Haki Stërmilli është nga ato personalitete të rëndësishme të letrave shqipe dhe veprimtarisë patriotike dhe dijetuese. Shkrimtari, gazetari, dramaturgu, atdhetari, janë ato shtresime ku ai dha më të mirën e tij, atë të një ylli që me kalimin e viteve e shton shkëlqimin e vet. Sepse sa më shumë që rrëmon në jetën dhe veprimtarinë e tij të shpaloset një realitet befasues, një e shkuar që koha ka guxuar ta nënshtrojë me harresë dhe errësirë. Asnjëherë nuk jemi të vonuar për t’iu rikthyer ridimensionimit të kësaj figure, opusit të këtij vepruese dhe krijuesi, me të cilin nuk na lidh vetëm një roman, por jo më pak e vlerësuar dhe e çmuar është krejt kolana e tij letrare dhe bedenat e larta të atdhetarit dhe patriotit, politikanit dhe ideatorit revolucionar.
Nuk ka dyshim se Haki Stërmilli zë një vend të vlerësuar në historinë e letërsisë shqipe, për kontributin e çmuara që ai ka dhënë në fushën e prozës, dramaturgjisë, letërsisë dokumentare etj. Por ajo që ngre vlerën e personalitetit të tij dhe duket se qëllimisht është mënjanuar është dhe veprimtaria dhe kontributi në lëvizjet politike dhe revolucionare për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ai është pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të historisë së re shqiptare dhe kjo gjen shprehje në gjithë atë çfarë përbën angazhimin e tij letrar dhe politik. Të paktë janë ato personalitete që kanë zënë vend në kujtesën e brezave, të cilët të kenë një jetë kaq të stuhishme sa Haki Stërmilli.
Jeta e Haki Stërmillit kalon nëpër disa etapa vendimtare të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes, shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, vitet 20 të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar, mërgimi politik, koha e monarkisë, pjesëmarrja aktive në Luftën Nacionalçlirimtare e deri në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe kontributi i tij në ngritjen e shtetit popullor dhe hapat e para të letërsisë së re.
Haki Stërmilli mbetet një figurë, personifikim i përsosur i patrotit dhe demokratit, e shkrimtarit dhe intelektualit popullor, i mbrojtësit të lirive dhe të drejtave të njeriut, grave në veçanti, ku romani “Sikur t’sha djalë” është një emblemë e kësaj aspiratë në traditën tonë letrare.
Haki Stërmilli u lind në Shehër të Dibrës më 17 maj 1895. Atje ai mori mësimet e para. Arsimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve e shtyu Haki Stërmillin për t’u vendos në Shqipëri ku edhe angazhohet për tu bërë pjesë e administratës shqiptare të asaj kohe. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit. Vlen për t’u shënuar dhe puna e tij si mësues personal i motrave Zogolli, të cilat ndikojnë te një lidhje dhe konsideratë e Ahmet Zogut, me të cilin e lidh edhe suksesi dhe divergjencat. Është kjo afri dhe kjo ndarje që në vetvete përbën një etapë shumë të larmishme të jetës dhe marrëdhënieve të tij si politikan dhe patriot.
Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922 Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Haki Stërmillit për Sekretar të Shifrës ekuivalenti i sotëm i një posti ky në ministrinë e Ekonomisë. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti, Ahmet Zogu, tani ministër, e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Haki Stërmilli qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.
Pas Lëvizjes së qershorit, Haki Stërmilli merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Llazar Fundo kryetar.
Me rikthimin e Ahmet Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM. Shkruan më 6 prill 1939 “Ti leve o yll” për princin Leka.
Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë.
E tillë; e stuhishme, e gjerë dhe e larmishme, me plot të papritura dhe ulje-ngjitje, me zigzake, rrëzime dhe ringritje, ishte jeta e Haki Stërmillit. E pashëmbullt mbetet në vitalitetin e vet gjithë kjo gamë veprimtarie. Kudo ku një ngjarje ndodh, kudo ku një zjarr shpërthen, kudo ku fatet e atdheut vihen në kandar, kudo ku një zë i shërben një kauze të madhe, është ai me rolin dhe angazhimin e tij të paçmim, Haki Stërmilli.
Vepra e Haki Stërmillit
Një pjesë kaq vitale dhe kaq bujare, kaq e pranishme dhe kaq përfaqësuese për Haki Stërmilli është edhe përmendorja që ai ngriti në traditën modeste të letërsisë shqipe. Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Haki Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Botoi veprat “Dibranja e mjerueshme” në vitin 1923. Për të vijuar me “Dashuni e besnikri” që daton më 1923, “Agimi i lumnueshëm” 1924, “Burgu” më 1935, “Sikur t’isha djalë” 1936 dhe “Trashëgimtarët tanë” 1950. Pas vdekjes më 1966 u botuan ditari “Shtigjet të lirisë” dhe “Kalorësi e Skënderbeut” në vitin 1968.
Romani “Sikur t’isha djalë” është ndoshta i vetmi roman, e vetmja vepër, e cila e lidh emrin e Hakli Stërmillit me njohjen dhe me popullaritetin që gëzon atëherë e sot. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvendësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XXI, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës. Përplasja e kulturave dhe e traditave, e konservatorizmit dhe mbeturinave të kodeve zakonore që kërkojnë harac gjithnjë e papushim, marrin në këtë vepër një goditje ekzekutuese.
Ky ishte Hakli Stërmilli. Kjo është ajo çfarë përfaqëson kjo figurë sa komplekse aq dhe dinamike, sa e gjallë aq dhe vepruese, sa pasionante aq dhe atdhetare e patriotike. Gjeografia e jetës dhe veprimtarisë së tij është tejet e larmishme. Atë e gjejmë kodo dhe gjithçka që ai ofron është një vlerë, është një çmim më të cilin e vlerësojmë dhe e çmon kujtesa dhe historia.
Hakli Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngatë e gjatë, ndërkohë që ushtronte detyrën e deputetit të Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor. U zëvendësua nga Jashar Menzelxhiut.