Sofisti më i njohur dhe me ndikim më të madh. Në kohën kur u paraqitë Protagora, në vend të debateve rreth teorive alternative të natyrës, filozofia u orientua tani drejt problemit të dijes njerëzore, duke pyetur në se është e mundur, për mendjen njerëzore, të’ zbulojë ndonjë të vertetë universale. Kjo pyetje u ndërlikua më tej nga zbulimi i diferencave kulturore midis racave dhe popujve të ndryshëm, dukë bërë që problemi rreth së vërtetes të mplekset ngushtë me problemin e së mirës. A mund të ketë një koncept universal të së mirës, në qoftë se njeriu do të ishte i paaftë të njihte ndonjë të vërtetë universale? Grupet kryesore, në këtë debat të ri, ishin sofistët dhe njeri prej tyre ishte Protagora.
Protagora në moshën 30-vjeçare zgjodhi profesionin e mësuesit, ndërsa në vitet katërdhjetë mësoi vazhdimisht në Heladë, në Sicili dhe në Italinë Jugore. Në vitin 411 u akuzua për ateizëm, kështu që u detyrua të braktiste Athinën, ku vepra e tij Mbi perënditë u dogj publikisht në shesh. Në këtë vepër, e cila ka qenë, sa dihet, libri i parë që është djegur sipas urdhëresës së një shteti, Protagora, përveç tjerash, shkruan: “Sa u përket perëndive, unë për këta nuk mund të di asgjë: as se ekzistojnë as se nuk ekzistojnë, sepse ka shumë gjëra që e pengojnë këtë njohje: si paqartësia e vetë çështjes, ashtu edhe jeta e njerëzve, e cila është aq e shkurtër”.
Protagora zbuloi tezën më të njohur të tij se “njeriu është masë e të gjitha gjërave, të atyre që janë se janë, kurse atyre që nuk janë se nuk janë”. Ky qëndrim tregon, sesi të gjitha gjërat nuk ekzistojnë absolutisht, por vetëm relativisht, domethënë në raport ndaj subjektit njohës. Çdo akt i njohjes, pra, supozon objektin vetëm si objekt i subjektit të caktuar. Në këtë mënyrë, njeriu është kuptuar si qenie e pavarur dhe e lirë, e cila vendos për veten dhe mbi botën, duke mos dëgjuar as perënditë as autoritetet njerëzore.
Teoria e njohjes e Protagores nuk është – si e shpjegonin nganjëherë -subjektivizëm dhe individualizëm gnoseologjik. Më parë mund të thuhet – sepse Protagora me thënien e tij nuk dyshon në ekzistimin objektiv të botës së jashtme – se ky është relativizëm objektiv, realist, përkatësisht “korelativizëm”.
“Njeriu është masë edhe i akteve të njohjes dhe i vlerave etike”, dhe ky qëndrim i Protagorës është bazë e gjithë sofistikës dhe fjala më e thellë, më mendore e saj, me të cilën nga problemet kozmike dhe ontologjike filozofia kaloi në periudhën e vet frytëdhënëse antropologjike.
Praktika e sofistëve e marrjes së parave për mësimet e tyre e nxiti Platonin të flasë me mospërfillje për Protagorën si “shitës i mallrave shpirtërorë”.
Duke ikur në Sicili, Protagora thuhet se gjoja u përmbyt. Përveç me filozofi, u mor edhe me të drejtën, retorikën dhe pedagogjinë.