Nga Albert Vataj
Ajo është një vajzë e shkujdesur dhe krejtësisht e dlirë. Vështrimi i saj dhe prurja tërësore e portretit është kaq shprehëse në pastërtinë dhe kumtimin, kaq domethënëse dhe kaq e dritshme në vezullim.
Ajo nuk është shejtnesha e historisë, por piktori e ka sjellë si shprehje e këtij misioni të ilustruar përmes vështrimit të saj ngulmues dhe të kthjellët.
Pozicioni i qëndrimit të vajzës dhe se si ajo e mban librin, vështrimi dhe pamësia e krejt kuadrit, thërrasin kureshtinë e shikuesve si në një ceremoni dorzanie solemnitetesh.
Drita që shpërthen duke u përzier me lëndën transparente të kumtimit shprehës estetik është një dritë qiellore, dritë të cilën piktori e zbret si një qëllimsi, si në këtë punë ashtu edhe në të tjerat, ku ai sjell; vajzën, gruan, nënë, shenjtoren, ashtu në një përkorje të lartë prejnga zbret edhe drita.
“Libri i Historisë” është një punë lehtësisht e kapshme përnga saktësimi i autorësisë. E William-Adolphe Bouguereau është një piktor që ka ditur të jetë i patëdytë për teknikën dhe tematikën. Kjo pikturën me bojra vaji në kanavacë është realizuar në vitin 1877. Aktualisht kjo punë është pjesë e koleksionit të Muzeut të Arteve në Los Anxhelos.
William Adolphe Bouguereau (30 nëntor 1825 – 19 gusht 1905) megjithëse u anatemua si askush tjetër, u mohua dhe u dëbua bashkë me stilin e tij akademik, sot e gjejmë në podin e famës, larg nga e shkuara fyese, pluhuri i harresës dhe dangat e poshtërimit. Ai nuk pati një fat të ndryshtë nga shumë e shumë artistë të tjerë, shumë prej të cilëve u kryqëzuan nga fati i keq, skamja dhe mohimi, por edhe nga dëbimi. Por harresa nuk i mori dot, ngase ata lanë atë eter të magjishëm krijimi, atë ngjizje prej shpirtit të tyre prej drite dhe ngjyrash.
William Adolphe Bouguereau ishte njëri prej tyre, prej atyre që janë testament në historinë e artit, janë forca shprehëse estetike të fuqishme që joshin dhe rrëmbejnë edhe sot me artin dhe mëkimin e yjësisë së tyre shpirtërore.