodër kishte pasur një manifestim përpara Komitetit të Partisë së Punës, i cili ishte djegur nga demonstruesit, se atje kishte pasur dhe të shtëna me armë, nga të cilat ishin vrarë dy njerëz dhe plagosur disa të tjerë. Pa e mbyllur mbledhjen e Këshillit Presidencial, kërkuan takim me Alinë, Sali Berisha e Preç Zogaj. Nisur nga pesha e ngjarjes, Kuvendi Popullor krijoi një komision të posaçëm parlamentar, të kryesuar nga deputeti Ali Alushani dhe me nënkryetar deputetin Emin Mysliu. Por Ramiz Alia kujton se grupi Parlamentar i PD-së nuk mbeti i kënaqur nga hetimi i këtij komisioni, gjë që bëri që të sakrifikonin dhe deputetin e tyre.
28 vite më pas ajo që ka mbetur është ende mister, autorët e vërtetë të masakrës. Partia Demokratike nuk mundi ose nuk deshi të zbardhte autorët e vrasjeve? Kjo ngjarje, këto viktima, ishin katalizatori kryesor i fundit të regjimit diktatorial i udhëhequr nga Ramiz Alia. Përfituesit e pushtetit që erdhi mbi katër varre duhej të bënin çmos të kontribuonin në zbardhjen e kësaj masakre dhe vënien para drejtësisë autorët e vërtetë. Hezitimit për t’i shkuar në fund kësaj të vërtetë nuk justifikon PD-në dhe të djathtën. Si ata që vranë, si ata që nuk kërkuan që autorët të shkonin para drejtësisë, janë sot njëjtësisht fajtor.
(Fotot janë të fotografit të mirënjohur shkodran, Angjelin Nenshati. Referencat e përdorura janë nga publikimet e ndryshme që trajtojnë ngjarjene 2 prillit)