Nga Albert Vataj
Zemra e një gruaja është gjithçka që i përket asaj dhe çdo gjë që pjesëmerr në të çdoditshmen e kësaj misionareje të hirit dhe nënës, shkujdesjes dhe përkorjes, emocionales dhe sensuales, të befasishmes dhe rastësores, është e zakonta e së jashtëzakonshmes që eksplodon si shpërthim drite dhe pasioni brenda saj. Kjo është harta shpirtërore ku shkrimtarja, Mimoza Kuchly i zhvillon ngjarjet dhe i skalit përmes një oratorie ngasëse personazhet, ato vërtetësi jetësore që syri i saj kureshtues dhe zemra e saj flakëruese, i ka vjelë me përkujdesin e atij përkushtimi, si ajo ëndje e dalldisur yjet.
“Rrëfej unë, gruaja” është një libër surprizues, jo vetëm për faktin se është sfida e parë me lexuesin e shqiptaro-francezes, Mimoza Kuchly, se sa për larminë e emocioneve që i përcjell me kaq vërtetësi dhe origjinalitet, në të gjithë udhëpërshkimin kumtues në këtë përmbledhje me tregime dhe novela.
Historitë përveçse të rrëfyera me shumë finesë dhe klas, me elegancë dhe poetikë, dukshëm shfaqin një rrjedhojë befasuese, por dhe një përfundim përpirës, që nuk mund ta zbulosh pa i shkuar deri në fund, atje ku pulsi rreh duhishëm dhe ndjenjat përpushen, e zjarret prushen.
Në tregimet dhe novelat, me të cilat, Mimoza Kuchly promovon përvojën e saj filluese, shjellon mënyrën se si ajo e përvijon në aspektin krijues botën shqiptare, të cilën e end si pëlhurën e një Penelope me fije të holla përjetimesh personale, përfshirjesh emocionale dhe ngulmimesh shprehëse. Petku i saj kumtues është një rekujem i fatit të vet, dhe i shumë grave, të cilat mëkojnë këtë shpirt me vetvetet e tyre, çfarë e përpush dhe e thërret në rrëfim. Ajo kërkon të tregojë ashtu me zemër në dorë gruan, pjesë të së cilës kërkon t’i ndajë për t’i bërë pjesë e botës.
Një eksplorim në botën e brendshme të gruas, që del përtej arketipeve të vëzhgimit, që të çon në botën e nëndheshme, me një narracion modern – shfaqet kjo përmbledhje me tregime e autores Mimoza Kuchly, e cila prej dy dekadash jeton mes Francës dhe Shqipërisë.
“Rrëfej unë, gruaja” është një histori bëmash dhe aventurash të mrekullueshme, që nuk janë asgjë më tepër se sa vetë jeta një gruaje, e një krijese sa të brishtë aq dhe delikate, e një mëtueseje sa përjetuese aq dhe e epshët, e një femre që jeton çastin dhe i blaton të papriturës shenjtërinë e saj, bashkë me jehonën e atyre zërave zjarri që i pëshpërisin në vesh, duke e magjepsur.
Jeta e saj dhe e grave të tjera që hyjnë dhe dalin në këtë libër, është njëjtësisht e ngjashme sa dhe e ndryshtë, jo për shkak të vetë predispozitës së gruas, se sa të kohës dhe rrethanave. Përjetimi dhe përfytyrimi, tregimtaria dhe trilli, ngërthehen prej penës së hollë të kësaj ndjenje gruaje, me finesë dhe delikatesë të admirueshme. Shfleton faqet e këtij libri dhe të ngjet sikur po shpalon pafajshëm petkat e saj për t’u njohur me misterin dhe joshjen, që ajo mban gjithnjë të strukur, si për ta ruajtur nga toksikimi i syve kureshtar dhe ëndjet yshtëse që gjarpërojnë me një etje të pashuar.
Në çdo tregim ajo është aq e vërtetë dhe përjetuese, sa do ta kesh të pamundur të grishesh prej këtij shkasi si prej një qëmtimi gjahtari përvëlish dhe epshesh, por edhe t’i nënshtrohesh asaj lartësie mbi mënyrën se si ajo pjësëmerr në dashuri, se si ajo jeton jetën, se si ajo i ofron vetveten e shenjtëruar të nënës dhe përkushtimin e bashkëshortes.
Mimoza Kuchly ndërthur sensualen me liriken, ëndrrën me dashurinë, nostalgjinë me mallin, realitetin me përjetimin, dhe e shpreh këtë virtuozitet me një qëllim të lartë, atë të “predikimit” të lirisë së gruas si një pafajësi. Përshkrimi poetik dhe romantik, me të cilin autorja sendërgjon këtë kushtuese rrëfimtarie është një yshtje e ngrohtë drite dhe pasioni, që palohet ashtu si një prehje ndërsa e përcjell me kureshtje dhe ngulm.
Ajo për të cilën një lexues duhet t’i kushtohet fateve të grave të kësaj rrëfimtoreje, sipas autorës është për të kuptuar veten, për të qenë në paqe me veten, për të mos e mohuar veten, sepse gjithçka fillon nga vetja, sepse nëse nuk jemi të qetë me veten, nëse nuk jemi në paqe me veten, nëse mohojmë atë çfarë ne jemi vetja, ajo do të na mundojë në të përditshmen tonë, do të na mundojë përballë fëmijëve, familjes dhe përballë shoqërisë.
Pra gjithçka kjo grua kërkon është të vendosim veten tonë në një marrëdhënie të kthjellët me realitetin, t’i qasemi atij realiteti, rrethanave dhe të papriturave që kërkojnë të na përfshijnë ashtu siç jemi dhe çfarë jemi. Dukshëm Mimoza tregon, se për gjithkënd është torturuese të mbash maskë, por për gruan është ekzekutuese, sepse ajo ka rol thelbësor në shoqëri, rol i cili nuk toleron shtirjen dhe manipulimin, hipokrizinë dhe sipërfaqësinë. Një grua është një grua, dhe ajo është sa e dëshirueshme aq dhe e obligueshme. Asaj i duhet të rrëfejë, i duhet të flasë, i duhet të bashkëndajë, si dashurinë edhe atë pjesë të tjetërllojtë të jetës së saj.
“Rrëfej unë, gruaja” është një libër, të cilin do t’ia sygjeroja çdo gruaje, dhe jo vetëm. Për çdo grua liria është shpirti i saj. Në faqet e këtij libri ajo do një përmasë të rrokshme që i thërret kraharori i saj. Jeta është plot të papritura dhe një grua është befasi e saj, si e tillë, Mimoza Kuchly sjell në narracionin e kësaj qasje, përjetime që siç u kanë ndodhur personazheve. Secila grua mund të jetë zemër drithëruese që jeton dhe dashuron, guxon dhe flirton, duke mbetur sërish një altar i papërlyer besimi.
Personazhet dhe situatat, gjithë ajo galeri e pasur me ngjyra dhe emocione, shpërfaqen joshëse në këtë dëshirë leximi dhe përjetimi të atyre rrethanave që tronditin thellë shpirtin e një gruaje, por pa mundur ta zbojë atë nga Edeni biblik.