Dy mijëvjeçarë janë të mjaftueshëm për të rrëmuar në histori dhe së andejmi për të nxjerrë paranojën e sunduesve modern, atë forcë titane që ysht ata përnga zgjerimi dhe sundimi tërësor i pushtetit, ata, të cilët duket se nuk ka asgjë t’i ndalojë në realizimin e ëndrrës së tyre për t’u bërë Zot. Nënshtrimi dhe manipulimi i turmës përmes mjeteve të rrafinuara u ofron atyre mundësinë e arritjes së ambicies. Masa e magjepsur e turmës orjentohet lehtësisht përnga ajo çfarë ky sundues kërkon për përmbushjen e qëllimeve të tij. Ai ka mësuar të bindet në vend që të guxojë të gjej një orjentim vetjak dhe mëvetësi që i duhet legjitimuar.
Në shqyrtimin dhe trajtimin e tij si një shembull që lidhet me një nga format më të tejskajshme të sadizmit, atë të një individi të frymëzuar nga pasioni i plotfuqishmërisë së tërësishme, të dëshirës për të qenë Zot, Erik From merr pikërisht Kaligulan, perandori romak. Fillimisht, mbase nuk ka ndonjë dallim kushediseçfarë nga qeniet e tjera njerëzore; por ja tek e shohim pastaj në një situatë të tillë, në të cilën bindet se është përnjëmend përtej marrëdhënieve normale ekzistenciale, pikërisht me cilësinë e të paturit pushtet të pakufizuar. Së pari ai nis të joshë bashkëshortet e miqve të tij; të cilët e dinë këtë, dhe jo pse e zbulojnë vetë, por sepse vetë Kaligula ua thotë troç në sy. E ata duhet të shkojnë tek ai, të jenë të mirësjellshëm, t’i bëjnë lajka; nuk duhet të marrin kurrë kontrollin, nuk duhet të tregohen të zemëruar e të prekur, përndryshe Kaligula i çon në vdekje. Herë njërin e herë një tjetër si t’i teket, e kjo jo thjesht sepse nuk do t’i shohë rrotull, por sepse për të vrasja është shenjë e pushtetit, shenjë e plotfuqishmërisë. Por as dhe kjo nuk mjafton për ta nginjur gjakimin e tij për sundim: tekefundja, edhe një sjellje e tillë ka kufi, dhe ja pra që lakmia e Kaligulës gjen shprehje, siç na e paraqet qartë Kamyja, në dëshirën simbolike, në dëshirën për të “pasur hënën“. Shprehje që sot mund të duket e kapërcyer, por deri disa vite më parë përdorej gjerësisht për të skicuar ëndërrimin e së pamundurës: “Dua një pushtet që asnjë qënie tjetër njerëzore nuk e ka patur kurrë më parë. Sepse unë jam i pakrahasueshëm, unë jam Zot. Dua të ushtroj kontroll mbi gjithçka e të gjithë, dua të kem gjithë çka dëshiroj“.
I shtyrë nga pasioni i kontrollit absolut, individi do të kërkojë të kapërcejë e të thyejë kufinjtë e ekzistencës njerëzore, duke qenë se joplotfuqishmëria është karakteristikë e saj. Edhe atëherë kur një individ është i pajisur me pushtet të tejskajshëm, vdekja i bën me dije se është i pafuqishëm përballë natyrës. Siç u tha, fillimisht Kaligula i vizatuar me aq mjeshtëri nga Kamyja, nuk është shumë i ndryshëm prej të tjerëve, por në fund shkalloi. E nëse ndodh një gjë e tillë, ndodh sepse njeriu orvatet të kapërcejë kufinjtë e ekzistencës njerëzore, dhe cilido luan mendsh nëse provon ta bëjë këtë e nuk di ta gjejë pastaj udhën e kthimit.
Perandori romak, Kaligula me katër vite të sundimit, që nga 37-41 pas Krishtit ka qenë ndoshta Perandori më i çuditshëm i Perandorisë Romake. Bëmat e tij ishin të tilla, të denja për ta vendosur në listën e tiranëve të historisë së njerëzimit.
Në fillim të vitit 40, Kaligula marshoi me një ushtri në Gol (Francë) dhe grabiti tërësisht banorët e atjeshëm. Ai marshoi me trupat e tij në vijën bregdetare veriore të Gol, gjë që e kish menduar si prelud i pushtimit të Britanisë, por më pas i urdhëroi që të grumbullojnë guaska deti, të cilat i konsideroi si plaçkën e oqeanit të pushtuar. Kaligula kishte manira edhe për natyrën e tij, që e mendonte si hyjnore; në verën e vitit 40, ai urdhëroi që të ngrihet një statujë e tij në Tempullin e Jeruzalemit, por pas këmbënguljes plot mirësjellje të Herodit, Kaligula e shfuqizoi këtë urdhër që bartte me vete jo pak rrezikshmëri. Popullsisë romake i kish ardhur tashmë në majë të hundës me këtë tiran të marrë dhe të paparashikueshëm… Kaligula u vra gjatë Lojërave Palatine nga Kasius Kerea, tribun i Gardës Pretoriane, Kornelius Sabinus e të tjerë. Edhe bashkëshortja e Kaligulës, Cezonia, si dhe bija e tyre u vranë.
Historitë që thonë se ai kishte ngjitur kalin e tij të preferar deri në rangun e Konsullit në Senat janë thjeshtë të pavërteta, por gjithësesi ofrojnë një ide për atë që njerëzit mendonin se ai ishte në gjendje të bënte.