Me largimin e ushtrive normane (1108), sundimi bizantin u rivendos vetëm në krahinat e Shqipërisë së mesme e të jugut. Tokat e Shqipërisë veriore prej Drinit e përpjetë mbetën akoma për disa kohë nën sundimin e feudalëve serbë të Zetës.
Sulmet e normanëve dhe rreziku që këto sulme mund të përsëriteshin, e shtuan rëndësinë e themës së Durrësit për mbrojtjen e Ballkanit nga ana e perëndimit. Tani kur Bizanti kishte humbur zotërimet e veta në Itali dhe një varg krahinash në Azi të Vogël. Ballkani kishte marrë një rëndësi të veçantë për të. Prandaj strategëve të Durrësit i u ngarkua detyra të drejtonin politikën bizantine në Italinë e jugut dhe ndaj shtetit të Dioklesë. Në shek. XII edhe pozita e strategut të Durrësit u rrit, ai tani mbante titullin “dukë i gjithë perëndimit”.
Në fillim të shek. XII grindjet e brendëshme që plasën në Diokle i dhanë mundësi Bizantit të nënshtronte deri diku feudalët serbë. Duka i Durrësit i futi ata përsëri nën vartësinë e vet. Në këtë mënyre krejt Shqipëria hyri përsëri nën sundimin bizantin.
Pak më vonë, filloi të rritej fuqia e feudalëve serb të krahinës së Rashës, rreth Novipazarit të sotëm. Me sulme të vazhdueshme ata u përpoqën të shkëpusnin nga thema e Shkupit tokat pjellore të Kosovës por u thyen më në fund nga duka i Durrësit, Joan Komneni.
Rreth mesit të shek. XII Shqipëria pësoi përsëri një inkursion nga normanët. Më 1143, flota e Rozherit të Siçilisë, mbretit të normanëve plaçkiti dhe shkretoi një varg qytetesh të bregdetit shqiptar. Por, me ndërhyrjen e ushtrive të themës, ajo u tërhoq përsëri në Itali.
Gjatë sundimit të perandorit Manuel Komneni (1143-1180), kufijtë e Bizantit u zgjeruan edhe më tej. Në vitin 1160, pas fitoreve të korrura kundër Hungarisë, Manuel Komneni nënshtroi tokat e Zetës dhe të Rashës, dhe e shtriu sundimin bizantin deri thellë në Dalmaci, deri në qytetin Spalato. Tokat e Shqipërisë veriore bashkë me qytetet e Dalmacisë jugore formuan tani një themë më vehte, themën e Dalmacisë, në krye të së cilës qëndronte një dukë me qëndër në Shkodër dhe më vonë në Kotor.
Me gjithë fitoret ushtarake, Bizanti nuk mundi ta vendoste plotësisht sundimin e vet në tokat e Ballkanit. Përkundrazi lufta e shpeshta e lodhën perandorinë dhe e zhytën përsëri në një krizë politike. Kjo u duk menjëherë pas vdekjes së Manuel Komnenit (1180), kur në Bizant plasën grindje për trashëgimin e fronit midis familjeve feudale bizantine.
Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase (arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë e më të dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të vendoste një kontroll të fortë në provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh, forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre marrëdhënieve të reja përbën në këtë kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes. Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj.
Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në një organizim të ri administrativ në këto treva, në atë të themave.
Dihet se regjimi i themave, ose i provincave ushtarake, filloi të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët etj.
Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë etj. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në Themën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë përbërëse të Themës apo në sektorët me rëndësi të posaçme strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore.
Në shek. X në krye të Themës së Durrësit gjejmë një katepan që kishte në juridiksion edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek. XI komandanti i Themës së Durrësit thirret tashmë me titullin dukë.
Organizimi i ri i themave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).
Themelimi i Themës së Durrësit bie me siguri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë, në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.
Juridiksioni i Themës së Durrësit shtrihej prej Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë kuadrit të Themës së Durrësit, u përfshinë në themat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto thema u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek. XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore u krijua një themë e re, qendra e së cilës ishte Shkupi.
Thema e Durrësit ishte në qendër të sistemit mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit. Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe forcat ushtarake të themave fqinje, përfshirë ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë së themës përmblidhej brenda kufijve të themës përkatëse. Por, në raste të veçanta, ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë së themës dërgoheshin të vepronin edhe në fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Thema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin në Italinë e Jugut.
Një karakteristikë dalluese për themën e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e themës bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë vendase luanin një rol të rëndësishëm duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin komandant i ushtrisë së Themës së Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste të rëndësishme në administratën e Themës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.
Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e Themës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban), me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen kryesore të Themës së Durrësit. Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Themës. Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të quhej “Thema e Durrësit dhe e Arbrit”. Një emërtim i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të themës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.
Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare.
Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.
Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit, por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni, Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin një strukturë të veçantë, që dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë Bizantine.