Kjo “Virgjëresha dhe Fëmija” është një nga punët e të shquarit të barokut flamand, Anthony van Dyck. Kjo tablo është njiherash përfaqësim më dinjitoz i galerisë së piktorit në tematikën religjoze. Përgjithësisht punët e tij, ashtu si dhe “Virgjëresha dhe fëmija”, dukshëm kanë ndikim nga shkolla dhe penelata e Rubensit, nxënës i të cilit ai ishte.
Baroku flamand ndihet në çdo cep të telajos së kësaj kryevepre, e cila reflekton më shumë se pushtetin që ushtron mbi ne arti, na thërret në përjetimin falenderues për çfarë vetë krijuesi i ka shpërblyer njerëzit më dërgatën e tij të shenjtë, shembullin e përkorjes dhe përsosjes.”Virgjëresha dhe fëmija” përfshin në mënyrë delikate aluzione tradicionale ndaj mrekullisë, krijimit, besimit dhe marrëdhënies mirënjohëse me një pushtet suprem, altarët e të cilit janë brenda nesh më shumë se nën madhështinë e kishave dhe katedraleve që thërrasin në një jehonë të thellë eterne vetë Zotin.
Sir Anthony van Dyck (22 Mars 1599 – 9 Dhjetor 1641) ishte artist i Barokut Flamand dhe piktori kryesor i oborrit mbretëror anglez. Ishte i famshëm për portretet e Chales I dhe të familjes e oborrit të tij, që shquhen për elegancë unike. Këto portrete u bënë dominueset në influencën e pikturave të këtij lloji për 150 vitet e ardhme në Angli. Ai realizoi dhe subjekte biblike e mitologjike, duke u bërë novator në bojërat e ujit dhe gravura.
Dyck ishte ndihmësi kryesor i Rubens, i cili e ndikoi shumë. Rubens u shpreh për Dyck si “nxënësi më i mirë”, megjithatë, marrëdhënia e tyre nuk është shumë e qartë.
Ekspozitën e parë e hapi bashkë me mikun e tij Jan Brueghel i Riu dhe pati shumë sukses. Shumë prej portreteve, rreth 52, ishin të artistëve të tjerë, shumica bashkëkohës të vet.
Albert Vataj