Nga Albert Vataj
Miku im, e lexova me mjaft interes kumtimin tuaj, “Kultura e urrejtjes”. Por referimin si shkaksi të asaj kulture urrejtjeje do të preferoja të shtytja më tej në kohë, ngase ysht motivi mëtimin tuaj. Ajo kulturë urrejtjeje, për të cilën flitet dhe nga e cila kërkon praninë e vet çdo formë vesi dhe abuzimi, ndoshta është vetë gjeneologjia e sfidës sonë për mbijetesë dhe dominim në një terren të ashpër dhe armiqësor.
Unë mbetem i mendimit se kultura u rrejtjes është e skalitur thellë në kodin tonë gjenetik. Ajo ishte status dhe normë kanunore. Ajo ishte tagër dhe autoritet. Mbi gërmadhat e kësaj ligjësie u ngrit gjithëçfarë e përcaktoi rolin tonë në histori. Ndoshta është rrjedhojë e njeriut të shpellës, për të cilin flet Frojd, dhe kjo e lëkund qëndrimin tonë në fragmentarizimin racor, nacional, krahinor, e për më tepër politik.
Ndoshta ajo që na bën me faj ne, është pikërisht ushqyerja në mënyrë vijuese me këtë të keqe, si me të vetmin gatesë që na mbante në jetë dhe na motivonte. Kjo për shkak të mosndryshimit të menys, por edhe të rrethanave ballafaquese, me të cilat na u desh të ndeshemi. Urrejtjen patëm arsye të armës dhe zemëratës, ngase gjithnjë rreth nesh urrejtja kërkoi me ngulm të na sundonte.
Për kulturën e urrejtjes flasin gjithë ata që erdhën dhe iknë nga këto vise, ku më shumë se asgjë tjetër gjetën dhe perceptuan shpirtin e ngasur në urrejtje e trazim. Urrejtje, ndoshta e nxitur nga egoizmi i sëmurë, por dhe papajtueshmëria gjithnjë e më prezente me bashkëjetesën e atyre që shpesh e keqpërdorën. Nuk kishte dhe as sot nuk ka rivalë, por kundërshtar. Çdo përballje ishte një kacafytje, sepse ishe ose fitues ose i marrë fund. Askush nuk besonte te askush, madje edhe atëherë kur flitej për kulturë nderi dhe bese. Edhe atëherë kur ajo ka gjalluar, i është dashur një çmim i lartë për të blerë atë për të cilën krenohemi ne sot.
Urrejtje për gjithçka që nuk ishte e tyre dhe e njohur ishte një urrejtje si shkakësi rreziku. Ndoshta kemi të bëjmë më shumë me një vetmbrojtje, se sa skërmitje dhëmbësh. Një urrejtje për gjithçka që nuk rrokte perceptim tjetër veç frikës. Për atë që kishin frikë, ata ditën të ishin të përulur dhe të nënshtruar tej çdo caku bindjeje. Ashpërsia sado që na mbrojti nga frika, nuk mundi të na shpëtonte nga nështrimi. Urrejtja mbeti sërish aty. Ziente, shtërzente dhe shpërthente ajo masë. Fajtor nuk ishim dhe aq ne, se sa rrethanat nxitëse dhe mjeshtëritë e keqpërdorimit të urrejtjes, si shprehëse e karakterit dhe temperamentit. Ajo nuk ishte një lëndë vetëm e jona, do të ishte dhe mjeti me të cilin të tjerët arritën qëllimet e tyre.
Vranë, prenë, plaçkitën, masakruan për të mbushur gropat e errta të hakmarrjes, asaj energjie që ustallarët e së keqes mundën ta shfrytëzonin mjeshtërisht në funksion të nënshtrimit dhe domonimit. Kush e përdori dhe pse e shfrytëzoi këtë, mjafton pak përqëndrim te ajo që ka përshkuar jetën tonë në kohë, dhe gradualisht figura befasuese nis të shfaqet. Njohja e së vërtetës do të jetë kështu një fakt, por ne jemi pre e bindjes. Nuk erdhi kush tek ne të na mësonte se si të jetonim, se si të mbroheshim, se si të edukoheshim, se si të bashkëjetonim, me të tjerët dhe me natyrën. Ata erdhën për të marrë çfarë u duhej, qoftë edhe duke na përdorur si kavie për eksperimentet e tyre. Preferuan të mos e trazonin shenjtërinë tonë të fisme, duke u mjaftuar të përdornin vetëm pjesën e demonit si mekanizëm që vë në lëvizje atë çfarë i çonte te qëllimet e tyre.
E kështu ecëm në kohë, duke e ushqyr këtë përbindësh me të tjerë ingredient që pasuronin lëndën helmatisëse që e mbajti gjakun tonë gjithnjë të bartur. Çfarë më shumë se kulturë urrejtje ushqeu regjimi diktatorial. Urrejtje për gjithçka që mund të ishte potencialisht e rrezikshme për sundimin. Erdhi era e ndryshimeve demokratike. Bëmë atë që asnjë barbar nuk arriti dot, gjoja se ishte e një regjimi që i skllavëroi dhe i denigroi. Shkatërruam dhe plaçkitëm gjithçka pa asnjë vrarje në ndërgjegje dhe pendim në shpirt. A thua se nuk ishin ne, po ata që arritëm të ishin dora e gjatë, syri i mprehtë dhe veshi vigjilent i diktaturës. Sepse asnjë despot që erdhi dhe shkoi prej këtu, nuk u cfilit dhe nuk hoqi që të sundonte më dorë të fortë. Atij i mjaftoi të ushqente atë urrejtje që ishte ndër ne, dhe na e ndërseu si një kafshe të tërbuar kundër njëri-tjetrit, duke e patur më të lehtë ishte për çfarë kishte ardhur. Komunizmi na ka mundësuar përmes rrëfimit të të mbijetuarve, faqe të pambarimta të asaj mizorie, e atij makabriteti që shkroi me një kaligrafi të qartë kultura e urrejtjes. Këto monstra të harruar nga vdekja, për fatin e keq gjallojnë ende si fara e keqe që nuk ikën pa lënë vazhdues.
Dhe vijnë etapat kapërcyell të tranzicionit, ku ngjarjet e vitit 1997, janë shembulli më domëthënës i asaj kulture urrejtjeje. Të urresh deri në caqet e skajshëm të njeriut prehistoik. Të bësh çfarë do ta kesh të pamundur të besosh se kjo ishte kryevepra jote e mizorisë. Të urresh gjithçka me aq afsh dhe pasion urrejtjeje, si për të refuzuar çfarë natyra ka mundur të ushqejë krijesen e vet dëshirueshëm. Zemërimi shtyp pamëshirshëm çdo vullnet arsyeje. Injoranca kërkon gjithnjë e pareshtur fli për të ushqyer besimin e vet, dhe është kultura e urretjes që i shërben me përulësi dhe përkushtim këtij altari.
Toleranca njihet vetëm atëherë kur frika bëhet më e fortë se çdo shtysë tjetër. Nuk është vetëm politika ajo që e ushqen këtë përbindësh, e aq më pak të jetë njëra apo tjetra anë e saj. Ajo është në tërësinë e vet pjellë e kulturës së urrejtjes dhe gjithë masa e magjepsur e saj është një zgjatim i këtyre metastazave.
Edhe vetë dialektika e retorikës që konsumon në të gjithë perimetrin e saj, e sotmja është thelbësisht i mbartur nga kultura e urrejtjes. Po të ndjekësh bisedat e zakonshme të njerëzve, komentet e tyre në rrjetet sociale, arrin të pikasësh qartë se si zien kjo llavë shkrirëse, se si përmjerr ky monstër, se si na ngas ky afsh i përbinshëm.
Ndërsa flasim për kulturën e urrejtjes si për një të keqe që skllavëron dhe nënshtron me përdhunë dhe poshtërim, pak gjas mëkojmë për shpëtim. Nëse njëmendemi se kultura e urrejtjes është pjellë e injorancës, ku mund t’i kadegorizojmë; fyerjen, përçmimin, banalitetin, shfaqja e të cilave e ushqen këtë urrejtjen siç mbarështon të keqen ajo “elitë”, e cila mendon se mjeti i vetëm për të sunduar është injorimi, mashtrimi, abuzimi, shpresëvrarja.
Kultura e urrejtjes nuk ka përkatësi politike, e aq më pak të ketë emër të përvetshëm. Edhe kur ajo lipset të ketë, s’bëjmë gjë tjetër veçse zgjedhim ta ushqejmë këtë kërcënim me një gjellë më të shëndetshëm, ta tolerojë atë në një menyrë më të rrafinuar. Duke i’a përligjur njëres palë dhe ndëshkuar tjetrës, besimi, të cilin predikojmë është demagogji.
Ne duhet të vetëdijësohemi për të keqen, si i sëmuri, që rrugën për te mjeku i’a tregon nevoja për shërim.