Nga Albert Vataj
Prej 27 korrikut të vitit 2007, Vjoleta Manushi nuk është më, por gjithëçfarë ajo skaliti me pasion dhe përkushtim e ruajnë të pacënuar në kujtesën e artdashësve atë figurë emblematike të artit skenik shqiptar.
“Sikurse e shihni, unë jam nisur për udhë, që nuk është e gjatë. Nuk jam pishman që po shkoj, jetova 81 vjet e kusur, për më tepër jetova me nder. Kemi qenë të varfër, por nuk kemi lypur. Kemi jetuar me punë dhe me nder, duke lënë pas emrin e mirë”. Violeta Manushi i tha këto fjalë në orët e fundme të frymës, më 27 korrik 2007, fjalë që nuk do të ishin vetëm të fundit, por kumtim solemn i denj për epitaf korifejsh. Ajo nuk ishte një grua e jashtëzakonshme, por gjithçka e përkorë, gjithçka e virtytshme, gjithçka ngadhnjyese dhe përkushtuese që mbushi jetën e saj ishte e bekura dhe ujdhesë e njeriut të motivuar nga mirësia.
“Teta Ollga”, artistja e madhe, me kurajën e pashembullt, me qëndrimin e saj, e bëri shumë të lehtë takimin me vdekjen. Ajo u shua për të lënë pas emrin që skaliti me shkronja të arta në memuarin e traditës së artit skenik shqiptar. Iku për të lënë rolet e saj të pavdekshme. Mori udhën e amshimit për të mos harruar të na gostisë vijimsisht me humorin dhe virtuozitetin skenik.
Edhe sot ajo është po kaq e gjallë, sa ç’ishte kur ngjitej dhe zbriste skenën, dhuronte emocione dhe merrte kaq shumë mirënjohje, përmes duartrokitjesh dhe adhurimit. Rruga deri në panteonin e famës ishte sa e vështirë aq dhe ngadhnjyese. Por ëndrra di gjithnjë të të rrëfejë rrugën e pavdeksisë, dhe Vjoleta Manushi hoqi atë udhë që e çoi deri atje lart ngaku nuk do të mund ta zbresë asnjë stuhi dhe shtjellë e ndryshesave dhe ngulmeve transformuese, me të cilën kinematografia shqiptare po përballet, ku arti skenik ka hyrë. Sepse ajo është kujtesë, është nostalgji, është çfarë e bën të përgjithmonshme ëndjen dhe adhurimin. Vjoleta Manushi i përkiste një gjenerate aktorësh, regjisorësh, skenaristësh, kameramanësh, etj… të cilët më shumë se talenti, i transformoi në përmendore pasioni, puna me përkushtim dhe vetmohimi për atë ëndërr, të cilës ata i kishin kushtuar jetën e tyre dhe vetë arti i shpërbleu duke i bërë të pavdekshëm.
Duke qëmtuar mbi jetën dhe kalvarin e aktores mësojmë se në fëmijëri kishte një jetë aspak bujare. Familja e saj jetonte në varfëri e tejskajshme. Fëmijët u detyruan të punonin në moshë fare të njomë, për të siguruar bukën e gojës. Aktorja është shprehur se, ka qenë një fëmijë e padëshiruar, por kur u konstatua, prindërit gëzoheshin se mos do të lindte djalë, që t’i bëhej krah Llambit, djalit të vetëm. Që në moshën 14-vjeçare, ajo do të provonte mbi shpinën e njomë punën fizike fillimisht në fabrikën e këpucëve në Korçë, më pas punëtore në shtypshkronjën “PEPO”. Pas largimit të familjes për në Tiranë, në shtypshkronjë “Dielli”, e cila do t’i ndriçonte rrugën drejt skenës së teatrit, ku shkriu jetën e saj. Vetë aktorja nuk u martua dhe ja çfarë thoshte për këtë gjë. “Vërtetë jeta erdhi ashtu, ndoshta fati vendosi të mos martohesha, por unë kam qenë nënë me shumë fëmijë, në skenë dhe në jetë. Gjithë kohës më ka shoqëruar dashuria e nipërve dhe mbesave, që më mbanin si ujët e pakët. Kështu jam edhe sot, si veshka mes dhjamit. Teze njëri, teze tjetri, të marrin mendjen, por edhe të mbushin me gëzim e lumturi. Jam një nënë me shumë fëmijë edhe në skenë.