Duke ndjekur krjimtarinë e flamandit të famshëm të pikturës, Peter Paul Rubens, krahas tablove të shumta, ajo që guximshëm qëndron po kaq lart në kreshtën e famës është edhe vizatimi. Galerinë e tij e përbëjnë një numër i pamatë vizatimesh dhe bocetesh, shumë prej të cilave për t’u shndërruar në monumente të pikturës dhe artit botëror. Ata janë jo vetëm punë paraprake, por e gjithë forca e gjenialitetit që merr trajtë në çdo lakim të vijave dhe në çdo densitet të fijeve të holla që krijojnë imazhin, sjellin në jetë nga përfytyrimi trupa të fuqishëm, të denjë për të mbajtur në këmbët me pulpa agresive, e krahë me muskuj të tendosur, mitologjinë, eposin e një shpirti të kredhur në magjinë dehëse të krijimit.
Peter Paul Rubens me vizatimet e tij dëshmon, jo vetëm për një punë titane, për orë të tëra nën pushtetin jetëdhënës të krijimit, por edhe për një qëllimsi flakëruese të ndezjes së trupave në forcë. Ai krijoi te fiziku i qëndisur në perfeksion të këtyre burrave, zotër e perëndi, heronj mitologjik, të vdekshëm e qiellor. Ai i ngre në këmbë të mishta ato statuja të murosura të antikitet e vargje, i jep frymë nga fryma e tij, i mëkon forcë dhe shpirt nga çdo epje dhe shpengim, nga çdo gatitje për ndeshje, e prehje në krahët e përjetësisë. Ai krijon vullnetin e Zotit me besimin te magjia e krijimit. Dhe ja, se si sot pas qindra vitesh ai guxon të na thërrasë në një ceremonial solemnitetesh adhuruese të anatomisë së njeriut, vetë shëmbëllimit të përsosmërisë.
Piktura e tij është një ditiramb koloristik, një shkulmim i forcave të ethshme të një shpirti gatuar me diell. Ai, si askush tjetër me penelatë dhe përfytyrim arriti të sillte në jetë zotat, perënditë dhe mitet që me kaq pasion i përshkroi pena e antikitetit. Rubens me kaq pathos i bëri ata realë, të prekshëm, tokësor dhe etern, përfytyrues dhe të shëmbëllyeshëm.
I fundit prej tre piktorëve Flamand dhe krijuesi i stilit barok në veri, Rubensi u shqua në botën e artit si galeria më e bollshme. Sasia e punëve dhe shpejtësia me të cilën ai i kryente pikturat do ta veçojnë atë prej të gjithëve. Plot 1403 tablo me tema të antikitetit, skena gjuetie, të zhanrit, peizazh, portret, vizatime të panumërta, grafika ilustruese, projekte arkitekturore dhe kompozime skulpturore, që ai i krijoi në më pak se katër dekada, vu në dukje zjarrin dhe entuziazmin e tij. Kësisoj ai do të cilësohej si zot i gjithëpushtetshëm. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, dilet në përfundimin se Rubensit nuk i duheshin më shumë se njëzetë ditë për të përfunduar një punë. Çdo krahasim me të mëhershmit apo të mëvonshmit e pikturës do të ishte i pagjasë.
Albert Vataj