Nga Albert Vataj
Kjo është një nga punët e shumënjohura të piktorit Carl Haag, i cili u lind në Erlangen, në Mbretërinë e Bavarisë më 20 prill 1820 dhe vdiq më 24 janar 1915.
Ai ka marrë trajnim dijetues artistik në Akademinë e Arteve të Bukura, në Nuremberg dhe në Mynih. Fillimisht Carl Haag u njoh si një illustrator dhe më vonë si piktor portretesh dhe subjektesh arkitekturore. Në vitin 1847 u vendos në Angli, kohë e cila shënon dhe përkushtimin e tij në akuarel. Në vitin 1850 u zgjodh si bashkëpunëtor i Shoqërisë Mbretërore të Piktorëve të Akuarelit, para se të bëhej anëtar më të drejtë të plota më 1853. Udhëtoi shumë, veçanërisht në Lindje. Krijoi një reputacion të konsiderueshëm për shkak të përkujdesit dhe korrektësisë së respektimit të komponentëve shprehës estetik, duke ruajtur të paprekur traditat, madje duke i promovuar ato me gjithë madhështinë dhe solemnitetin e tyre, si në rastin e pikturës “Luftëtari shqiptar”, në të cilën ai përfshin tërësinë e elementeve që përbëjnë jo vetëm veshje karakteristike, armët dhe vetë shprehinë e një luftëtari të asaj kohe.
Kur e përcjellim me vëmëndje detajet e kësaj piktore, gjithë atë ngarkesë shprehëse, gjithë atë ansambël elementesh etnografik, shumë prej të cilave kanë bjerrur në udhëtimin e kohëpaskohshëm, konstatojmë qëllimsinë e trajtesës të këtij luftëtari, jo thjeshtë një dalzotës i fatit të tij, por edhe si një përfaqësues i gjithë atyre vlerave dhe traditave. Në një farë mënyre, kjo pikturë është një evidencë e asaj që përfaqëson luftëtari nga njëra anë, dhe shqiptari atyre trevave nga ana tjetër. Një ngarkesë e tillë të elementeve të etnosit, dukshem janë të qëllimta, megjithëse luftëtarët nuk kanë neglizhuar ceremonialitetin e veshjes dhe sendeve në atë manifestim solemn.
Në përfundim të karrierës së tij profesionale, Carl Haag u larguan nga Anglia për t’u ktheyr në Gjerman, në Oberwesel, ku dhe vdiq në moshën 95-vjeçare.