– Mbi Borgesin ka rënë fatkeqësia e të qenit i famshëm. Meritonte më shumë. Meritonte të mbetej në hije, në padukshmëri, të ishte jopopullor dhe i pavënëreshëm. Kështu do të ishte vetvetja. Shugurimi është ndëshkimi më i keq për një shkrimtar – për një shkrimtar në përgjithësi, dhe për një shkrimtar të rangut të tij, në veçanti. Sapo fillojnë ta citojnë të gjithë, ju s’keni si ta citoni më, sepse, nëse e bëni, do të keni ndjesinë se thjesht po “rrisni” masën e admiruesve, apo armiqve të tij. Ata që kërkojnë me çdo çmim t’i japin ç’i takon, në realitet nuk bëjnë gjë tjetër veçse përshpejtojnë rënien e tij. Po ndaloj, sepse nëse do të vazhdoja me këtë stil, do vinte puna ta mëshiroja për fatin e tij.
Të mos hedhësh rrënjë dikund, të mos i përkasësh asnjë bashkësie – e tillë ka qenë dhe e tillë është deviza ime
Çfarë ndodh në Europën lindore, doemos që duhet të ndodhë edhe në vendet e Amerikës latine, dhe unë kam vërejtur që përfaqësuesit e saj janë shumë herë më të informuar, më të kulturuar se perëndimorët, provincialë të pashëruar në fushën e artit dhe meditimit, gjithçka që nuk shndërrohet në një dalldi paksa perverse, është sipërfaqësore, pra ireale.
Fillova të mendoj më seriozisht se më parë për gjendjen e Borges-it: mos vallë ky paracaktim për t’u zhulatur pas universialitetit, ky detyrim për ta ushtruar mendjen në të gjitha drejtimet, bëhej për të shpëtuar nga asfiksia argjentinase? Ishte hiçi amerikano-jugor që i bënte shkrimtarët e gjithë kontinentit më të hapur, më të gjallë dhe më të ndryshëm nga ç’janë në Europën perëndimore, të paralizuar nga tradita dhe të paaftë të dalin nga skleroza dinjitoze.
Prumun në shqip nga Balil Gjini