Para pak muajsh u vu në qarkullim në Tiranë nga Shtëpia Botuese “Tirana&Times” libri me titull “Kalendar Historik: Ç’farë ka ndodhur më….?” i studiuesit dhe gazetarit të njohur shqiptar me banim dhe punë në Amerikë, Astrit Lulushi. Ky përbën pa dyshim një botim krejt të veçantë për Botën Shqiptare të letrave, por edhe si një boshësiplotësues për historinë dhe kulturën shqiptare.
Kalendarët janë disa llojesh, shkencor, kulturor, politikë, fetar, ushtarak etj, por të gjithë kanë si bazë renditjen e termave sipas rrjedhës kohore, ditë, muaj, vit. Në historinë dhe kulturën shqiptare, i pari ndoshta është “Kalendar Kombiar (Kombëtar-shën.im)” i botuar në Sofje (Bullgari) nga Shoqëria “Dëshira” në vitin 1897. Ky kalendar ishte një botim i përvitshëm me karakter enciklopedik, kulturor, politik e letrar, po brenda tij të gjitha temat trajtoheshin me frymë të theksuar atdhetare. Ai është botuar me disa ndërprerje dhe numri i fundit i tij i takon vitit 1928, kur botues ishte Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri). Sidoqoftë, kalendari duke ngërthyer fusha të ndryshme, u kthye në një ndihmës të vyer për njerëzit e kulturës, politikës, shkencës dhe jetës shoqërore shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.
Pas “Kalendar Kombiar” në vend ka qarkulluar “Kalendari i Maleve”, kulturor, shkencor etj, i shtypur në Bruksel (Belgjikë) numri i vetëm më 1900. Mandej, “Kalendari Shoknisë ”Dija”, 1906-1910, botim i përvitshëm e shtypur në Vjenë. Ndërsa, një tjetër , “Kalendari Enciklopedik”, nisi botimin më 1933 në Tiranë, dhe kishte karakter enciklopedik, kryesisht ekonomi, arsim dhe shëndetësi.
Pas L2B, Kalendari i parë në vend, u botua më 1945 nga Vasil Xhaçka, që e kishte nisur qysh në vitin 1933. Në vitin 1950, në Tiranë u botua nga “Dega e Historisë Ushtarake” e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore përmbledhja kronologjike me titull “Kalendar Ushtarak”. Drejtimi i këtij libri ishte politik dhe ushtarak, por përherë nën prizmin e ideologjisë së diktaturës së proletariatit. Brenda tij kishte fakte të shtrembëruara, mohime vlerash, teprime mburjesh e lëvdatash për politikanët e kohës, duke i munguar kështu sensi shkencor i domosdoshëm për punime të tilla. “Kalendari i botës shqiptare” me rreth 540 faqe, i autorit Thimi Çollaku u botua më 2010. Në fund ky kishte edhe Treguesi i emrave, që lehtësonte përdorimin.
Kështu, fusha e Kalendarëve në Shqipëri nuk ishte fare tokë e djerrë. Vet titulli “Kalendar Historik”, si i pari me këtë emërtim, dallohet nga parardhësit, prej vijës së mirëfilltë shkencore, e cila e përshkon atë tej e mbanë. Më ndryshe, “Kalendar Historik”, nëse do të botohej jo me rendin kohor, por me renditjen sipas alfabetit të emrave të vendeve, njerëzve, ngjarjeve etj, jo vetëm se mund të quhej fare mirë e saktë Enciklopedi Historike, por do të ishte fund e krye një e tillë. Jo se nuk përbën në të vërtetë një Enciklopedi libri 1200 faqesh dhe i shtypur me cilësi të lartë, por siç u cek më sipër, renditja e zerave në të nuk është alfabetike, por kronologjike, sepse brendia e tij, të drejton natyrshëm te ky emër i madh..
Për cilën kategori njerëzish është më i nevojshëm “Kalendari Historik” i Lulushit ? Pa hezitim e vonesë, përgjigja më e saktë do ishte, për të gjitha nivelet e moshave, arsimit, kulturës, profesionit etj. Kjo mbështetet edhe një thënie të popullit, se çdo njeri nuk ngopet me dituri, pasuri dhe lavdi. Gjithsesi, në rradhë të parë, ky Kalendar është i nevojshëm për studiuesit shqiptarë të fushave të ndryshme të shkencës dhe artit, të cilat për natyrën e veçantë të tyre kanë fije të domosdoshme lidhëse me historinë. Kështu, ata mund ta shfrytëzojnë atë si burim i ri dhe i besueshëm për disa çështje të ndryshme të së kaluarës, të cilat ende hanë diskutime.
I dobishëm ky botim mendoj se është edhe për nxënësit dhe studentët e shkollave dhe universiteteve, por mjaft i vlefshëm mbetet edhe për njerëz të tjerë, të cilët, në përgjithësi, kanë pasur dhe kanë edhe sot marrëdhënie të ngrohta me magjinë e librit. Sidoqoftë, ky libër, padyshim, zbukuron çdo bibliotekë shtëpie, jo vetëm nga paraqitja e jashtëme, por sidomos nga brendia e tij.
Ndër pikat e forta të këtij punimi madhor të Lulushit përbën edhe përditësimi i të dhënave të hershme për ngjarje të ndryshme të historike. Ato, natyrisht, zejnë hapësirën më të madhe në libër, madje mendojmë edhe më të rëndësishme të tij. Duke njohur skrupulozitetin e autorit edhe nga botimet e tij të mëprshme, lexuesit ndjejnë siguri kur hasin në faqet e këtij “Kalendar Historik”, të dhëna të kundërta me njohuritë e tyre më të hershme.
Një meritë tjetër e autorit të librit përbëjnë edhe fjalët e urta ose thëniet e njerëzve të ditur nga e gjithë bota, të cilat shërbejnë edhe si një kod mirësjelleje dhe edukate e, që ndodhen në fund të shumë faqeve të botimit. Autorët e tyre janë emra shumë të njohur qysh prej lashtësisë e deri në ditët tona, edhe për çështje të kohëve të fundit, të lëmit të etikës, arsimit, shkencës, politikës, kulturës, moralit, jetës së përditëshme, shëndetit, sportit, ekonomisë etj. Këto fjalë të urta (pjesë e mençurisë dhe urtësisë botërore) janë shumë të vlefshme e të zgjedhuara me shumë kujdes nga autori, sidomos sot, kur mirësjellja midis njerëzve nuk ka nivele shumë të larta (pavarësisht, nga arsimi, detyra, kultura) dhe forcë lëvizëse kryesore mbetet interesi material. Pra libri, ngërthen e shpalos mirë edhe vektorin edukativ.
Vlerë e shtuar tjetër e librit qëndron edhe tek gjuha e përdorur nga autori, shumë rrallë në faqet e tij mund të gjëndet ndonjë fjalë e huaj e cila nuk është zëvendësuar me atë përkatëse të gjuhës shqipe. Të mos harrohet se bëhet fjalë për një botim vëllimmadh me rreth 1200 faqe të cilat mbulojnë shumë ngjarje e figura të rëndësishme të historisë së njerëzimit, natyrisht jo veças nga Shqipëria, por prej të gjithë botës. Libri përmban edhe disa poezi të zgjedhura nga poetë anglishtfolës, të përkthyera me sqimë nga autori, i cili e lëvron me ëndje edhe këtë gjini letrare me krijime origjinale.
Për të arritur në faqen e fundit të “Kalendar Historik”, Astrit Lulushit, me siguri i është dashur të kalojë nëpër duar shumë libra e mjaft revista e gazeta, kryesisht në shqip dhe anglisht, i ka shtrydhur ato mirë e mirë, e më pas e ka kondensuar lëngun. Nuk kemi të bëjmë vetëm me gjetjen e të dhënave të reja por edhe me përzgjedhjen dhe trajtimin e tyre nën lupën e shkencëtarit dhe artistit. Thënë më ndryshe, për të arritur në faqen e 1200 të librit , me shumë gjasë, nga autori janë lexuar (shpesh edhe rilexuar) disa shumëfisha të këtij numuri katërshifror me faqe të shtypura, janë mbajtur shënime e janë skeduar zera, e sigurisht, nuk duket se ka qënë punë aqë e lehtë. Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se për botime të tilla në vende të tjera, normalisht punojnë redaksi të tëra me disa antarë, specialistë të fushave të ndryshme të shkencës, kulturës, ekonomisë, jetës shoqërore etj.
Mendojmë gjithashtu, se faqosja e këtij botimi është mjaft e goditur e me fantazi , madje siç thuhet rëndomë, ai përbën një botim luksi. Brenda tij, shumë shpjegime mbi njerëz apo ngjarje shoqërohen edhe me fotografitë përkatëse, çka e bënë tekstin edhe më të prekshëm për lexuesin.
Kuptohet lehtë se e gjithë kjo punë me atë përkushtim, kanë dashur muaj e vite që të materializoheshin në një libër të madh nga sasia e faqeve dhe nga vlera jo e zakontë e përmbajtjes. Ja vlen të shënohet gjithashtu, se këtu, ashtu si edhe në botimet dhe shkrimet e mëparshme të Lulushit (gjashtë libra origjinalë dhe një vëllim me përkthime, përveç dhjetra artikujve), karakteristikë është thjeshtësia dhe lakonizmi, ai e shpërfaq mendimin e tij qartë e në mënyrë të thukët.
“Kalendar Historik” i Astrit Lulushit, i arratisur politik nga diktatura komuniste në Shqipëri në vitin 1985, pahtëson edhe dashurinë e madhe të tij për atdheun, detyrimin e tij si intelektual publik për t’i shërbyer vendlindjes me përkushtim e devocion. Ky libër, ashtu si edhe të tjerët nga pena e Lulushit, ka parë dritën e shtypit në Shqipëri, vetëm me shpenzimet e tij, pra pa asnjë lloj sponsorizimi nga shteti shqiptar ose ndonjë biznes, siç veprohet rëndom në raste të tilla. Kjo tregon, përpos të tjerash, se largësia e tij gjeografike me Shqipërinë është shumë herë më e madhe se afërsia shpirtërore tij me vendlindjen.
Siç u theksua më sipër, prej më se një shekulli, në gjuhën shqipe janë botuar disa lloje kalendarësh, periodikë apo unikë, por vlerën shkencore dhe praktike të “Kalendar Historik” të Astrit Lulushit, vështirë ta ketë arritur ndonjë paraardhës.
Qerim Vrioni, Tiranë, mars 2018