Mjaft shpejt botën e ngjyrave, jetës dhe dritës në barrierën e madhe të koraleve në Australi do ta zëvendësojë bruzëtia. Jeta dhe ngjyrat, drita dhe larmia duket se kanë nisur të marrin “arratinë”. Jeta nuk po tregohet aspak bujare për këtë magjepsje të nënujshme. “Hakmarrja” e pamëshirshme e ndryshimeve klimaterike dhe e një ser faktorësh kanë bërë të mundur që kjo pasuri e njerzimit të vijë duke u fashitur dhe duke marrë rrugën e agonisë.
Barriera e madhe koralore në Australi është ndër barrierat më të mëdha në botë e cila tërheq mijëra vizitorë cdo vit por mesa duket gazi dhe qymyri, ndryshimi i klimës dhe një lloj ylli deti shkatërrues po bën që ajo të zhduket. Kërkimet e bëra nga Instituti Australian i Shkencave detare në barrierën e madhe korale u pikas humbja e gjysmës së koraleve në më pak se një gjeneratë. Globalisht, shkëmbinjtë nënujorë po sulmohen nga kërcënime të panumërta, temperaturat në rritje sidomos në dete, aciditeti në rritje në oqeane dhe stuhitë e fuqishme që përbëjnë një kërcënim për barrierat koralore. Nga kërkimet e bëra nga shkëncëtarët u gjet që dëmet e ciklonit kanë shkaktuar humbjen e gjysmës së koraleve, ndërkohë që një pjesë e tyre është dëmtuar nga yjet e detit dhe nga ngrohja globale.
Sipas parashikimeve të ekspertëve shumë shpejt kjo pasuri e nënujshme nuk do të jetë më ajo mrekulli që ka magjepsur studjuesit e koraleve dhe kundruesit në dokumentare televizive. Gjasat që kjo tashmë do të jetë vetëm një memoare është shumë e madhe dhe e mundshme. Tashmë shkatërrimi ka nisur. Fundi i kësaj mrekullie të natyrës është i parathënë. Kjo magji shumëngjyrëshe po shuhet, duke lënë nga pas një botë nënujore të vakët, të ftohtë dhe të errët. Faktorët që kanë çuar në këtë shkallë shkatërrimi të koraleve, janë faktorë që drejtpërdrejtë nuk kanë të bëjnë me njeriun, se sa kanë të bëjnë me ciklin e ekzistencës dhe përballjet që çdo gjë e gjallë është e destinuar të ballafaqohet.