Nga Albert Vataj
N’nemën t’Atit, t’Birit’ e t’Shpirtit t’Shenjt
paç bekimin e çdo blatimi,
shejtnue n’ty,
si n’qiell, njashtu edhe n’tok,
n’shpirt, si n’zemër ,
krejtkund e përgjithnji,
ku jetë s’frymon pa ty,
e andje,
s’mbruen n’kurrnji andërr,
pa prush n’njat za, e kullue n’njat sy,
tamël s’pikon, n’kurrnji buzë
pa shkreh n’ty, e preh n’tuajat duar
t’shenduna, prajshëm e andshëm
… hyjnue.
Nanë!
Ma i epërmi akt i krijimit,
mban t’shtrenjtin, emnin tand!
Pagzue t’ka sakrifica,
shejtnia e qiellit t’synit tand
me bekimin e vullnesës prore,
t’asht mbrue tançka dora jote prek
Nanë,
ti toksore e fortmundume, hekakeqe…
zemërplasun e syshterrun dhimbash,
andërr e fikun natash gjumëvramun,
gjimëkuese e andje qi kris n’buzën tande.
za qi m’zgjon e frym qi prush n’krahnor.
Nanë,
prej krejt shërbesave, mbetun ke Hyjnore
perëndesh e tana qytetnimeve
zanë e zemër tamëltue,
n’drit t’hanës, e n’teh t’diellit
shpirti jot gufon dëshirimet,
prekja jote yje pikon,
zani i zemrës tande,
nektar pranverash mylmen,
e s’ka lule qi kundërmon pa izmin tand
agimet t’lindin n’prehn e n’and.
Duart tuaja..
duart tuaja nderen në eterin e tan mrekullive,
nalton n’çdo kresht
jehon ku mbrrin za.
Dhimbja t’mbrun,
me rënkue kurr s’ke mujt.
Qiell s’ka qi e xen brimën e njatij krahnori,
… qi thyen durimi jot.
Asnji sakrific s’asht ma e shejnt,
se flijimi i mundit tand
Ke msu me vujt,
fort ma mirë se me gëzue,
e kurrë s’ta ndiva rënkimin tue t’gufu.
Unë, biri jot,
i përulun në andjen e hyut me met n’ty shëlbim,
besoj n’bësimin tand shejtnue,
e bekue jam prej mirësis tande,
e.. dhimbje mbetem dhe n’gazmim thyhem,
valë e mallit e lot i ndamjes,
dihamë e pikëllimit e buzë qi dridhet,
Nanë,
përjetësia ka emnin tand,
pafundsia, asht krahnor qi n’ty merr hov
gjurmët qi m’çojnë n’diellin nguc,
afshin e krejt mugtimit t’pranverave,
shkëlqim n’çdo ves e det n’çdo lot
je, ç’ka n’ty asht zafillja e tanças e fundit.
Thuej ç’ka t’duesh e gjithçka qi ban,
ka bekimin e prekjes tande,
krejtkund qi Zoti ndihet n’ty zot,
e amshimi përjetsisë rrok me ngazllim.
Nanë,
njajt ke met, si n’tok edhe n’qiell,
Nanë… gjithqysh e n’gjithçka;
n’zemrën, qi idhnimi ta trazon, e s’nepet
n’synin qi loti ta mylmen, e s’terret
n’buzën qi fjala të mylmen, e s’eshket
n’tançka qi hijeshon pamjen tande prej hyjneshe.
Beku kjosh Ti,
si çdo Nanë,
qi prej shtatit t’vet, jetën mëkon
e shpirtit përjetsinë i nep
me t’njëjtin gji qi m’ushqen e m’pajton.