17 dhjetor 1990 Ishte krijuar Komisioni Nismëtar i PD-së. Mbledhjet e komisionit bëheshin në një nga godinat e Qytetit “Studenti”. Debate për statutin e partisë. Pas mbledhjes bëra një bisedë me Berishën. Për të qenë më i saktë, më duhet të hap një parantezë. Ishte viti 1982. Në atë kohë, isha shef i Sektorit Ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit”. Në Pogradec kisha shkuar bashkë me gruan për të bërë muajin e mjaltit. Me Doktorin u takuam me disa pogradecarë, në një nga kafenetë e qytetit. Na tregoi diçka rreth librit “Mëngjeset e magjisë së madhe”. Ai tregonte në mënyrë të veçantë dhe tregimi i tij të “ndiqte” për njëfarë kohe. Ishte kjo nuancë, kjo njohje, që më vonë u bëmë miq. Jo rrallë kishim pirë kafe në Tiranë…
– Mitro, a nuk e merr ti drejtimin e gazetës?, më thotë Doktori. Bisedova edhe me Preçin. Ai më tha: Nuk mund të lë letërsinë për gazetarinë!
– Edhe unë, me shëndetin që kam, nuk e mbaj dot atë barrë… Ju e dini historinë e sëmundjes sime…
– Po si t’ia bëjmë, sepse gazeta duhet, vazhdoi bisedën ai. Ti e kupton më mirë: Fati i gazetës, në njëfarë shkalle, varet nga kryeredaktori.
Në kërkim të kryeredaktorit, unë kisha biseduar edhe me Preçin. Si kandidaturë mund të ishte edhe Frrok Çupi.
Kishim punuar së bashku në gazetën “Zëri i Popullit”. Të dy na kishte ndjekur i njëjti fat. Frroku u përjashtua nga “ZP-ja” dhe shtypi shqiptar, në vitin 1982. Sebep u bënë 5 kuintalë peshk. Tre vjet më vonë, mua më vunë “drunë” nga “ZP-ja” për 40 kuintalë reçel fiku. Më degdisën korrespondent i gazetës “Bashkimi” në Elbasan, Librazhd dhe Gramsh. Frroku e pati më të vështirë. Për disa vjet punoi në minierat e bakrit në Mirditë. Më vonë punoi në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”, në repartin e llullave. Në fillim të vitit 1990, kishte nisur punë në Institutin e Folklorit.
Doktori e mirëpriti propozimin tim. (Kohë më vonë, mora vesh që këtë propozim, veç meje dhe Preçit, ia kishin bërë edhe Mehmet Elezi me Qemal Sakajevën). Pas dy ditësh, në mbledhjen e Komisionit Nismëtar, erdhi Frroku. Saliu bëri propozimin: “Na duhet një gazetë, tha. Me organizimin e saj, krahas Preçit e Mitros, do të merret edhe Frroku”.
Më 2 janar ’91 U shtrova në spital. Bëra analizat. Komisioni i mjekëve nuk ma përcaktoi diagnozën. Sipas rregullit të kohës, duhet të shkoja në Budapest (Vjena e Parisi ishin për të “mëdhenjtë”). Kuptohet, unë do të shkoja jashtë, në qoftë se halla… qeveria do të zgjidhte torbën për dollarë. Unë isha mësuar me këto histori. Edhe mjekët e Sanatoriumit, në vitin 1987, ma dhanë viston për të shkuar jashtë shtetit. Po pse? Në fillim mjekët dyshuan për kancer. Por unë nuk mund të kisha kancer, domethënë të ngrija patkonjtë, për të vetmen arsye se do të vinte një ditë që do të bëhesha Baba i Kombit! Më vonë mjekët thanë se kam sarkoidozë-sëmundje me origjinë skandinave. Unë do të isha rasti i 10-të në Shqipëri. Nuk qe kësmet të hyja në analet e mjekësisë eksperimentale: Nuk u vërtetua edhe kjo diagnozë!
3 janar 1991 Frroku më solli në spital listën e Këshillit Botues. Kryetar: Preç Zogaj. Anëtarë: Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirian Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo. Kryeredaktor Frrok Çupi.
4 janar 1991 Piktori Bujar Marika dhe Mentor Shehu kishin fiksuar, mes dhjetëra modelesh, “siglën” e gazetës. Ishin përgatitur kryeartikulli, artikujt, lajmet, fotot. Të gjitha të futura në një dosje kishin përfunduar në Kombinatin Poligrafik, të ngritur në gjysmën e rrugës “Ali Demi”… Paralelisht me dosjen, një superlajm kishte mbërritur mbi trapezën e Ramiz Alisë: “PD-ja do të nxjerrë nesër gazetën e saj!”. Ra në mendime lideri i komunistëve shqiptarë… Kujtoi një frazë nga Bibla: “E para doli fjala!”… Po u shtyp fjala, po doli në treg fjala e Partisë Demokratike, vdiq komunizmi në Shqipëri! Dhe u dha në shtypshkronjë kushtrimi i partisë: “Gazeta e PD-së nuk duhet ta shohë dritën e diellit!”. Dhe u vu në lëvizje makina e rëndë e shtetit, ajo makinë që për 50 vjet kishte vrarë fjalën e lirë, që i kishte vënë pranga mendimit ndryshe!
Por ndodhi herezia: Fjala e Ramiz Alisë mbeti në letër. Në mbrojtje të gazetës u vunë tipografët. E shtypën gazetën, duke rrezikuar jetën. Morën materialet, poshtë përparëseve të nxira nga vaji dhe plumbi. U ngjitën në katin e dytë të ndërtesës, mes errësirës, atje ku “syri vigjilent” i partisë nuk depërtonte dhe e derdhën fjalën e “RD”-së në plumb. Pastaj fjala çau në rrotativë… dhe u shpërnda në të gjithë Shqipërinë. Kush ishin këta tipografët? Flamur Këmbora, Bashkim Lusha, Sokrat Xhavara, Firdes Saraçi etj.
5 janar 1991 U botua numri i parë i “RD-së”. Kryeartikulli me titull: “Fjala e parë”. Tri intervista: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosja. Fjala e Sali Berishës në mitingun në Qytetin “Studenti”: “Ylli polar, çështja kombëtare”. Intervistë nga Pashko: “Për të përballuar krizën”. Artikulli i Preç Zogajt: “PD nuk është mace e zezë”. Koment nga Aurel Plasari për Gjergj Fishtën. Artikulli i Neshat Tozaj: “Pse e refuzoj kandidimin për deputet?!” (i Partisë së Punës.) Koment nga Frrok Çupi “Vallë a do të dalë numri i dytë i gazetës?”.
Në të vërtetë, gazeta jo vetëm u botua, por ndoshta u bë gazeta më e suksesshme e këtij fundshekulli. Ishte gazeta që vrau censurën. Ishte gazeta që vrau frikën. Tirazhi arriti nga 70 mijë deri në 100 mijë kopje. Nuk ishte ky kufiri. Tirazhi nuk pengohej nga shitja, por nga mungesa e letrës. Për lexuesin kjo pengesë kapërcehej, duke e kaluar gazetën dorë më dorë. Ndërkohë, në treg filluan spekulimet. Çmimi i shitjes u rrit me herë.
5 janar 2001 U mbushën 10 vjet nga botimi i gazetës. Takova kryeredaktorin. Pyeta: Pse nuk kemi një dhomë muze për “RD-në”? Përgjigjja erdhi hazërxhevap: Mungon, sepse gazeta është e varfër! Rrogat e gazetarëve qesharakë. Mos vallë po kërkon qiqra në hell?… Mendova. Historia e një gazete mund të “shkruhet” edhe pa kërkuar investime. Pjesë e historisë janë reliket: Makinat e shkrimit ku u shtyp numri i parë. Vlerë kanë edhe tavolinat, karriget, derdhjet në plumb, aparatet e telefonit, magnetofoni, faksi…. Për këto nuk duhen fonde: Duhet vetëm vullnet për t’i grumbulluar dhe kulturë për t’i ekspozuar.
10 shkurt 1992 Në Tiranë kishim përfunduar bisedat me stafin e gazetës franceze “Le Figaro”, për të bërë një ndërmarrje të përbashkët. “RD-ja” do të kishte 49 për qind të aksioneve, francezët 51 për qind. Zyrtarisht u vendos që firmosja e kontratës të bëhej në Paris. Në përbërje të delegacionit ishte kryeredaktori Mitro Çela, zëvendëskryeredaktori Filip Çakuli, Sekretari i Kolegjumit Bashkim Trenova, avokati Dhame Pite. Delegacionin e drejtonte Sali Berisha. Bëmë një vizitë në redaksinë e “Le Figaro”. Një sallë ishte kthyer në muzeum, ku gjendej historia e gazetës. Foto të shumta. Emrat e kryeredaktorëve dhe të superyjeve të gazetës. Përmbledhje të shkrimeve më të mira në vite, sipas rubrikave të ndryshme. Shënime të personaliteteve të jetës politike, artistike e shkencore për gazetën: De Gol, Pompuidu, Brixhid Bardo, Edit Piaf, Ajzenaur, Jan Pol Sarter, Kenedi, Martin Luter King, Xhon Lenon… dhe Ismail Kadare. Evolucioni i teknologjisë nga makinat e shkrimit tek kompjuterat; nga tipografia me plumb tek ofseti; nga shpërndarja me biçikletë tek makinat moderne… Pak çaste dhe unë dija për “Le Figaro” më shumë se për të gjitha gazetat shqiptare, ku kisha punuar rreth 20 vjet…
Tetor 1995 Shkova në Romë me Qemal Dishën, në atë kohë drejtor i INSIG. Na ftoi në shtëpi Sandro Shtylla. Avokat i njohur. Babanë e kishte nga fshati Shtyllë, diku afër Vithkuqit. Nënën serbe. Shtëpia ishte plot me relike nga Shqipëria. Duke i parë me vëmendje, syri më zuri një gazetë të vendosur në kornizë dhe të varur në mur. U befasova: Ishte numri i parë i “RD-së”. Qemali thirri Sandron. I foli për mua. I zoti i shtëpisë hoqi gazetën nga korniza dhe m’u lut të firmosja, karshi emrit tim të botuar në listën e Këshillit Botues. Me lot në sy, Sandro tha: Onorevole (deputet) Çela! Firma jote në të parën gazetë demokratike të Shqipërisë, do të jetë një surprizë e vërtetë për miqtë e mi!”. Më erdhi turp nga vetja: Unë nuk e kam numrin e parë të “RD-së” as në kornizë e as në bibliotekë!
Një pjesë tjetër e historisë janë koleksionet, fotografitë e para, dorëshkrimet. Artikujt e botuar me rastin e përvjetorëve të kaluar. Një stendë me emrat e kryeredaktorëve, gazetarëve, korrektorëve, shoferëve, tipografëve. Ndoshta edhe me ndonjë shënim ku ishin edhe ku janë sot “penat” që bënë historinë e gazetës në vitet ‘90. Për të nxjerrë numrin e parë të gazetës, punuan edhe disa studentë. Cilët janë ata? Deputeti Ben Blushi. Këshilltari i Fatos Nanos, Emin Barçi. Këshilltari i Metës, Dritan Kaba. Armando Shkullaku. Gazetari Blendi Fevziu. Deputeti Edi Paloka etj… Gazeta ka qenë e hapur edhe për Edi Ramën… Për të gjithë… Më tej, “historia e ekspozuar” pasurohet duke bërë edhe shpenzime: Botime speciale nga faqet e gazetës për jetën e partisë, për ekonominë, fushatat elektorale, kulturën, artin, sportin, konferencat e shtypit, politikën e jashtme, çështjet kombëtare, Kosovën, Çamërinë, minoritetin dhe qëndrimet e shtypit ndaj tij etj.