Nga Albert Vataj
William Etty i përket atyre piktorëve, që e pa, e ndjeu dhe e krijoi botën përmes fijëzave të zjarrta të pasionit dhe ndjenjës delikate të joshjes dhe epshit. Çdo trajtesë që merr shkas nga penelata e piktorit britanik, mjeshtrit më të famshëm dhe më të debatuar të gjysmës së parë të shekullit XIX, është e mbushur me dlirësi, hire dhe tundim kaplues. Femrat janë të gjitha një rikrijim i përsosmërisë, një shëmbëllim i epërm i vetë krijuesit që derdhet përmes toneve, dritëhijes dhe ngjyrave, në telajot e një syri dhe zemre që zjarmoi.
Djalë i varfër nga Jorku nisi udhën e tij të tablosë duke kopjuar “përmendoret e famës” së mjeshtrave të penelit, nga Tiziani, Rubens, Poussin, Reynolds, dhe Lawrence. E gjithë krijimtari e tij është pikërisht ajo çfarë arriti të depërtonte deri në ndjesitë më të thella dhe dëshirimet më joshëse të Etty-it. Qasja ndaj tyre ishte një përulësi e mjeshtërisë dhe gjenialitetit të tyre. Ai ishte një zgjatim i asaj shkrepëtime zjarri që ata përshkënditën që qiellin e mraztë të kohës.
Cilësia epshore e çorapeve të holla William Etty ka ngjallur gjithmonë dyshime, debate, kritike, sikundër gjithnjë ai ka qenë i rrethuar nga një ëndje dehëse përjetimi. Përtej polemikave, fshikullimit të kritikës dhe puritanëve, ai është ngasës, përshkues dhe i adhuruar. Para punëve të tij thjeshtë je i goditur nda një ndjesi që të përpin. Nuk është vetëm lakuriqsia, linjat perfekte të femrës, e kolmja e tyre dalldisëse, gjinjtë e kërcyer, por është një dritë, një dritë e derdhur në një spektër flakërues ngjyrash që të gozhdon si përpara një shastisje hipnotizuese. Sepse ky është arti, këtë magji rreket të përçojë tek secili nga ne peneli, ngjyra, loja me dritëhijen dhe misterin. Sepse ky ishte dhë është në pikturë, në art, William Etty.
Art i Etty gjithsesi e ka mbajtur të ndarë opinionin publik. Gjatë karrierës së tij 40-vjeçare ai sjellë në jetë një shumëllojshmëri të larmishme peizazhesh dhe portretesh, por gjithsesi ai mbetet i preferuar në atë pjesë të krijimtarisë, e cila është mjalti dhe zehri, epshi dhe skërmitja e dhëmbëve, dalldisja joshëse dhe përçmimi neveritës.
Ishte dhe mbeti i famshëm për përdorimin e qëllimshëm dhe domonues të galerisë krijuese të lakuriqsisë femërore. Shumë besonin se shkëlqimi i kanavacës së tij me ngjyra të dritshme dhe ndjellëse është vetë ai rrezatim që duke të joshur arrin të të manipulojë, duke të për vete, duke të mbajtur të lidhur në atë vëshim kaplues epshi dhe joshjeje.
William Etty (10 mars 1787 – 13 nëntor 1849) ishte një artist anglez i njohur për pikturat e tij historike që përmbajnë figura lakuriq. Ai ishte piktori i parë i rëndësishëm britanik i aktorëve dhe i jetës së gjallë. I lindur në York, ai u largua nga shkolla në moshën 12 vjeçare për t’u bërë një praktikant në Hull. Ai mbaroi shkollën shtatë vjet më vonë dhe u zhvendos në Londër, ku më 1807 ai u bashkua me Shkollat e Akademisë Mbretërore. Atje ai studioi nën mbikqyrjen e Thomas Lawrence dhe në fillimet e tij u trajnua në kopjimin e veprave të artistëve të tjerë. Etty pati respekt në Akademinë Mbretërore të Arteve për aftësinë e tij për të pikturuar tonet reale të mishit, por pati pak sukses komercial apo dashamirësi nga kritika, në vitet e tij të para në Londër.
William Etty ishte një njeri shumë i ndrojtur, rrallë përfshihej në njohje dhe në shoqëri, gjë e cila e përjashton atë nga prirja sociale. Ai nuk u martua kurrë. Nga viti 1824 deri sa u shua më 13 nëntor 1849 ai jetoi me mbesën e tij, Betsy (Elizabeth Etty). Ai ishte shumë i lidhur me vendlindjen, Jorkun dhe e dëshmoi këtë me themelimin e shkollës së parë të artit dhe drejtimin e fushatës për ruajtjen e mureve të qytetit të Jorkut. Ndërsa ai kurrë nuk u kthye formalisht nga besimi i tij metodist, ai ishte i lidhur ngushtë me Kishën Katolike Romake dhe ishte një nga ato pak jokatolikët që merrnin pjesë në 1838 në hapjen e kapelës Augustus Pugin për Kolegjin e Shën Marisë, Oscott , atë kohë ndërtesa më e rëndësishme katolike romake.