“Albanian Wildlife”, një ekspozitë fotografike sensibilizuese për mbrojtjen e kafshëve në zhdukje
Wildlife – Albanian Photographers ka zgjedhur një mënyrë shumë origjinale për të ngritur zërin mbrojtës të atyre vlerave të natyrës, të cilave i detyrohemi. Për zgjimin e asaj vetëdije të topitur të institucioneve dhe individëve, të cilët duhet të shprehen përmes një vullneti veprues, se cili është roli që ata zgjedhin të jenë mbrojtës dhe promovues të faunës, kësaj pasurie që natyra na e la trashëgim. Përmes një ekspozite fotografike, Wildlife – Albanian Photographers, rreket të ngre ura komunikimi me pjesën më vitale të atij zëri kushtrues që janë artdashësit, ata të cilët janë një vlerë e shtuar e këtij sensibiliteti imediat, gjithashtu dhe një zë i qenësishëm i atyre atributeve që konfigurojnë këtë nisëm në një kauz të vlertë.
Përmes një komunikimi, Wildlife – Albanian Photographers në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier dhe të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe me iniciativë te “Guida Turistike Parku Kombetar Divjake-Karavasta” prezantojnë ekspozitën “Albanian Wildlife”.
Kjo ekspozitë ka për qëllim promovimin e faunës së trojeve shqiptare. Në këtë ekspozitë, fotografët pjesëmarrës vijnë nga Kosova dhe Shqipëria dhe prezantohen me fotografi të faunës të Parkut Kombëtar Divjake- Karavasta, si dhe me fotografi nga zonat e tjera shqiptare.
Pas një përzgjedhjeje të kualifikuar, fotografët pjesëmarrës në këtë ekspozitë do të jenë: Ardian Fezollari, Arian Mavriqi, Besnik Jakupi, Eno Gace, Eridan Xharahi, Granit Hyseni, Jetmir Troshani, Liridon Shala, Raim Kurtaj, Taulant Bino dhe Vangjel Jorgo.
Hapja e ekspozitës do të bëhet me datën 29 qershor, ora 16:00 dhe do të qëndrojë e hapur dhe në datën 30 qershor, nga ora 9:00-19:00.
Adresa: Prane Qendrës së vizitorëve të Parkut Kombëtarë Divjakë-Karavasta.
Ftojmë dhe mirëpresim të gjithë artdashësit dhe dashamirët e kafshëve dhe shpendëve të egër të vijnë dhe të shijojnë shumëllojshmërinë e faunes së trojeve shqiptare, në mbështetje të “Albanian Wildlife”.
Kjo nismë e “Albanian Wildlife” është nga ato rrugëtime të gjata dhe të gjurmshme, të cilat do të lënë pas më shumë se një përpjekje, një sfidë. Sot për shumëkënd kjo qasje përngjason e pakohë, në kushtet e një situate aspak të favorshme në të cilën kacafyten vështirësitë e mbijetesës së shumë njerëzve. Gjithsesi, kohjen e një sensibiliteti të tillë, të tashmen e manifestimit të këtyre vlerave, më shumë se situata ekonomike, matshmërinë e saj ajo e gjen te gjendja alarmante ku ndodhet natyra në përgjithësi dhe fauna në veçanti. Kurrë nuk është vonë për të ngritur zërin në mbrojtje të asaj pasurie të paçmim, të cilën më shumë se diversifikimi i elementeve të natyrës, po e ekspozon ndaj rrezikut njeriu. Ai, i cili jo vetëm që nuk është mirënjohës ndaj asaj, me të cilën natyra ka pasuruar jetën e tij, gjithnjë është përpjekur të jetë neglizhues ndaj ruajtjes së atyre marrëdhënieve, të cilat janë thelbësore për jetën dhe shëndetin e tij. Për të kaluar te trajtimi i komponentëve përbërës të natyrës, te vlerësimi dhe konsiderimi i faunës, specieve në zhdukje që në vetvete janë një paralajmërim alarmi. Sa më shpejt t’i përgjigjemi këtij zëri, aq më e mundshme është veprimtaria jonë mbrojtëse të asaj që përbën natyrën, pasurinë tonë të vetme dhe të vërtetë. Kjo ekspozitë e ngre në një nivel premtues sensibilitetin për vlerësimin e natyrës dhe mbrojtjen e kafshëve në rrezik zhdukje. Nismëtarët dhe pjesmarrësit në këtë ekspozitë fotografike meritojnë vlerësim për dashurinë deri në adhurim të natyrës. Angazhimi përmes fotografisë në mbrojtjen e vlerave të natyrës, mbetet një ngulm për të kontribuar në atë seksion të afris me të vlertën, me natyrën, ma çfarë e ruan këtë harmoni që bart në vetvete thelbin e jetës.
Albert Vataj