Franz Eybl (1 prill 1806 – 29 prill 1880) ishte një nga piktorët e rëndësishëm austriak të shekullit 19-të. “Vajza që lexon” është një pikturë e mjeshtrit austriak të zhanrit, Franz Eybl. Kur përfundoi këtë tablo shumë të njohur në vitin 1850, ai ishte 44 vjeç, në periudhën më vitale krijuese. Përcjellja e këtij çasti kaq solemn të leximit vjen shumë imponuese. Pozicioni i vajzës i ngjason një prehje kaq delikate dhe të dlirë. Tiparet e saj janë kaq të kuruara, sa edhe vetë natyra do të ishte ziliqare për këtë. Drita është një komponent shumë domethënës në këtë realizim, ajo rrëzohet vajzën duke e shpërfaqur atë si të mbështjellë jo nga penelatat e dritshme të piktorit por nga vetë hyjnia e dijes. “Vajza që lexon” në këtë tablo është kaq reale dhe e vërtetë. Ai e shpreh shpirtin e tij endës ashtu siç ai e ndjen leximin, këtë moment që thërret për dije dhe pasurim shpirtëror.
Megjithëse Franz Eyb i është kushtuar kryesisht peizazhit dhe veprave të zhanrit, ai la gjurmë të vlerta edhe në punët me tematikë historike. Pas vitit 1840 ai u ndikua nga Ferdinand Georg Waldmüller në përdorimin e dritës, siç konstatohet edhe në këtë pikturë që sinjifikon më së miri realizimin e kësaj qasjeje. Pas këtij caku të hovshëm kthese Eyb i’u dedikua portreteve. Në to penelata e tij shquhet për elegancë dhe gjallëri, për puls drite dhe ngulm ngjyrash, të cilat e mbajnë atë në atë radhë të veçuar piktorësh austriak. Ai pikturonte shumë portrete dhe e cilësoi veten si një nga piktorët më të rëndësishëm të portretit në Austrinë e shekullit të 19-të, së bashku me Friedrich von Amerling . Franz Eybl realizoi mbi 400 portrete litografike.
Ai vdiq në moshën 74-vjeçare duke lënë pas një pasuri ngjyrash dhe shpërthim të hovshëm drite, të cilat e veçojnë tablonë e tij nga bashkëkohësit dhe ndjekës.
Albert Vataj