Historianët, shkrimtarët dhe artistët kanë gjetur shumë paralele mes botës së Romës së Lashtë dhe kohës sonë dhe shumë shpesh historitë e Romës së Lashtë shkruhen për të shpjeguar historinë bashkëkohore.
Gratidianusi ishte një udhëheqës revolucionar i Romës që u ngrit në post publik si përfaqësues i plebenjve dhe kërkoi shpërndarjen e fermave të mëdha publike për fshatarët e pastrehë.
Spartaku njihet si skllavi që u ngrit dhe luftoi për lirinë dhe barazinë, por ky është më shumë një produkt i letërsisë së shekujve të 19 dhe 20 dhe shumë më pak një fakt historik. Shkrimtarët eksploruan historinë e Spartakut në kohën e përplasjeve të mëdha për barazi pas Revolucionit Francez dhe për të frymëzuar lëvizjet revolucionare komuniste.
Ciceroni, politikani i Romës së lashtë, u bë simbol i shtetarit që punoi për të ruajtur republikën përballë epshit për pushtet të njerëzve të ndryshëm, të cilët synuan të çmontojnë sundimin me ligje me sundimin nga njerëz të plotfuqishëm. Beteja e Ciceronit përfundoi me ngjitjen në pushtet të Jul Cezarit, i cili portretizohet nga krijimet artistike të sotme më shumë si udhëheqës i aftë dhe frymëzues sesa si diktatori që shkatërroi themelet e konstitucionalizmit, duke përdorur politikën populiste dhe duke shpërdoruar burimet publike me synimin e avancimit të axhendës së tij të fshehtë.
Perandori Adrian është bërë simbol i njeriut që u përpoq të vinte paqen duke themeluar politikën e mosndryshimit të kufijve dhe moszgjerimit të mëtejshëm të perandorisë përmes luftërave.
Historitë e aristokracisë së Romës së Lashtë, babëzisë dhe luksit të tepruar, janë bërë simbol i elitave sunduese, të cilat paraqiten mes të tjerash si seksualisht perverse, ku familja nuk ekziston si koncept siç e njohim ne sot.
Sula, Kaligula apo Neroni janë bërë simbol i ngritjes së një sundimtari në rolin e tiranit satrap, i cili pret të respektohet si një zot i pavdekshëm nga populli.
Oktavian Augusti konsiderohet si simboli i diktatorit të ndriçuar, i cili sundoi i vetëm dhe shumë gjatë, por me këtë vendosi paqen dhe rregullin pas shumë dekadash trazirash.
Katilina u bë simbol i vrasësit maniak, i cili jo thjesht i vriste armiqtë e vet, por i copëtonte trupat e tyre në mënyrë simbolike. Ai konsiderohet vetëm si ekzekutor, i cili, kur ngriti krye me tepri kundër paguesve të tij në këtë rol, përfundoi gjithashtu i ekzekutuar.