Nga Albert Vataj
Çdo vepër e ligë, mizori dhe barbari, çdo pjellë e territ të zemëratës dhe trazimit të shpirtit e përfaqëson atë. Ai ndoshta nuk i bëri të gjitha përsa nam të keq fitoi në kujtesën e njerëzimit, por nuk i’a kurseu vetes monstruozitetet dhe makabritetet më të përbinshme. Ai ishte një monark paranojak, i sëmurë, ishte një identit i mraztë, një vetëdije e molepsur nga natat e kohëpaskohëshme që e vunë përfundi që nga fëmijëria deri në zotërimin e pushtetit të tij të frikshëm, duke e shndërruar në një Ivan të Tmerrshëm, i cili vuante më shumë ngase hiqnin viktimat e tij. Edhe përvojat artistike që u përpën të ravijëzojnë aspektin fizik dhe shprehinë e tij shpirtërore përmes elementeve kumtues estetik, janë në të njëjtat qasje, njëjtë si nami i keq që pati si ai Car i Rusisë.
Faktet tregojnë se ai e transformoi Rusinë në një shtet shumëetnik dhe shumëfetare, duke e shtrirë në një territor prej 1 miliardë hektarësh. Ivani u bë i pari Car i të gjithë rusëve. Eshtë thënë se ishte një figurë komplekse: vuante nga sëmundje mendore; por diplomat i aftë; mbrojtës i arteve dhe tregtisë; mjaft popullor mes njerëzve të thjeshtë; i tmerrshëm për shtresat e larta.
Ivani i tmerrshëm, i njohur gjithashtu si Ivani IV, ishte Cari i Rusisë në vitet 1533-1584. Që fëmijë, ai kishte një natyrë gjakatare. Abuzonte me kafshë të tilla si qentë dhe macet. Ai filloi të vriste njerëz që në vitet e adoleshencës, pasi kjo ishte për të si sadist, “zbavitëse”. E gjithë kjo urrejtje dhe ky helm, gjithë kjo masakër dhe pamëshirë supozohet se i kishte rrënjët në fëmijërinë e tij të hershme. Jo vetëm sjelljet sadiste, por edhe ajo çfarë rëndoi mbi të, u bënë ajo lëndë e ngjeshur terri dhe hidhërimi që duke u fermentuar do të shndërroheshin në një vepër të denjë për çdo demon.
Flitet ka shumë për të këqijat që bëri, duke filluar që nga rrëmbimi i shtëpive dhe tokave. Shkatërroi qindra fshatra dhe qytete. Mbi të rëndon përgjegjësia për masakrën e Novgorodit, ku u torturuan dhe vranë mbi 60.000 njerëz. Ai krijoi dhomën e vet të torturës, dhe dënoi familje të tëra, të cilat besonte se ishin armiqtë e tij.
Ai mbante një ari, ndërsa urdhëroi që shumë njerëz të shqyheshin nga arinjtë dhe ujqërit. Ivani kishte një obsesion të tillë me njerëzit që vdisnin, saqë kur ai urdhëronte dënimet me vdekje, zakonisht ulej para skenës së ekzekutimit dhe vëzhgonte. Pranë tij gjendeshin prindërit, që shihnin torturimin dhe ekzekutimin e fëmijëve të tyre.
Disa ekzekutime zgjasnin deri në 15 orë! Ai u hiqte njerëzve brinjët përmes darëve të nxehta, ndërsa përdhunonte vajza. Pasi u martua për një ditë, ai e vrau gruan e tij. Ivani e rrahu thjeshtrën e tij shtatzënë, sepse besonte se rrobat e saj ishin të papërshtatshme, dhe vrau djalin e tij duke e qëlluar në kokë pas një zënke. Ai ishte një vrasës serial.
Me vdekjen e tij më 28 mars 1584, Rusia nuk u nda përgjithmonë nga përvoja makabre e etërve sadistë, përkundrazi, Ivan të Tmerrshëm e çeli serinë e udhëheqësve të sëmurë, despotëve mizor, diktatorëve satrap, liderëve paranojakë. Ajo dukej se ishte e destinuar të ishte nën zotërimin e udhëheqësve të këtij kalibri, nënshtruesve dhe sunduesve që i lejojnë vetës çdo ligësi si formë udhëheqjeje.
Ivani i Tmerrshëm nuk ishte i vetmir mizor i historisë së njerëzimit, kujtesë ngjethëse e cila nis serinë e etërve demonë me Qin Shi Huang, i cili sundoi nga viti 247 – 210 para Krishtit. Ai ishte i njohur si vrasës i dijetarëve, me idetë e të cilëve nuk pajtohej, dhe digjte librat “kritikë”. Për të vazhduar Caligula 37 – 41, i cili eliminoi rivalët e tij politikanë, duke detyruar prindërit e tyre të bëheshin pjesë e ekzekutimeve, dhe veten e shpalli si Zot i gjallë. Sipas historianit romak Suetonius, Caligula kishte marrëdhënie seksuale me motrat e tij. Ai përdhunoi dhe vrau shumë njerëz, ndërsa kalin e tij e bëri senator. Pjesë e kësaj panorame tmerri është edhe Attila i Hunëve, sundoi nga viti 434-453. Ai pasi vrau vëllanë e vet, Attila u bë lideri i Perandorisë Hune, që ishte e vendosur në Hungarinë e sotme. Ai e zgjeroi Perandorinë e vet deri në Gjermani, Rusi, Ukrain e deri ne Ballkanin e sotëm. Serinë e vijon Wu Zetian, 690-705. Kur ishte 14 vjeç arriti të bëhet perandoreshë e Kinës. Në mënyrë të pamëshirshme eliminoi kundërshtarët e saj duke i dëbuar ose ekzekutuar, madje edhe kur ata ishin pjesë e familjes. Lista është e gjëtë dhe mizoritë janë të pashembullta, ajo vijon që nga Xhingis Han që sundoi nga viti 1206-1227, Tomas de Torquemada, 1483-1498, Timur, 1370-1405, Vladi III, Princi i Vllahisë, 1448-1476, apo Vampiri siç quhej ndryshe, u shpall sunduesi i principatës së Vllahisë. Ai i kishte ftuar të gjithë rivalët e tij në një banket, ku ai i kishte therur dhe masakruar . Historinë e urizë sadiste të zotërimit dhe pushtetit e pasuron Mbretëresha Maria I që sundoi në periudhën ndërvitase 1553-1558. Pasohet nga Kontesha Elizabet Bathory de Esced, 1590-1610, Maximilien Robespierre, 1789-1794, Mbreti Leopold II i Belgjikës, 1865-1909, Mehmet Talaat Pasha, 1913-1918, Vladimir Lenin, 1917-1924, Benito Musolini, 1922-1943, Jozef Stalini, 1922-1953, Adolf Hitler, 1933-1945, Mao Ce Duni, 1949-1976, Augusto Pinochet, 1973-1990. Lista vijon ende, sepse etja për gjak dhe mizori e njerëzve e pushtetit është po kaq e epshme dhe babëzitëse sa dhe uria për para dhe zotërim. Ivani i Tmerrshëm ishte njëri prej tyre dhe të gjithë janë unikë në mënyrën se si i qasen pasurimit të ekspozesë së frikës dhe terrorit që mbjellin.
Bota sot është më e iluminuar, më e vetëdijshme, më e qytetëruar, por do të ishte naivitet të thuhet se është më pak gjakatare dhe më pak e ekspozuar ndaj krimit si pasion pushteti dhe zotërimi. Ivanë të Tmerrshëm kanë udhëhequr dhe vijojnë të jenë zotë të fatit të njerëzve përgjatë gjithë historisë së ekzistencës, kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk ka gjasë të çlirojë njeriun prej maktheve të frikës dhe paranojës. Progresi, shtytja në caqe të paimagjinueshme të zotërimit njohës, përmirësimi i skajshëm i cilësisë së jetës, pasurimi i marrëdhënies dhe komunikimit përmes teknologjisë që synon të sfidojë çdo limit, nuk kanë mundur ta shpëtojnë njeriun nga barbarët, nga mendjet prej terri dhe pasionet e gjakut.
Ata thjeshtë janë shndërruar në Ivanë të Tmerrshëm të një modeli të ri. Kirimet e tyre janë më të rrafinuara. Shprehja e sadizmit kohështrihet dhe ka pësuar larmi. Ata ishin, janë dhe do të jenë etër të fateve tona.
Duket se njeriu ka pranuar so zot dhe njohur at, frikën, dhe nuk ka lejuar të jetë i sunduar prej asgjëje tjetër veç prej liderve të sëmurë, paranojak, sadistë dhe mizorë. Si në prehistori, në mesjetë dhe në modernitet, pushteti dhe sundimi, kanë joshur gjithnjë mendje të errëta dhe identitete gjakatare, nga një zell i epshëm i ndjenjës së frikës dhe nënshtrimit, përsekucionit dhe diskriminimit.