Ai ishte i përpirë në çdo nerv dhe ind nga fijëzat përshkuese të asaj energjie drite dhe ngjyrash që shkulmonin në dehjen e dancit, vajzat prej ajri dhe mishi. Jetoi në çdo çast dhe piruetë, në çdo shpengim dhe farfuritje të kurmit në krahet e muzikës dhe epshit të tingujve. Ai ishte gjithçka që qe dhe mbeti përjetuese në atë çfarë e rrëmbeu, në atë çfarë la dëshmi pasioni në tablo.
Piktori impresionist francez, Edgar Degas u lind më 19 korrik 1834 dhe vdiq më 27 shtator të vitit 1917. Degas do të njihet në artin e tablosë si një ndër themeltarët e impresionizmit. Veç pikturës ai hodhi shpirtin e tij krijues edhe në sprovat e skulpturës, të cilat edhe pse sihin gjithashtu përfaqësuese mbeten vetëm pjesë e galerisë dhe gjini e shtuar me të cilën artisti zgjodhi të komunikonte. Kërcimi është një tematikë shumë e rrahur në krijimtarinë e tij. Subjektet si hipodromi, femrat me çorape të holla dhe portretet, ndërfuten fuqishëm në galerinë krijuese të piktorit.
Në fillim të karrierës së tij, ai u qas përnga piktura me tematikë historike, gjë për të cilën edhe ishte përgatitur nëpërmjet një trajtimi rigoroz akademik dhe studimet e përkushtuara të artit klasik. Në moshën 30-vjeçare ai do të ndryshonte kurs, duke sjellë metodat tradicionale të një piktori të optikës bashkëkohore të subjektit. Kësodore ai u bë një rrëfimtar me penel i jetës moderne.
Edgar Degas predikonte se “artisti duhet të jetojë vetëm, dhe jeta e tij private duhet të mbetet e panjohur”. Gjithsesi ai ka jetuar një jetë të qetë nga dukshmëria e jashtme. Ishte karakterizuar si një “koprrac i vjetër”, nga romancieri George Moore, i cili kultivoi te ky personazh reputacionin e një beqar mizantrop. Thellësisht konservator në opinionet e tij politike, ai kundërshtoi të gjitha reformat sociale dhe gjeti pak për të qenë admirues në përparimin teknologjik, të tilla si telefoni.
Mbetemi te thelbi i artit të tij përfaqësues, atë fragment që mbeti më i vezulluesi në pasionin që derdhi me përkushtim mbi tablo. Ai është vetvetja kudo, si në tablotë historike, ashtu edhe në ato të vrapimit me kuaj, sikurse edhe në portrete, por tablotë e kërcimit duken si ajo fryma që la ai në xhamin e kujtesës. Ai është aty, në një sallë të madhe, ku në gjysmerrësirë shfaqen plot ngjyra balerinat e tij, tablotë “Klasë dansi”, “Prova dansi”… Ata e lumturojnë pasi është poetika e kredhur në ta, hiret e kurmit që rreken të flasin me gjuhën e vet të përjetimit, letrën e tij të vizatimit, në pastel apo akuarel, dhe shpesh të kombinuara.
Ato vajza të reja, gati adoleshente, të cilat në mbrëmje ngjisnin shkallët e skenës së teatrit para publikut dhe përnjëherë zënë vend në atë përkim krijues që ata koloviten nëpër vizatime, linja dhe dritëhije. Ai shkonte aty ku ëndrra dhe realja, përfytyrimi dhe përjetimi ndahen nga një mantel i tejpashëm fryme. Ai i sheh, i ndjen, i përcjell, dehet prej tyre, prëj atij intimiteti, prej asaj afrie që i lejon të hyjë brenda tablosë. Sepse aty ishte gjesti, krijimi i lëvizjes, ajo që mbetej në përfytyrimin e artistit, hiret e trupit, llërët, koka e përkulur, qafa, kofshët, harqet poshtë ijëve, elokuenca e trupit në lëvizje.
Që kur ishte sëmurë nga prostitutat, ai nuk i donte më femrat fizikisht. Nuk donte të kërleshej e të flinte me ato. Ai donte veç t’i pikturonte ato. I pëlqente mbi letër, në procesin e rikrijimit të bukurisë femërore në linja dhe ngjyrë
Tablotë e tij të fundit janë me ngjyra që nuk i ka përdorur më parë: tone të habitshme kanarine, jeshile të çelëta; ngjyra rozë fosforeshente, ngjyra ekspresive, ndërkohë që portreti sfumohet gjithnjë e më shumë sa gati bëhet anonim. Për të s’ka rëndësi portreti, por kapja e lëvizjes dhe dhënia e saj në një dritë të re. Aty ishte gjesti, krijimi i lëvizjes, ajo që mbetej në përfytyrimin e artistit, hiret e trupit, llërët, koka e përkulur, qafa, kofshët, harqet poshtë ijeve, elokuenca e trupit në lëvizje. Ç’mrekulli, trupi që fliste, i cili demostronte kështu alfabetin e vet të kuptueshëm edhe për njeriun më të paditur të botës, pasi kështu, me lëvizjet e tij, njeriu ka artikuluar që në zanafillën e botës…
Albert Vataj