Më 19 mars të vitit 1721, vdiq në Romë Klementi XI, Papë nga 1700 – 1721, lindur në Urbino si Giovanni Francesco Albani më 23 korrik 1649. Albani, rridhte nga një familje fisnike shqiptare, që kishte emigruar në Itali pas vdekje së Gjergj Katstriotit – Skenderbeu; Gjon Fran Shqiptari studio teologji e jurisprudence; shërbeu si guvernator rradhazi në disa qytete italiane; u bë kardinal në vitin 1690; ai zgjodh Papë më 1700. Klementi XI ishte mbrojtës i arteve dhe shkencës; mirëbërës i madh i Bibliotekës së Vatikanit; autorizoi gërmimet arkeologjike në katakombet romake. Gjatë mbretërimit të tij si Papë, në vendbanimet arbëreshe në Itali u hapën shkolla e kolegje shqipe; në Lezhë u organizua “Kuvendi i Arbërit”; në mbarë trojet shqiptare u autorizua “Ilirium Sacrum” (studim i kulturës, demografisë, dhe gjendjes së fesë), të hedhura në mbi 5000 faqe të ndara në disa vëllime – një nga burimet kryesore në fushën e albanologjisë.
***
Papa Klementi, bir i Carlo Albanit (1623-1684), fisnik me origjinë shqiptare, nuk mund të mos interesohej për Shqipërinë. Me interesimin e tij, në vitin 1700, në Merqi të Lezhës, u mblodh Kuvendi i Arbërit që, natyrisht, meriton një hapësirë të veçantë në rubrikën tonë. Ndërsa në emisionin XVI do t’ju njohim me qeverisjen e Shtetit të Vatikanit dhe me ndikimin e madh, që pati mbi kulturën e kohës, papnia e Klementi XI.
Qeverisja e Shtetit të Vatikanit
Duke dashur të sigurojë mjetet financiare për krijimin e ushtrisë, Klementi XI themeloi Kongregatën ekonomike (vendim i 11 korrikut 1708). Qëllimi i kësaj kongregate ishte të krijonte mekanizmin e vënies së taksave të jashtëzakonshme, për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së trupave.
Më 1711 Klementi XI u ndesh me mbretërinë e Sicilisë, duke shkaktuar mosmarrëveshjen liparitane, që vijoi t’i cënonte për një kohë të gjatë marrëdhëniet e kësaj Mbretërie me papatin.
Në vitin 1713 në fronin mbretëror të Sicilisë u ul Duka i Savojës, Vittorio Amedeo II. Pak pas kësaj ngjarjeje, filloi një diskutim i ndezur ndërmjet kësaj mbretërie e papatit, lidhur me imunitetin kishtar dhe të drejtën për të zgjedhur titullarët e selive vakante. Mbreti i ri rivendosi të drejtën ligjore mesjetare (Monarchia sicula) mbi bazën e së cilës papa përjashtohej nga ushtrimi i çdo lloj autoriteti mbi Mbretërinë e Sicilisë.
Klementi XI e dënoi këtë vendim dhe e bllokoi ishullin, masë kjo, të cilën e miratuan 3000 prelatët vendas. Vittorio Amedeo u përgjigj duke i dëbuar të gjithë nga ishulli. Atyre iu desh të strehoheshin në Romë, deri më 1718, kur mori fund kriza. Ndërkaq Papa e zgjeroi Strehën e Shën Mëhillit, në Romë, duke shtuar një burg korrektues për të mitur, dy strehë për të moshuar (njërën për burrat e tjetrën për gratë), si dhe një kishë të madhe. Këto, të rejat kryesore të qeverisjes së shtetit papnor.
Klementi XI e kultura
Ndërsa, duke kaluar tek veprimtaria kulturore e Papës shqiptar, kujtojmë se në vitin 1701, Klementi XI miratoi themelimin e Akademisë së klerikëve fisnikë (Sot Akademia Kishtare). Fillimisht kushtuar formimit të pasardhësve klerikë të familjeve fisnike në fushën diplomatike, sot kujdeset për përgatitjen e meshtarëve të caktuar për shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë.
Në vitin 1715 emëroi Giuseppe Simone Assemani i krishterë maronit me origjinë libaneze, përkthyes i gjuhës arabe e siriake, në Bibliotekën e Vatikanit dhe e dërgoi në Lindjen e Mesme për të mbledhur dorëshkrime të rralla të botës lindore. Vijonte, kështu, traditën e familjes, që pati mbledhur thesare të vërteta bibliografike, sot të shpërndara në një mori bibliotekash e muzeumesh të Evropës, për të mos kujtuar ato, që u zhdukën nga stuhitë e kohës. Ndërsa, në Arkivin Sekret të Vatikanit ruhet edhe sot e kësaj dite një fond me interes të madh historik, që njihet si Fondi Albani. Fondi, riorganizuar nën papninë e Benediktit XIV, inventarizuar me kujdesin më të madh, të emocionon, sepse në të çdo libër e çdo dorëshkrim flet vetë për dashurinë e pakufishme që pati për të Klementi XI. E nuk duhet harruar se Papa shqiptar u kujdes për një mori bibliotekash, si Biblioteka e Apostolike e Vatikanit, që gjatë papnisë së tij u pasurua ndjeshëm. Një bibliotekë jashtëzakonisht e pasur u ngrit, nën kujdesin e Papës shqiptar, edhe në vendlindjen e tij, Urbino, pranë Kuvendit të Shën Françeskut. Klementi nuk u kujdes vetëm për financimin e ndërtimit të sallave e të rafteve, por u mor personalisht me zgjedhjen dhe katalogimin e librave, duke bashkëpunuar me specialistët më të njohur të kohës. Sot ky thesar librash, fare i pacënuar, ndodhet në Bibliotekën universitare të Urbinos. E po aty ishte dikur edhe Biblioteka e tij familjare, që në vitin 1928 u ble e tëra nga Universiteti katolik i Amerikës e tani ruhet me emrin “Bibliteka Klementine”. Kjo, pasuria kryesore, që la pas Papa shqiptar, i cili e kishte në gjak dashurinë për librin e për kulturën.
Biblioteka e Vatikanit