E shtrenjta mikja ime, Albina J. Gjergji
përulësisht i drejtohem begatisë suaj shpirterore t’i bëjë vend një vullneti të shëlbyer përkorjeve të mirësisë dhe dlirësisë, atij të ofrimit përmes fjalës, përzemërsinë e një urimi, sot në ditëlindjen tuaj.
Është një ditëlindje, ndoshta krejt ndryshe nga të tjerat, kjo ngase fati është gati të të shpërblejë me një jetë të re, dhe dëshirimi juaj I ka hapur zemrën preludit të shenjtërimit të një guraje.
Kësisoj kjo ditëlindje është për ty një kremte që takohet tek ju me gazmimin e zemrës së një fëmije dhe dlirësisë së një drite mëngjesi. Bashkë më çdo fjalë dhe andje, sjell me këtë urim lavden e atij gazmimi me gjithë zemër, që kjo ditë e lindjes suaj të jetë ditë e dritshme nga ato drita që kanë shpërthyer brenda teje diellin e dëshirimeve dhe përjetimeve.
Mikja ime unë kam çmuar tek ju bardhësinë e shpirtit, zemrën e pastër dhe atë fëmijën e ndrojtur dhe shpesh të shkujdesur, dhe kjo ka ushqyer tek unë atë mirënjohje që i detyrohem mundësisë që ka bërë juve pjesë e jetës sime, njohjeve të mia, dhe asaj të shtrenjtes afrisë shpirtërore.
Ajo që kam çmuar dhe që vazhdon ta ushqejë me përkorje miqësinë tonë është sinqeriteti, me të cilin komunikojmë dhe tek i cili besojmë.
Ti ke qenë dhe je një mike që ka zënë një vend të konsiderueshëm tek unë. Edhe unë jam përpjekur ta ushqej këtë përkorje me përkushtimin tim, me dashamirësinë dhe atë përzemërsi që i ngre në eter altaret e këtij fisnikërimi.
Zoti të shpërbleftë me mirësinë e asaj zemre që ka mylmyer shpirtin tuaj. Gëzofsh me harenë e një fëmijë. Shkëlqefshin në sytë e tu diejt e çdo dite që ka shpërthyer gazmueshëm tek ju. Në buzëqeshjen tënde vezullofshin të gjithë llamburitjet e qiejve idilik.
I puth duart e asaj nëne që të ka bekuar me atë çfarë në shpirtin tënd driton.
Albert Vataj