Nga Albert Vataj
Ai mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe përpëlitej në mëdyshjet e transformimit.
Ishte shekulli XVIII, e përfshirë nga shtjella historike më rrapëllitëse që koha kishte hedhur si një shtërngatë egrashe mbi kokën e poetit rebel dhe kritik fin, Sharl Bodler. Një jetë me fëmijëri të cergët, e cila do të zbonte më pas një rini dhe në tansi, një kapërcyell mes njeriut dhe artistit, plot vese të Bodlerit. Ishte Franca, padyshim ajo e artit avangard dhe e mendimit iluminist, e kolosëve të letërsisë, mbi tabanin e të cilit po ngrihej një sistem vlerash dhe shijesh estetike, ku ai kryerendte.
Ai s’ ish veç shtate vjeç kur e ëma e tij e ve u rimartua me gjeneralin Aupick, një lidhje kjo të cilën ai s’do ta pranonte kurrë gjatë gjithë jetës. I vendosur fillimisht në një pension në Lion, Bodler studioi më pas në liceun “Louis-le-Grand”, në Paris ku, mbi të gjitha u “shqua” për mungesën e disciplines, e për pasoje u përjashtua prej tij, në prill 1839. Megjithatë ai e mori “diplomën e maturës” e pas kësaj, nisi te endet neper Paris, duke bërë një jetë prej “bohemi”, gjë e cila zgjati deri më 1841, datë kur njerku i tij i shqetësuar për të, si edhe për t’i dhëne fund aventurave, e shtrëngoi dhe e hipi me force ne anijen “Paquebot des Mers du Sud”, për ta çuar sa më larg e pikërisht në Inde. Por, kjo përpjekje e dëshirë e njerkut s’u realizua sepse Bodler, gjatë rrugës, zbriti në ishullin Bourbon, i cili do linte gjurmë të thella në botën e tij rinore, e në mënyrë të veçantë në përfytyrimet e tij ekzotike, temë kjo mjaft e dëshiruar dhe e lëvruar prej tij, në krijimtarinë e mëvonshme. Kur u kthye prej atij udhëtimi, Bodler, do të zbarkonte me vete në Paris edhe poezitë e para të vëllimit te tij “Lulet e së Keqes”, e mes tyre edhe një te titulluar “Një zonje kreole”. Kjo ndodhi e udhërrëfyer fakti se pak para kthimit të tij në Paris me 1842, ai u njoh me kreolen e bukur Jeanne Duval, e cila u bë edhe “Venusi i zi” i veprës se tij poetike, mishërimi i gruas ekzotike, sensuale e të rrezikshme, të cilën ai e dashuroi gjatë, edhe pse marrëdhëniet mes tyre ishin vazhdimisht plot “stuhi” e dhimbje. Kjo lidhje, në fakt, s’e pengoi atë të mos hidhej kurmet epshore të femrave të tjera. E pikërisht me Marie Daubrun, me 1847 dhe zonjën Sabatier, më 1852. Me ketë të fundit, Bodler përjetoi ndjenja vërtetë të jashtëzakonshme, të cilat, atë mrekulli femërore do ta kthenin në një “figurë qendrore shpirtërore”, e cila do të ishte, në të njëjtën kohë e “Muza e Madona” e vëllimit poetic. Ndërkohe, poeti i ri, kërkoi që të gëzonte trashëgiminë e atit te tij të vdekur e, me të fituar pjekurinë për ketë punë, me 1842 – mori edhe një shume te mirë të hollash e nisi te beje një jete prej pispilluqi, duke frekuentuar hotele, restorante e bare të kushtueshme, e duke mos mbaruar së bleri plot sqime, veshje elegante për gardërobën e tij te hijshme. E, jo vetëm kaq, por edhe të blejë vepra të kushtueshme arti, e të nisë eksperimentimin e përdorimit te alkoolit e opiumit.
Kjo mënyre jetese e shfrenuar bëri që trashëgimisë ti vinte fundi. Për të shmangur katastrofën e plotë, njerku dhe e ëma, benë atë që donin, pra e vendosen nën tutele gjyqësore, gjë e cila do të thoshte se, pas kësaj, djaloshi dorëlëshuar s’do të mundte të bënte harxhime pa hesap, por të jetonte e dëfrente duke punuar vetë. Dhe qe pikërisht nevoja për te holla qe e shtyu Bodlerin të shkruante nëpër gazeta për të shëndoshur disi ekonominë e tij të “holle”. Shkrimet e tij të para, ishin të natyrës kritike arti, po ashtu, ai nisi te botoje aty-këtu, edhe disa poezi të cilat do bënin pjesë me pas në “Lulet e së Keqes”, esse letrare e estetike si dhe novelën Fanfarlo-1847. Më 1848, ai nis përkthimin e veprës së autorit amerikan Edgar Allan Poe, tek i cili Bodleri shihte “vetveten”. Me pas, në vazhdim, ai nxjerr në dritë krijime të tjera si: “Tregime të jashtëzakonshme”-1854, “Histori të jashtëzakonshme”-1856, “Histori të reja të jashtëzakonshme”-1857), “Aventurat e Arthur Gordon Pym” -1858, si edhe përfundon përkthimin e “Histori groteske dhe serioze” -1865. Në qershor 1857, Bodler nxori tek miku i tij botues Poulet-Malassis, përmbledhjen e “Lulet e se Keqes”, e cila përmblidhte poema te botuara e te pabotuara. Por, dy muaj me pas, ai thirret në një proces gjyqësor, pikërisht për ketë botim i akuzuar për “fyerje të rëndë të moralit publik e zakoneve shoqërore”, po atë vit, të njëjtin fat pati njohur edhe romani “Madame Bovary” i Flaubert, por autori në fjalë ja kish dalë mbanë në sajë të mbrojtjes se një avokati te njohur. Bodleri s’pati një te tille fat dhe u dënua me gjobë të rendë dhe u shtrëngua të heqë prej vëllimit edhe gjashte poezi, të cilat u cilësuan si të “turpshme”. Pas ngjarjes në fjale, e cila u cilësua si skandali i poezive te ” Fleurs du mal”, Bodleri krimbur në borxhe, vazhdoi të përpiqet për të nxjerrë ndonjë përfitim duke vazhduar të botojë tekste kritike e përkthime nga Poe, të cilave ju shtuan me pas poezitë në prozë që do të mblidheshin e do botoheshin pas vdekjes se tij, nën titullin “Poema të shkurtra në prozë” -1869 e që përmbanin proza të vërteta poetike, sensuale, me një tingëllim të mahnitshëm muzikor. Duhet thënë se, “Poezitë në proze” për kohen, ishin një fenomen dhe një gjini krejt e re. Në pranverën e vitit 1866, gjatë një udhëtimi në Belgjike, ku kishte shkuar për të mbajtur një cikël konferencash, Bodler u sëmur. Pasojat e saj qenë të renda. Ra në paralize dhe për me keq edhe në bllokim të folurit. Pas kësaj, poetin ne atë gjendje qe ish, e kthyen në Paris ku edhe vdiq pak më vonë, saktësisht më 31 gusht 1867.