Nga Albert Vataj
Nëse dashuria është vërtetë gjëja më e shenjtë e jetës, nëse ajo është ndjenja më e zjarrtë e saj,
gëzimi më i përjetimeve të të epshme;
adhurimi më i denjë, i më të hyjshmëve adhurime;
magjia më ngasëse e motivimeve tona;
flladi që ledhaton petalet e ndjenjave delikate;
hukama që na përpush zjarret më të prushta të brendive;
zëri që na thërret në kushtrimet e akteve sublime;
pëshpërima që na hedh në krahët e trazimeve të ëmbla;
prekja që na shfleton ëndrrat e gjithë dëshirimeve;
më e merituara ndër gjithë mirësitë;
më e shndritshmja përplasje trupash që ka njohur galaksia në udhën e vet të krijimit;
… ne me duart tona, duhet t’i ngremë asaj një tempull dhe me ndjenjat tona më fisnike t’i gdhendim një altar ku mund ta adhurojmë denjësisht si një Zot.
Provo të mbyllësh sytë në këtë çast solemn dhe do të shohësh teksa së brendshmi teje një botë magjistare gëlon.
Lëshoje veten në krahët e një fluturimi të lirë siç bën një gjethe vjeshte teksa bie nga pena, apo penda e një zogu kur noton në afshin e shpengimit.
Dhe do të shohësh, dhe do ta ndjesh në çdo qelizë të ekzistimit tënd se kurmi yt është jetësuar në frymën e një Zoti.