E para ishte që të mos pranoj kurrë për të vërtetë asgjë që të mos e njoh dukshëm si të tillë; domethënë të shmang me kujdes nxitimin dhe paragjykimin, dhe të mos ndërthur në gjykimet e mia asgjë më tepër nga ajo që i paraqitet mendjes sime aq qartë e dallueshëm, saqë të mos më lërë asnjë rast për dyshim.
E dyta, të ndaj çdonjëren prej vështirësive që do të më dalin përpara për shqyrtim, në aq pjesë që mund dhe duhet të ndahem për t’i zgjidhur më mirë.
E treta, të udhëheq me rregull mendimet e mia, duke u nisur nga sendet që janë më të thjeshta dhe më të lehta për t’i njohur, e duke u ngjitur pak e nga pak, si në një shkallë, gjer në njohjen e sendeve më të ndërlikuara, duke marrë me mend madje se ka një rregull edhe në mes të sendeve që nuk vijnë natyrshëm njëra pas tjetrës.
Dhe e fundit, të bëj kudo analiza aq të plota dhe rishikime aq të përgjithshme sa të jem i sigurt se nuk është lënë asgjë jashtë.
Këtë zinxhirë të gjatë arsyesh kaq të thjeshta dhe të lehta, që i përdorim zakonisht gjeometrat për të arritur në vërtetimet e tyre më të vështira, më kishin dhënë rastin të përfytyroj se të gjitha gjërat që mund të rastisin të njohin njerëzit, vijnë njëra pas tjetrët po në atë mënyrë dhe se, po të mos merret si e vërtetë asgjë që nuk është e tillë, dhe po të ruhet radha që duhet për të nxjerrë njëren nga tjetra nuk do të jetë asgjë kaq e largët sa të mos arrihet dot. Dhe unë nuk u mundova shumë për të kërkura se nga ç’gjëra duhet të filloja, sepse e dija se duhet të nisja nga më të thjeshtat e më të lehtat dhe, duke marrë parasysh se, midis gjithë atyre që kanë kërkuar gjer tani të vërtetën në shkencat, vetëm matematikanët kanë mundur të gjejnë disa vërtetime, domethënë disa arsye të sigurta e të dukshme, nuk dyshova aspak se duhet të nisja po nga ato gjëra; sado që nuk shpresoja ndonjë dobi tjetër, veç asaj se ato, se do të ma mësonin mendjen të ushqehej me të vërteta dhe të mos kënaqej me arsey të rreme.