Jeta e tij, as fama që përftoi nuk ngjason me të askujt tjetër. Fëmijëria gjiashtu dhe të shterrurit e jetës më 21 prill 1910 mbeten të pamëshirshme. Gjithçka në këtë puls të letërsisë amerikane dhe botërore është e gjëmimtë. Vështirësitë dhe vuajtjet, aventurat dhe skizmat e fatit e mbrujtën me ithtim e helm këtë identitet, por pa mundur t’i ndryshojnë shijen, atë… paksa të athët, por të vetvetishme, që ai mëkoi në gjithë itinerarin e tij krijues 74-vjeçar. Me një sens humori të jashtëzakonshëm dhe një frymë tejet të sinqertë rrëfimtarie, ai do të mbetej një nga penat më të admirueshme. Aventurat e tij janë një grishje për çdo nevojë tonën për të qenë veprues dhe të shkujdesur, për ta ndjer veten gjithnjë fëmij që zotëron magjinë e rrokjes së përmasave të asaj lirie që do të na mbante gjithnjë trup e shpirt në fluturim.
Shkrimtari i shquar amerikan Mark Tuen u lind më 30.11. 1835 në Hanibël, në një qytet të prapambetur dhe të harruar të shtetit Florida Misuri (SHBA). Emri i tij i vërtetë është Samuel Le(a)nghorm (Le(a)nghorme) Klemens.
Pseudonimi i tij: Mark Tuein, është parulla, që përdornin vite më parë pilotët e anijeve në lumin Misisipi, e që do të thotë: “Çdo gjë në rregull, cektësi nuk ka, udhëto i qetë me anije”.
Samuel Klemens (emri i vërtetë) zgjodhi këtë parullë për pseudonim, sepse vitet e rinisë, kur ishte pilot anije në Misisipi, ishin vitet më me kujtime në jetën e tij, të cilat më vonë do të kishin reflekse pasqyruese në krijimtarinë letrare.
Marku kaloi një fëmijëri të hidhur. Edhe pse e tillë kjo fëmijëri, deviza e tij ishte: Fryma e Lirisë që mbart Bota e Madhe, e cila u bë udhërrëfyese, dhe la shenjat e saj, të parat që u shfaqën ishin pikërisht te kjo fëmijëri, – siç thuhet e komentohet edhe në shënimet e biografëve. Pastaj shenjat u kthyen në modele, dhe qenë nëna e babai i Samuelit. Ai mori anën e të atit, që ishte një njeri i emancipuar, e që kishte studiuar për avokaturë. Çuditërisht, vite më pas, Samueli do të kishte të njëjtin fat si i ati; do të bënte punë nga më të ndryshmet, të cilat shpesh do t’i humbnin edhe buzëqeshjen. Kështu… me vdekjen e të atit, Samueli 12-vjeçar do të fillonte “Universitetin e Jetës”, siç e thamë: me një seri zanatesh. Por jetën e vërtetë bredharake, kishte fatin ta njihte e para, si një start: mosha 18 vjeçare. Samueli-Mark punoi si: shitës gazetash, ndihmës i të vëllait që kishte krijuar një gazetë të vogël lokale, ku boton satirat e tij të para; dhe më pas tipograf në bregun e Atlantikut e në perëndimin e mesëm (SHBA), pastaj tre vjet pilot anijesh në lumin Misisipi, pastaj gërmues argjendi në Nevada, pastaj gazetar në bregun e Paqësorit në San Francisko. Udhëtoi në Francë dhe Itali. Ishte tipi i shkrimtarit, që udhëtonte shumë dhe temat, të cilat i trajtonte me mjeshtri dhe kulturë, kishin të bënin me rendjen drejt Lirisë. Më vonë boton një libër me anekdota e tregime në Nju Jork. Kjo shkollë e ashpër e jetës i mësoi Samuelit-Mark qysh në moshë të re shumë gjëra dhe në memorie i la shumë vijëzime. Përshtypjet dhe mbresat e viteve të rinisë në punë dhe midis njerëzve të punës, u bënë themel i shëndoshë në formimin e paepur e mosnënshtrues të karakterit të Mark Tueinit.
I shëtituri Mark Tuein martohet me Olivia Langdon në vitin 1870, pasi i kishte shkruar asaj 189 letra dashurie. Nis një jetë e qetë familjare. Për 20 vite në qiellin e letërsisë botërore për fëmijë e të rinj, do të ndrisin plot yje, fryte të një krijimtarie të lavdishme. Në këtë periudhë kohore, ata të dy Mark e Olivia do të ndërmerrnin udhëtime, ndërkohë që Tueini shkruante pa pushim. Shkruan “Aventurat e Tom Sojerit”, një nga veprat e tij më të njohura në botë. Më pas do të shkruaj “Hakleberry Fin”, një odise amerikane, që u konsiderua si roman për të rritur, por më pas nga popullariteti i madh, u bë libri më i preferuar i fëmijëve në të gjithë botën.
Udhëtoi gjithashtu në Zelandën e Re, Australi, Indi dhe Afrikën e Jugut.
Mark Tueini vdiq më 21 prill 1910, në moshën 74 vjeçare, pas shumë peripecive financiare dhe disa fatkeqësive në familje.
Gjatë kohës që ishte në udhëtime, Suzi, vajza e tij më e dashur, u sëmur e vdiq në Hardfort, në vitin 1896. Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo fatkeqësi që e dërmoi shkrimtarin. Vdekja e gruas, Olivia, në vitin 1904 në Firence, si dhe e vajzës së tij të dytë, e zymtësuan akoma më tej jetën e shkrimtarit, i cili edhe më parë, siç del nga shënimet në autobiografinë e tij e botuar pas vdekjes në 1916 e më pas në 1924, kishin qenë plot tramvaje.
Gjatë jetës së tij shkroi 28 libra, si dhe tregime të shumta të shkurtëra, letra dhe skica.
Shtëpia e tij e fëmijërisë është e hapur për publikun si një muze në Hanibë(a)l. Vendet ku ka jetuar e plot shëtitore hijeshojnë nga bustet e Tueinit, si dhe disa rrugë kanë marrë emrin e tij. Vendet, të cilat Mark Tuein i bëri të pavdekshme në librat “Aventurat e Tom Sojerit” dhe “Aventurat e Hakëlberi Finit”, ruhen nga muzeumi. Shtëpia, ku Marku pati jetuar tërheq turistë nga e gjithë bota, ashtu sikurse gardhi i lyer me gëlqere të bardhë, që personazhi i tij, Tom Sojeri, e leu me përtesë.
A kishte “sekrete” Mark Tueini? Patjetër që po. Është një testament që flet edhe në heshtje… Janë shënime biografike të titulluara “Në kujtim të Olivia Susan Clemens” – dhe më vonë të quajtura “Skicë familjare”. Këto shënime, në të vërtetë, janë një panegjirik plot pasion e dhembje të Mark Tueinit për vajzën e tij më të madhe Suzi, e cila vdiq nga meningjiti në shtyllën kurrizore, në moshën 24-vjeçare. Aty del në pah një tjetër stil, krejt ndryshe prej librave të tij, që janë plot aventura e dritë. Ai në ato shënime përpiqet të ravizojë portretin e vajzës së dashur. Ja, si e përshkruan në disa pasazhe: “Ajo ishte një reflektim i ndjenjave dhe ato ishin të të gjitha llojeve: trishtim zemërimi, pendim, stuhi, diell, shi, errësira – ata ishin të gjithë aty. Ata shfaqeshin për një moment dhe iknin po ashtu aq shpejt. Në të gjitha veprimet ajo ishte intensive: kish një karakeristikë të veçantë, nuk ishte një shkëlqim i thjeshtë që jep ngrohtësi, por një zjarr që furishëm vetëdigjet.”
E bija e vetme e mbetur gjallë pas vdekjes së shkrimtarit Tuein, Klara jetoi deri në moshën 88-vjeçare dhe kishte vetëm një vajzë. Vajza e Klarës ka vdekur pa pasur ndonjë fëmijë, kështu që nuk ka më asnjë pasardhës të drejtpërdrejtë të Mark Tueinit.
Ndoshta shkrimtari gjenial, Babai i Letërsisë moderne amerikane, nuk e kishte parashikuar kështu zhdukjen e genit të tij, çfarë për fat të keq ka ndodhur me pjesën më të madhe të gjenive të kësaj bote, që në vijë gjenealogjike janë djegur e shuar plot shkëlqim si meteorë.