E hovshme dhe ledhatare, e ngrohtë dhe e shkujdesur, e brishtë dhe përshkuese… është e njëjt me atë zërin që pëshpërit në vesh erërave. Stuhishëm hyn dhe del shndërruar në llojshmëri trajtash dhe kumtimesh. Është kudo dhe në gjithçka gjen çastin që i bën vend. Për të, çdo fijëz e padukshme depërtuese ndijimi është një prekje që e leshon ashtu shkujdesur në kohën e gjëndjeve që e yshtin si në një dehje për harrim. Është gjithçmos ajo poezi, e tillë është lirika e Gentiana Kone, përjetuese, pjesëmarrëse, e mbrujtur në gjëndjet dhe gjerat që lakmohen nga afshi i fjalës dhe zjarri i mendimit dhe jepen dorzan asaj përkorje poetike që kumton me kaq andje, Gentiana Kone.
Libri “Poezi” i Gentiana Kone është padyshim një hap që rend me delikatesë në tabanin e ububushëm të promovimeve të zërave poetikë. Më shumë se nevoja për t’iu drejtuar admiruesve me një libër, ajo përmbush një detyrim, i jep zë atyre mendimeve dhe u mëkon shpirt çasteve që rreket ti ringrejë për t’i gatitur për një solemnitet.
Poezia e Gentiana Kone është ai zë që më shumë se një kushtrimi zemëratash është një pëshpërimë shpirti, është një lëmim i shkujdesur gjendjesh që pulit mbi valët që shkulmojnë në të tashmet e grishura kujtimeve. Kumtimi poetik i Gentiana Kone është ajo nevojë komunikimi që zgjohet me ndrojtje dhe promovohet me kurajë. Hyn dhe del nga çasti që e përfshin si nga ëndrra që e thërret në takim.
Vargu dhe metafora, mëtimi dhe impresioni gostiten në një larmi trajtash që trokasin mbi dëshirimin poetik si shiu që kërkon të shuaj etjen e një tokë të eshkur. Poetja u flet të gjithë heshtjeve që e përgjojnë. Zërave që pipëtijnë u jep zë, zemrave u mëkon frymë që e përpush gjoksin e saj e ndez në buzë mallin e puthjeve dhe dhimbjen e trishtimit.
Jeton në çdo frymëmarrje dhe ndjen në çdo fjalë dhe varg gjithëçfarë i pulson në atë ritëm gjërash që i trazojnë gjendjet ku ajo i përpush me hukamë si për t’u ofruar.
Thjeshtësia e ligjërimit poetik te Gentiana Kone është e tillë përshkuese, si çdo vërtetësi që ne i hapim zemrën, si asaj trokitje që i përgjojmë kraharorit kur lëshohet në gjëmim. Ajo pjesëmerr poetikisht në gjithçka që i rrethvjen, por përmbikrejt për atë çfarë e trazon me shkas çastin. Jetësimi shpirtëror është urëbashkim ndjesish dhe trandjesh, gazmimesh dhe prushjesh që bubrrojnë drojshëm në syprinën e momenteve që pluskojnë aty-këtu, ku Gentiana Kone ndihet dhe krijon.
“Poezi të shkruara krejt bukur, mbajtur mirë dhe pa dalë duarsh dhe emocioni, vargje delikate, të hajthshme, të hijshme, elegante, transparente si cipa e akullit, të tejdukshme si vetë ndjesia për të parë stinët përtej. Nata, përndrit në subkoshiencën e poetes, si një teatër, ku luajnë imazhet dhe ndjesitë, me një harmoni perfektë. Dimensione shpirtërore dhe distanca hapësirash, mbulojnë me tisin vezullues të mallit gjithë këtë letërsi. Përthyerjet harmonike mes idilit dhe natyrës, e bëjnë poezinë e Kones sa tokësore dhe reale, aq dhe qiellore dhe misticiste” shkruan botuesi, Mark Simoni për librin e Gentiana Kone.
Dashamirësia për ta vlerësuar dhe mëtuar kësisoj është obliguese për një penë të mprehtë e shpirt të pasur, siç është ai i Gentiana Kone.
Për Gentiana Kone “Poezia” është ajo përhumbje që guxon të depërtojë thellë në praninë mish e shpirt, si një magjë e ngjizjes së erërave, shkulmimeve krijuese që gjenerojnë nga thellë brendisë për të gostitur ëndjeve dhe dëshirimeve, atë çfarë e bën të ndjejet dhe jetojë poetikisht. Ky libër, kjo gjurmë në udhën e komunikimit ndjesor, kjo grishje prej taftit të kujtimeve dhe luleve, është ai përbashkim ndërkohjesh dhe përjetimesh. Gentiana Kone, zgjedh të flasë me poezinë si për të treguar se thellë në zërin e saj ka ende fije të tendosura që gishtat prej ere u bien për të trazuar mallin dhe dashurinë, për të djegur gjoksin dhe buzët, për të flakëruar shikimet dhe drithëruar prekjet. Ajo zgjedh poezinë për të kumtuar se ka ende diell brenda saj, ende fryjnë stuhi në horizontin e ballit, pikojnë ende strehët e qerpikëve, ende gjurmën e zbathura i’a njom vesa e atyre mëngjeseve që shpërthejnë në dëshirat e saj, si në vargjet e këtij libri.
Albert Vataj