Ishte 11 maji i vitit 1991 kur erdhi në jetë ai zë, ai vullnet shprehish të kurajshme ëndërrtarësh, ai kushtrim i zëshëm i atyre që besuan te idealet, tek liria dhe demokracia.
Ishte 11 maji i atij viti të garrametshëm hovesh të ndrydhura e ngulmesh të tulatura, apatisë, frikës dhe iluzionit, kur lindi ajo, mëkuesja e fjalës së lirë, “Koha Jone”.
Shqipëria dhe shqiptarët e asaj ndërkohje përpëliteshim mes dy botëve; asaj që po jepte shpirt përmes një agonie bishe dhe asaj që gatitej të lindte pas një shtatzënie të mundimshme.
Varfëria dhe mezeria, zemërplasja dhe zhgënjimi, çoroditja dhe kuturisja, mbanin në morsë të hekurta kokën e anuar nga Perëndimi.
Fjala, fjala rënkonte në mërmërimën e saj të robërisë kohëgjatë të diktaturës.
Liria lypte krahë për t’u lëshuar në atë fluturim poterisës.
Ëndrra, ëndrra për të besuar, kishte zgjuar në shpirtin e disa të rinjve krijimin, ngjizjen e një zëri që vinte të sprovonte se deri ku mund të mbërrijë pasioni, vinte të shkruante historinë, gufimin e asaj krijese lirie që do t’i jepte jetë zjarrit e do të kalitte flakën. Kishte lindur “Koha Jonë”!
Historiku i medias shqiptare, natyrisht që nuk fillon me gazetën “Koha Jonë”, por tradita e shtypit të pavarur nuk mund t’ia mohojë asaj atributet e simbolikës së mëvetësisë së lirisë së mendimit dhe shprehjes. “Koha Jonë”, erdhi për të qenë gazeta e parë e pavarur. Ajo lindi dhe u rrit me shenjtërimin e fjalës së lirë që gurroi prej zjarreve pasionuese, për të mbetur e tillë, vazhdoi mes peripecish, persekucionit, përplasjesh dhe ngadhënjimit, për të dëshmuar misionin e saj historik. Ajo është sot, jo dhe aq një madhështi që mbështet mbi supet e saj të së kaluarës, se sa një zë i zëshëm që jehon nga zëri i zemrave dhe pasioneve që besojnë se liria e shprehjes dhe misioni i informimit meritojnë atë shpirt vullnetesh të kurajshme që mbolli dhe kultivoi në median e shkruar, “Koha Jonë”.