Harrimi nuk mund ta përpijë një emër si Eleonora Duse, përjetësia e së cilës është skalitur në memorien e një arti që nuk i kanë munguar korifejt. Ajo konsiderohet si më e madhja aktore italiane e teatrit të traditës. Sot kur galerinë e mbretërimit skenik e popullojnë emra të pafund, mbetet tepër e vështirë të dilet në një konkluzion të tillë, por dukshëm këtij emri i ofrohet një gjithëpranim. Ajo u ngjit në skenën italiane për t’u shndërruar në një ikonë. Gjithçka që arriti deri në panteon është një ngulmi i një sakrifice të paepur dhe gufimi i një shpirti të etur për zjarrin e vërshimeve sfiduese. Nuk kishte asgjë ta ndalonte këtë grua vullnetesh titane. E pamundura nuk mund të gjunjëzonte atë energji qëllimesh çfarë e hovte peshë.
Eleonora Duse u lind më 3 Tetor 1858 në Vigevano, Lombardia. Vdiq nga pneumonia në moshën 65-vjeçare, më 21 Prill 1924 në Pittsburgh në Suite 524 të Hotel Schenley, SHBA . Duse ishte një aktore e famshme italiane, madje konsiderohet si një nga aktoret më të mëdha të të gjitha kohërave të tetrit të traditës. Duse ishte temë e filmit biografik të 1947, Eleonora Duse.
Ajo ishte një vazhduese e testamentit skenik të familjes së saj. Të dy, babai dhe gjyshi ishin aktorë, dhe ajo i’u bashkua kësaj sfide familjare që në moshën 4-vjeçare. Për shkak të varfërisë, Duse fillimisht ka punuar shumë dhe pa ndalim, duke udhëtuar nga qyteti në qytet me cilindo trupë që familja e saj ishte aktualisht e angazhuar. Ajo u bw e famshme në versionet italiane të roleve të të famshmes Sarah Bernhardt .
Eleonora Duse fitoi suksesin e saj të parë të madh në Evropë, pastaj vizitoi Amerikën e Jugut, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara; duke filluar turneun si një e panjohur, por duke lënë pas një njohje të përgjithshme falë gjenialitetit të saj. Ndërsa ajo e bëri karrierën dhe famën me të ashtuquajturën “teori e kuqe” teatrale të asaj kohe, aktualisht ajo ruhet në kujtesë më shumë për lidhjen e saj me dramat e Gabriele d’Annunzio dhe Henrik Ibsen. Në lidhje me karakterin e aktores, Eleonora Duse, ajo që mbetet e rëndësishme të theksohet është se leximi ishte një nga pasionet që e ndoqi përgjatë gjithë jetës.
Më 30 korrik 1923 Eleonora Duse u bë gruaja e parë italiane që u shfaqën në kopertinën e revistës së sapolindur, prestigjozes “Time” . Për të njohur më mirë Eleonora Duse ne mund të parakalojmë nëpër disa episode nga jeta dhe krijimtaria e saj skenike.
NGA JETA E AKTORES
*** Që fëmijë Eleonora Duse ishte shumë e lëvizshme dhe prindërit e saj thonin:
-Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme te rrëmbimi i saj, ka lindur më 1859 dhe ka luftën në qënien e saj. Kujtojmë se në këtë vit shënon Lufta e dytë për pavarësi e Italisë. U luftua nga Perandoria franceze dhe Mbretëria e Sardenjës kundër Perandorisë austriake, luftë e cila luajti një rol të rëndësishëm në procesin e bashkimit italian.
*** Babai i Eleonora Duse e dashuronte shumë gruan e tij. Kur ajo vdiq në mjerim të madh, ai nuk gjeti dot ngushëllim. Pak ditë pas kësaj vdekjeje i erdhi një letër prej një avokati. I bëhej e ditur se i kishte vdekur një kushëri i largët pa bërë testament, kështu që një pjesë e trashëgimit i takonte atij.
– Shumë vonë, – tashmë – thirri me ton shpërthyes për fatin e tij, – kjo shumë do ta shpëtonte gruan time ose të paktën do t’i kishte bërë më të mira ditët e fundit të jetës së saj. Tashti nuk di më se çfarë të bëj me këto para, prandaj nuk po i pranoj.
Ai i shkroi noterit që t’ua jepte të gjitha paratë të afërmeve të tjerë.
Duse e vogël e përjetoi me gojën mbyllur atë skenë, shikoi veshjen e saj të varfër dhe nuk guxoi të tërhiqte vëmendjen e të atit për të lehtësuar mjerimin e tyre.
*** Eleonora Duse recitonte në grupin teatral që drejtohej nga Lui Pecana. Një ditë gjatë provave drejtori e ndërpreu Duse:
– Kjo batutë, – i tha, nuk shkon kështu si e thoni ju.
Po jua tregoj unë sesi duhet bërë.
Dhe e përsëriti batutën në mënyrë të atillë që ia ndryshoi krejt kuptimin. Mirëpo. Duse nguli këmbë se kishte ajo të drejtë. Tjetri duke e ndjerë veten të fyer u bë si i tërbuar dhe i tha:
– Po përse vazhdoni të punoni si aktore? Nuk e kuptoni, pra, që kjo nuk është bukë për dhëmbët tuaja? Zgjidhni më mirë, një zanat tjetër!
Eleonora Duse do të donte t’i përgjigjej me të njëjtën gjuhë, por e gëlltiti zemërimin.
*** Duse kishte luajtur role të dorës së dytë dhe nuk kishte arritur të vinte më mirë në dukje talentin e saj. Një mbrëmje në shoqëri me aktoren e madhe Zhiaçinta Pecanal, e cila nuk deshi të luante në rolin e plakës në dramën, “Tereza Rakuin”. Rolin më të vështirë i’a lanë Duse ndërsa tjetrin e luajti Xhiançinte Pecana!
Duse, gjatë provave luajti keq dhe nuk guxoi t’i ngrinte sytë përpara Pecanës. Natën e shfaqjes, e rrëmbyer nga zjarri i papërmbajtur dhe nga pasioni, e ngriti ballin lart. Ky ishte një zbulim dhe Pecana u habit dhe nuk i besonte syve. Ishin që të dyja të mrekullueshme sa që publiku nuk ishte në gjendje të dallonte se kush e luante më mirë rolin.
Atë mbrëmje lindi aktorja më e madhe e teatrit italian të traditës, Eleonora Duse.
*** Në Torino ishte një grup teatral me Çezar Rosin i cili duhej t’i linte vendin në teatër, Sara Bernardit. Ky grup do të luante pjesë të ndryshme. Entuziazmi i publikut për aktoren e madhe franceze, Sarën, ishte i tillë sa që Çezar Rosi nguronte ta fillonte shfaqjen e tij. Më në fund, por jo për t’iu kundërvënë publikut ose për të bërë krahasim, vendosi të vinte në skenë një komedi të vjetër italiane. Por Duse nuk pranoi.
– Dua të luaj “Princeshën e Bagdatit” – nguli këmbë ajo.
– Po nuk mendoni pak? Përpara jush ka luajtur një kolose e artit si Sara Bernard?
Mos doni t’u fishkëllejnë?
Eleonora Duse ishte e patundur.
– Më lejoni të luaj “Princeshën e Bagdatit”, ose unë po iki.
– Po ku do të shkosh?
– Nuk e di.
Në fund ia doli mbanë dhe luajti duke korrur sukses të padiskutueshëm,”Princeshën e Bagdatit”.
*** Eleonora Duse jetonte vetëm për skenën. Koha tjetër që mbetej ishte një pritje ose pushim deri sa të merrej me teatrin.
Në skenë kishte një kujdes të përsosur për mbajtjen e vetes. Zor se mund t’i gjeje një fije floku të ngatërruar. Në rrugë, përkundrazi për anën e jashtme ishte e pakujdesshme. Këtë e bënte se nuk i jepte asnjë rëndësi gjykimit të njerëzve, kur ata nuk ishin në teatër.
*** Sa e përzemërt edhe po aq kundërshtare ishte Eleonora Duse për fjalët dhe gjestet e mirënjohjes. E bënte të mirën dhe ikte me të shpejtë pa pritur kohë të merrte falënderime. Kur u largua nga Firence, për të jetuar përgjithnjë në Romë, i dhuroi marangozit të saj disa tryeza tualeti që ishin shumë të kushtueshme e plot sende të tjera të çmueshme.
*** Një kolegu i Eleonora Duse u habit, kur ajo i vajti në shtëpi me një veshje të keqe sa që dukej edhe e shëmtuar. Hoqi syzet, ngriti kokën lart, u ndryshua në mënyrë të çuditshme dhe tha:
– Miku im, unë jam e bukur kur dua vetë.
*** Kur e pyetën Eleonora Duse, se cili ishte vendi më i parapëlqyer prej saj, ajo u përgjigj me një buzëqeshje kuptimplote: “Udhëtimi”.
*** Duke vizituar studion e Rodenit, Eleonora Duse, u mahnit përpara bustit të Françeskës. E frymëzuar dhe e emocionuar nga përfytyrimi dantesk, që bënte pjesë në grupin skulpturor “Porta e ferrit”, aktorja e madhe nisi të recitonte me zë të lartë vargjet e Dantes. Rodeni u frymëzua për skulpturat e tij të mëdha: “Dhimbje” dhe “Trishtim”.
*** Një kritik, që e kishte acaruar me artikujt e tij, donte të pajtohej me artisten e madhe. Shkoi një ditë në dhomën e saj të vogël dhe pa i thënë asnjë fjalë, i nxori një degë ulliri përpara. Duse nuk kërkoi asnjë shpjegim, i shtrëngoi dorën dhe pa folur i dha dy trëndafila.
*** Në fillim të karrierës së saj Eleonora Duse ishte e dobët fizikisht. Një mbrëmje, kur po shkonte në teatrin e Torinos për të interpretuar një rol, zuri një shtrëngatë shiu që e bëri qull.
– Çfarë ka ndodhur? – tha drejtori.
– Ah, sikur ta dini? Një përmbytje e vërtetë. Më ka hyrë ujë deri në kockë.
– Me siguri shiu nuk ka bërë rrugë të gjatë për të arritur deri atje, – i tha një koleg duke qeshur.