Italinë e viteve të para të monarkisë, Italinë e fshatit, Italinë rurale, mund ta kemi shfletuar në enciklopedi apo dokumentare historike, por përmes penelatave artistike, reale dhe e shkujdesur, drituese dhe e vërtetë mund ta shfletojmë në galerinë e Eugenio Zampighi, i cili lindi dhe vdiq në Modena. Eugenio Zampighi lëvroi edhe fotografinë, por ajo që do ta vendoste atë mepozita preferenciale në panteonin e vlerave artistike është piktura.
Eugenio Zampighi ishte një nga artistët më të njohur italianë i skenave të familjes. Tematika e tij krijuese është e vendosur kryesisht në ambientet e brendshme të familjeve fshatare të Italisë së messhekullit të 18 dhe fillimshekullit 19. Idilika rurale vjen përmes penelatave larushitëse të Zampighi, e fotografuar me një qartësi bëfasuese. Çdo episod i jetës fshatare është një interes i piktorit, një fokus që vjen përmes penelatave dhe ngjyrave të ndezura, të gjalla dhe reale. Njerëzit në tablotë e Eugenio Zampighi janë aq tokësor dhe aq të vërtetë, sa dhe grishës në shkujdesjen dhe thjeshtësinë e tyre. Dukshëm piktori ka sjellë në galerinë e tij vetëm jetën e hareshme, gazmimet e çasteve spontane dhe atë andje që reflekton në gjithçka që personazhet e tij bëjnë. Jeta e tyre duket se është e varfër, por ata jetojnë të lumtur, sepse i marrin jetës çdo ngjyrë dhe dritë. Në parakalimin e punëve të Eugenio Zampighi nuk shohim gjëra të jashtëzakonshme, realitete të ekzagjeruara dhe personazhe të trukuar. Aty shohim një jetë rurale, siç mund të ishte deri vitet e mëtejme, ku shpendët dhe kafshët janë pjesë e jetës së fshatarëve, edhe në mjediset e brendshme të shtëpive. Ata nuk e vrasin mendjen për rregulla dhe norma, ata i japin jetë mundësisë për të mbushur të përditshmen e tyre gjithnjë me llamburitjet e gëzimit.
Eugenio Zampigh u lind në Modena, Itali më 1859, studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në vendlindje. U frymëzua thellësisht nga piktori Giovanni Muzzioli. Pas pranimit të tij të Çmimit Poletti në 1880, artisti udhëtoi nëpër Itali dhe përfundimisht u vendos në Firence, ku filloi të prodhonte pikturat e zhanrit, piktura për të cilat ai njihet edhe sot.
Puna e Zampighit gjeti si admirues turistët udhëtues, të cilët dëshironin të kapnin një version idilik të Italisë dhe ai vazhdoi të prodhonte këto skena deri në vdekjen e tij në vitin 1944 në Modenë të Italisë.
Albert Vataj