Lista e shqiptarëve të suksesshëm në administratën amerikane përbëhet nga shumë emra, njëri prej të cilëve është Lek Kadeli. Pak nga ne kanë dëgjuar për të. Për të atin e tij, Gjon Kadeli, gazetarin e viteve ’80 në “Zëri i Amerikës, ndoshta mund të kemi mësuar edhe më pak, sepse ai përfaqësonte jo vetëm një nga zërat më të fuqishëm të lirisë dhe demokracisë, por edhe atë shtresë që hoqën mbi vete Golgotën e mundimshme të diktaturës. Për xhaxhain, Gjet Kadeli, dimë se i përket kalvarit të gjatë të diktaturës komuniste, qëndrestarëve të paepur dhe martirëve të lirisë. Po kush është mirditori, Lek Kadeli, nipi i dom Anton Kçirës?
Lek Kadeli i përket atyre shqiptarëve të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atyre shqiptarëve që bënë emër dhe karrierë përmes një kontributi dhe përkushtimi që është konsideruar dhe vlerësuar duke ngjitur një e nga një shkallët.
Lek Kadeli, aktualisht është Ndihmës Administrator në Zyrën e Kërkimit dhe Zhvillimit të SHBA-ve, detyrë të cilën mban që në vitin 2012. Ai ka mbi 29 vite eksperiencë menaxheriale në sektorin qeveritar dhe privat. Me eksperiencë të gjerë në udhëheqjen e ndryshimeve dhe përmirësimeve organizative, zhvillimin e politikave, menaxhimin e burimeve, menaxhimin e informacionit dhe teknologjisë. Ai u diplomua nga Universiteti George Mason në vitin 1983 me një BA në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në vitin 1986, ai fitoi një MA në Studimet e Sigurisë Kombëtare nga Universiteti Georgetoën.
Kadeli, para se të merrte këtë detyrë të rëndësishme ishte zëvendësdrejtor kryesor i asistentit për menaxhim në ORD. Gjithashtu ka mbajtur disa pozita të tjera të larta ekzekutive brenda EPA dhe ORD që kur ai erdhi në Agjenci më 1990.
Veprimtaria e shqiptaro-amerikanit, Lek Kadeli, konsiston në ndërtimin e urave bashkëpunuese për mbrojtjen e mjedisit. Përmes Forumit të Inovacionit Amerikan për Qëndrueshmërinë, ai parashtron nevojën për favorizimin e një dialog, shkëmbimin e ideve, nxitjen e marrëdhënieve publik-private dhe inkurajimin e gjeneratave për të vijuar punën për inovacionin e mjedisit.
Ky emër, kjo përvojë suksesi, ky shembulli i lartë kapacitetesh menaxhuese, mbetet frymëzim dhe inkurajues për gjithë shqiptarët që ofruan kontributet e tyre kudo ku ata jetojnë. Lek Kadeli vjen në këtë njohje si dëshmi e mundësisë që bart suksesi, vlerë e sfidës që garanton vendi i lirive dhe të drejtave, i ëndërrtarëve dhe triumfuesve, Amerika.