Spektri i ngjyrave që perceptojme në aftësinë njohëse dhe dalluese, është i mangët në shqyrtimin e saj, pa të bukurën; këtë ndjesi më shumë se fakt, këtë emocion më shumë se një përsosmëri e krjimit, këtë magjepsje më shumë se vetë loja e zhdërvjellët e një morie faktorësh dhe dukurishë që kulmojnë në një vezullim.
E bukura, dehësja, shastisësja… ai kaplim mahnitës i papengueshëm, është një në mijëra mundësi që rreken të përfshijnë në përqafim ëndjen tonë adhuruese. Ajo bëh kaq papritur dhe po kaq beftas fashitët në tisin e hollë të gjërave që i rrethvijnë si një brerorë çastit tonë sublim të prehjes.
Vetëm kur ajo shfaqet, atëherë kur ajo na ngas në tundim si një dalldisje e ndërkryer, ne arrijmë të kapim skajet e jehonës së atij zëri që zgjon brenda nesh, për të përshkuar gjithë perimetrin e dritës, me të cilën mbush, çfarë ne përlajmë në shikim. Vetëm atëherë kur ajo mëton, na kolovit prehrave kllapitës të mgjisë së përjetimit, kur ajo na godet, vetëm atëherë ne kujtohemi se i përkasim atyre çasteve, për të cilat kemi qenë gjithnjë dyshues se vijnë të na shpërblejnë. Jeta, natyra, krijuesi, pasioni, mendimet, mundësia… bëhen bashkë për të kënduar refrenin e himnit të mrekullimit.
E bukura, ajo që na josh e na lumturon në shkrepëtima çastesh, përpara se të jetë aty ku ajo pluskon, është brenda nesh, thellë, atje ku mijëra fije të holla ndijimesh dhe perceptimesh, i jepen një galaksie të tërë përçimi të energjisë dhe dritës, pulsimi të fuqishëm të atyre sinjaleve, që ne kurrë nuk do të mund t’i deshifrojmë.
Ne ndjejmë, shijojmë, përjetojmë këtë çast mëkimi dhe më pas… kur rutina, e zakonta dhe njëtrajtësia na merr furishëm përpara, sërish ajo rindizet brënda nesh, kërkon të përngjasojë, t’i bashkëngjitet diçkaje tjetër, për tu vetëmbrojtur nga asgjesimi. Kjo sepse ajo jeton në ne dhe ne e përtërijmë atë në ngulmin për t’u ritakuar në një tjetër trajtë, në një formë të tjetërllojtë, në një gjendje të ndryshtë, me kast për ta bërë tablonë e mahnitjes më të larmishem dhe etjen tonë për dehje gjithnjë dalldisëse.
Mëkimi i të bukurës është kudo, ku sy dëshirues e qëmtojnë, ku ëndje të epshme e thërrasin, ku grishje ngulmimi e bëjnë “fajtor”, ku nevoja jonë për ta ndjerë brenda nesh prekjen drithëruese, gjithsesi e gjithçmos, gjithkund e gjithfaresh e kësisojtë, tunduese dhe përfshirëse…;
kur ne shohim një foto që nuk ka mësuar të flasë por që e përkundin simfoni magjepsëse,
kur ne përcjellim një shkujdesje të pafajshme fëmije,
kur sytë hutues ndalojnë një një puthje të nxehtë dashurie,
kur lexojmë diçka që zbret brenda nesh si një frymë e nxehtë duke na përpushur në jetësim,
kur melankolinë e ledhaton currili i shiut në strehë,
kur pikëllimin e thyen prehja e një gjetheje që rrëzon era nga degët,
kur sy të qiellt i shumon veshtrimi kristaltë i një qielli që i bëhet platitës këtij hutimi,
kur natyra tregon me mburrje ojnat e krjimit, ashtu si femra nxiton të struk çfarë e shndërron atë në mrekulli, nga frika e përskuqjes në ndjesi faji…
edhe kur unë dua të shoh, të ndjej dhe përjetoj një bukuri që flijon gjithçka që të mbush zbrazëtinë e shpirtit tim. Ngase është ajo, e bukura, më ka mësuar se pse duhet të jetosh në gjithçka dhe në çdo gjë si në një çast shkrepëtime drite në dimensionin e hapsirës.
E bukura, pothuajse në të gjithë herët e shpërthimit është e tillë tunduese, përfshirëse, dehëse, mahnitëse.. sa nuk na jep kohë të filozofojmë rreth saj, të rrëmojmë në thellësitë më të errëta të mëdyshjeve dhe kureshtjes sonë, për të gjetur shkakësinë, për të përftuar ligjësinë e asaj përsosmërie krijimi. E vetmja gjë që mbetet në duart tona të shkrehura në hutim është një pshërëtimë dhe një thirrje gurruese “O Zot”… dhe kjo është vetë magjia e të bukurës, është thelbësorja e zbërthimit të atij ekuacioni ngërthyer në vetëdijen tonë dhe dalë prej nesh kaq e vërtetë dhe kaq universale.
Faleminderit Zot që më shpërbleve me këtë çast, më këtë moment, në të cilin u ndjeva edhe unë pjesë e mrekullisë së krijimit dhe përjetimit.
Ndihu edhe ti… i rrokur nga fryma e kësaj hukame ngrohtësie gazmimi…
… sot e përgjithmonë, Amen!
Albert Vataj