Nga Albert Vataj
Matshmëria e dashurisë nuk janë dhuratat, vleftë e asaj që jep dhe merr, sepse ajo vetë ka zgjedhur të jetë si e tillë. Nuk e di se si një dhuratë çmohet me dhurata, sado të kushtueshme të jenë ato.
Ne nuk duhet të jemi aq mizore sa t’i shkulim këtij prehëri të ngrohtë ninullën e një ëndrre, dhe epjeve t’ua ndezim etjen deri sa t’u plasarit buzët, por s’mund të tolerojmë çdo naivitet që na tërheq zvarrë për të na flakur në këmbët e një dëshire që e hamendësuam si diçka qiellore.
Dhurata si falenderuese e atij bekimi që ka na rrokur me krah ajri dhe fryme, është njëjt me lutjet, me të cilat i drejtohemi një perëndie si nevojë e pranimit në besim.
Dhurata, ajo detyruesja, ajo që shërben si një çelës që të mundësosh të hysh atje ku gjithçka është disponueshëm për ju, i ngjet një shpengimi dëshirues që është gati të paguajë çdo vlerë, vetëm e vetëm që të përmbush egoizmin epshor.
Do të ishte çmimi më i pavlerë, me të cilën ne shprehmi mirënjohjen tonë ndaj partnerit si blatues të asaj ndjenje kaq fisnike. Edhe pse shumë prej nesh e rrokim në dijeni këtë, sërish jemi të prirur të përsërisim këtë gabim, për forcë zakoni ose për përmbushjen e një detyre rituale.
14 Shkurti, dita e Shën Valentinit duke u shndërruar në një ditë festive, ne i fliojmë këtij shenjtori shtirjen si vlerën më të lartë të dashurisë. Dhuratat, solemniteti i deklaratave, citate dhe letrat, lulet dhe shthurjet e gjithë armaturës së veseve, i japim në këtë ditë si dëshmi e rrejshme e një ndjenje që beson te partneri si në më të lartën shpërblesë.
Si ata që janë të shtërnguar të bëjnë dhurata, edhe ata që i presin si një detyrim, janë njëjtë që të dy fajtor dhe për këtë ajo që paguan është dashuria, ajo dashuri që është përulur dhe poshtëruar deri në atë cak sa të kërkojë dhurata si provë.
Ndjenja e dashurisë, ajo që ka pikuar nga qielli si një dritë është vetiu më e epërmja stolisje, më e vlerëta bukuri dhe më e paçmueshmi thesar. Vetë kjo mrekulli ofruar si një gosti përrallore ka të ftuar në këtë kremte vetëm ata që besojnë në diçka më të lartë dhe më sublime sa sa gjithçka që shitet dhe blihet me para.