Ende sezoni i pushimeve është larg, por magjia e blusë së thellë, me të cilën krijuesi ka pikturuar këtë tabllo të natyrës tonë bregdetare është e tillë që do të bënte të marrosej çdo ëndje, të dehej çdo lakmi koloriti.
Në gjerdanin e mrekullisë së bregdetit shqiptar, Dhermiu është padyshim një prej gurëve më të shndritshëm. Tash kur zemërata e verës është në densitetin e saj më të lartë, e kur të gjithë mësyjnë detin për ti bërë sfidë kësaj vape tekanjoze, natyrshëm që në preferencialet e shumë prej bujtësve të bregdetit, është Dhermiu. Bluja e thellë e detit është një pamje që të magjeps. Kur ajo shihet prej lart, nuk është një pamje që ka të ngjarë ndër simotrat e tjera. Kthjelltësia dhe thellësia e ujit i jep të kaltrës një ton disi më të athët. A nuk do të ishin më të shijshme për shumkënd frutat majahosh, tamam si kjo e kaltër deti në Dhermi. Dita nis, vazhdon dhe bashkohet më natën nën një perëndim që rrëzohet mbi syprinën valëzuese të detit, për të shtuar edhe më shumë kësaj mrekullie të rivierës shqiptare, bukurinë. Nëse nuk e besoni se kjo mrekulli është e vërtetë, ngulmoni drejt kureshtjes dhe përballuni me këtë perlë të rivierës së jugut. Vija e bregdetit shqiptar fal gjithnjë befasi të tilla në të gjithë gjatësinë që përshkon. Stina e pushimeve ka pak që ka nisur dhe Dhermiu, natyrshëm për shumë admirues të bregdetit është destinacioni i preferuar. Le të jetë kjo magjepse, që kumton kjo e kaltër e thellë e detit, kjo bukuri joshëse, ky frut majahosh i ëndjes tonë për të shijuar të veçantën, dashuria e kësaj vere.
Pak histori
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, ku ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tre lagje: Hondraqi, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogaraja ; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Hondraq. Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në vëri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrativë Dhërmiu bën pjesë në Bashkinë e Himarës, krahinën e Himarës, rrethi i Vlorës.
Skyscanner: Dhërmiu mes 20 plazheve më të bukura të Europës
Kompania e njohur britanike e udhëtimeve Skyscanner e themeluar në vitin 2003 dhe që punëson më shumë se 700 persona ka detajuar një listë me 20 plazhet më të mira të Europës, që sipas tyre: “vendasit nuk do të donin t’jua tregonin”. Mes tyre dhe më saktësisht në vendin e 17-të gjendet edhe Shqipëria me plazhin e Dhërmiut.
“Jeni duke planifikuar pushimet në bregdet, kërkoni një destiancion të qetë ku nuk ju duhet të ‘luftoni’ për të vendosur një çadër? Apo jeni në kërkim të një vendi që t’ju tërheqë dhe t’ju mbajë larg nga monotonia e deritanishme?
Është koha të nisni planifikimin dhe për këtë ju vjen në ndihmë një listë me 20 plazhe sekrete përgjatë Europës, për të cilat ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë më parë’, shkruan Skyscanner.
Listën me 20 plazhet sekrete të Europës e kryeson Italia me një plazh në Korsikë (Plage de Saleçia), më pas renditet plazhi Cala de sa Forcanera në Spanjë, më saktësisht një orë larg Barcelonës e që mund të arrihet me kajaki.
Në vendin e tretë, kompania britanike rendit Anamur (Iskele) në Turqi dhe që mund të gjendet lehtësisht pasi është shumë afër me Antalian. Në vendin e katërt dhe të pestë gjenden përkatësisht dy plazhe në Britani dhe në Skoci. Plazhi i Dhërmiut në Shqipëri renditet në vendin e 17-të. Ja sesi e përshkruan Skyscanner këtë plazh: “Nuk keni dëgjuar më parë për Rivierën shqiptare? Duhet ta kishit bërë. Në të një ardhme jo shumë të largët këto brigje do të kthehen ne një destinacion të lakmuar për britanikët që janë në kërkim të destinacioneve me plazhe të virgjëra dhe pushimeve plot diell. Udhëtimi në Dhërmi nuk është edhe aq i thjeshtë sepse do t’ju duhet të përballeni me kalime nëpër mal që kërkojnë nerva të qeta, megjithatë gjithçka do t’ia vlejë kur të arrini atje.
Si mund të shkoni? Mund të udhëtoni me autobuz nga Tirana ose të merrni me qira një makinë”, shkruan Skyscanner. Përpara Dhërmiut, kompania britanike rendit plazhin Saharun në Kroaci, ndërsa në vendtin e 18-të gjendet Dune du Pyla në, Francë. Renditjen e mbyll plazhi i Cala Xarraca në Spanjë, nje tjetër mrekulli e ‘fshehur’.