Fjala, njajo e skalituna n’tehun e nji vetëtime, qi me çaste shpërthimi na mbush, ku pahena e ndehena…
Fjala, njaja qi loti e njom.
N’zjarm gjaku e prush, e me afsh e mbush.
Njaja, qi n’dishrim nepet, si n’prehnin e nji andrrimi.
Njajo qi na hov te gjoksi i hepuem i nji hane, e nanën na kthen njaty ku ma e mrazta plagë mungimi na dhemb e s’na shemb, në ofsh tue na end.
Fjala, del prej njaq thëllë nesh, e vjen tue zdryp ngutaz… tue dasht me çil, vjen, ma shum’ se nji strehë me u preh, vjen… m’bahet se lyp nji zemër t’zjarmt, qi me drit e deh.
Fjala, me tanken qi thërmue asht n’te, e prej tankujt qi ngjiz si afsh.. asht. Vjen si flutur, si pëshpërimë, tingull e taft, n’faqe na ledhe, n’sy nji lot na shkreh.
Njajo… fjala, fjala e dalë prej shpirtit, zemër kurrqysh nuk do me nguc e me truc, kurrgja e kurrsen, veç don n’ty, nt’ty me xanun vend. N’ty e tankund, don si i dishruem, me lan nji gjurmë.
Ndoshta me t’prek, njashtu leht si gjethja kur rrzohet n’vjeshtë, me t’ledh si tue dasht me msheh.
Tue t’pa pahiri, tue u parla me sy, qi e kundrojnë, kallin e ndragin, përpushin prushin.
Ndoshta s’po muj tjetërqysh me ardh te ti, veç njashtu tallazuse me trazim, me t’hov ku harrimi t’ka derdhun n’pikllim, e tue mësu me vujt, ke harrue me ndrit, me zbardhë e flakërimit, me ju dhan fluturimshëm si njaj zog, qiellit e synit, qi derën e kafazit tand t’hutimit. Ka çil, e tue shku larg, ndoshta don me t’kallzu se ku mundet me t’çu shpirti, se çka mundet me ba fjala, se si m’kafshon me idhnim e shtërzim buza, buza qi loti e njom e trishtimi e dridh, e diellin i’a lidh me fill. Njaty, njaty ku mundet me zbrit e harruemja prekje, e ndrojtshmja puthje,e njaj kafshim qi m’dhemb e thellë më shemb.
N’mu, njashtu si n’ty, fjala dhe zemra, puthja dhe përulja i zhbajnë tana trajtat e ngurtësueme t’dhimbjes, e nji vërshimi i nepen siç gjaku lyp urtësim, ku epshi n’tërsëllim m’nguc e n’tërbim lyp paqtim. Treten e fiken, kallen e n’jehona shumohen, e zani, zani qi kurrë nuk ju dha nji dëshirimit marrok, m’çon njaty ku du me sos, me shndrit e me e fik si shpërthim, ndoshta pa zjarm n’vezullim.
Fjala, prej meje del… dhe n’mu, n’ty e n’gjithkend, si qiell shembet, tue dasht me i thye krejt ç’ka syve t’trishtuem, i err nëpër terr, e lutja me përgjërim ther e përgjigje s’merr.
Palohet ky përjetim, lehtas dhe tinzisht, si shputa e nji dore qi xen vend, e ulet e palohet, bash njaty ku e ndin e ngrin, njaty ku boshi, zbrazëtia me kafshim t’unshëm, uritshëm n’kup të qiellit thërret.
Rrekem me ndigju ndoj za e zjarm qi gurron, psherëtimë apo ndoj fshikull ajri, fryme e bryme, qi mardh e pikon prej ndoj ylli pulsues… shndritjeje qi e ndezi, e shkrepi, n’zjarm e trandi njajo qi pahiri e prek. Njajo prekje qi ndër harrime u nder, si n’tehun e nji klithme, zemër e shënjim, kris tue u ngrys.
Thuaje fjalën tande pa u drasht se nguc, njat’herë qi n’ty gjen dritë e ndritshme del, n’muzg edhe nëpër terr, tue dasht me ndez shkëndi a shpuzë, n’buzë si n’prehën, n’kurm si n’pragun e gërryem nga pritja e dërmuem prej kujtimesh.
Fjalë, e amël e dlirë, n’se s’të pret ndoj zemër e çilun, provo me trokit!