Ti mund te mos jesh flutur, por brenda teje e ke të pamundur ta nënshtrosh fluturimin, fluturimin që i vihet pas luleve dhe aromave, që i jepet ngjyrave dhe delikatesës…
Ti mund të mos jesh zog, por ai bashkëjeton brenda teje si brenda një kafazi, me shpresën se një ditë do t’i jepet fluturimit, siç i jepesh ëndrrës për të qenë një zog që lirinë e mat më krahë…
Ti mund të mos jesh erë, por gjithçka që fryn e ledhaton dëshirën tënde për t’i shkuar pas çdo gjetheje që rrëzon vjeshta, për të qenë gishtërinj ere që lodron me gërshetat, për t’u ndjerë erë e harbuar kur ajo trazon fustanin e një vashe e i shpalon hiret dhe përflakjet.
Ti, nuk ke qenë, nuk je dhe nuk do të jesh zvarranik, sepse ke lindur të jesh flutur, të jesh zog, të jesh erë, të jesh fluturim… sepse prej të gjithave, vetëm liria të mëson të fluturosh nga gëzimi!
Albert Vataj