Përkujtojmë profesor Norbert Joklin në përvjetorin e vdekjes. Më 8 maj 1942, në sa Lufta II Botërore ndizte flakë gjithë rruzullin tokësor, i mbaronte ditët në një nga furrat krematorë, me të cilat nazistët kishin mbushur Evropën, njeriu, emri i të cilit është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Shqipërinë e gjuhën shqipe: albanologu më i madh gjerman, profesor Norbert Jokl.
Studiuesi gjenial i gjuhësisë krahasuese, njohës i një mori gjuhëve të reja e të lashta të Kontinentit të vjetër, e bëri shqipen objektin themelor të punës së tij studimore. Ai qe i pari që regjistroi në magnetofon një nga të folmet shqipe, përmes tregimit të një përralle.
Emri i profesor Joklit lidhet ngushtë me dy emra të tjerë të mëdhenj të kulturës shqiptare: gjermani i madh qe mësues i profesor Eqerem Çabejit dhe i poetit të madh lirik, Lasgush Poradecit, për të mos kujtuar studentë të tjerë shqiptarë të Vjenës, me të cilët dilte çdo ditë në shëtitje në rrethinat e blerta të kryeqytetit austriak, duke rrahur gjatë rrugës problemet e çështjet më të mprehta që kishin të bënin me gjuhën, kulturën e Kombin e tyre, për të cilin Jokl mendonte se duhet t’i bashkonte të gjithë shqiptarët brenda kufijve të vet shtetëror.
Gjatë vizitës që bëri në Shqipëri, pak kohë para se të vdiste, u miqësua me shumë njerëz të kulturës dhe klerikë, me të cilët kishte filluar të lidhej përmes letërkëmbimit e faqeve të “Hyllit të Dritës” ku kishte botuar disa artikuj. Ndërsa e ndjente se rreth tij vërtitej rreziku i arrestimit dhe i asgjësimit, në valën e shfarosjes së hebrenjve nga nazistët, ai u kërkoi françeskanëve lejen të vinte në Shkodër e të strehohej, bashkë me arkivin e tij të pafundmë, në Kuvendin e Gjuhadolit. Fretërit pranuan me gëzim ta kishin në mes tyre, atë që në një farë mënyre ishte murg i dijes. Mos të harrojmë se ndërkohë në Shkodër, mbyllur në qelitë e tyre murgarë, krahas shërbimin baritor meshtarak, i sillnin shërbime të çmuara edhe gjuhës shqipe, dy murgjër të mëdhenj të shqipes, dom Ndrè Mjeda e atë Justin Rrota.
Jokli po përgatiste valixhet, kur papritmas nazistët hyjnë në shtëpinë e tij të thjeshtë, mbushur përplot me letra të lidhura me spango, që përbënin një nga skedarët më të pasur të shqipes. Atë e dogjën! Por s’munden të djegin veprat e tija më të mira, që kishin parë dritën e shtypit, ndërmjet të cilave “Mbi elementet latinë të visarit leksikor të shqipes”; “Kontribute albanologjike në njohjen e latinishtes” e sa e sa artikuj, shpërndarë në shtypin linguistik gjerman e në shtypin shqiptar të viteve ’30-’40. Ndërmjet tyre, studimi i botuar te numri i vetëm i revistës së studentëve shqiptarë të Gracit (Graz), kushtuar Naim Frashërit.
Në përvjetorin e vdekjes, profesorin e madh, Norbert Jokl, po e kujtojmë me nderim, i cili e pati për zemër çështjen e gjuhës dhe e deshi aq shumë kombin shqiptar.
(Huajtur nga Radio Vatikani)