Ishte zëri i saj që më tërhoqi vëmendjen. Një zë i kthjellët dhe i freskët si një ujvarë. Timbëri i ngrohtë dhe melodioz, më kujtoj se gjendësha në Pogradec, ku lirizmi dhe harmonia është prezente në çdo hap. Ku liqeni, gjallesat dhe bimësia e harlisur, endin çdo çast sinfoninë e jetës dhe të dashurisë. Nuk kish asgjë të përbashkët ky zë, me zërat pa ngjyrë dhe deklamimet e dikurshme, që rëndom përcillnin jehonat e patetizmit bolshevik rus.
Po kështu edhe loja e saj, gjithë hir dhe elegancë. Vështrimi elektrizues dhe lëvizjet e duarve, në sinkron të plotë me fjalët, të krijonin idenë e një flake që vallzonte mbi skenën e improvizuar.
Të gjitha këto, i përjetova në performancën poetike të mikut tim, poetit Dorian Leka. I habitur me interpretimin e poezive, prej aktores së re, kërkova të njihesha më afër me të. Dhe ishte ai, që me shoqeroj tek ajo, të cilës komplimentat e mija, i’a ulën sytë dhe duke më falenderuar, pëshpëriti me droje emrin e vet, Dasara.
U befasova, nuk di pse emri te cilit nuk i’a dëgjova mirë dy gërmat e para, më ngjau i njohur. Ndërkohe u kujtova, ishte një emër hebre dhe vinte nga Dhjata e vjetër, ndaj imazhi i saj m’u rrethua me nje si tis mistik. I’a thashë këtë dhe ajo u turbullua. Ndoshta nuk kish dëgjuar kurrë të flitej për Sarën biblike, gruan e Abrahamit dhe nënën e Isakut, ndaj nuk e ngcmova më tej.
Ndërkaq, m’u ndez imagjinata dhe pa dashur, përfytyrova Sarën triumfuese kur pas një jete të zymtë e pa shpresa amësie, mbajti në duar, birin e vet të shumpritur. Dëshminë e dashurisë dhe të premtimit të mbajtur nga Perëndia. Natyrisht, gëzimi i Dasarës nuk kish asgjë të përbashkët me sa më sipër, por ndoshta metaforikisht, ky ngazëllim vinte prej kalimit nga një gjendje dëshpërimi, në atë të një drite të pa shoqe që vjen prej artit dhe magjisë së krijimit të tij. Në qoftë se Sara biblike pas 90 vjetësh, kish ndjerë lumturinë e të qënit nënë, (që është një prej ndjenjave më sublime të gruas) Dasara jonë, qysh në moshë të re u ndje e tillë përafërsisht. Sepse krijimi i roleve skenike dhe çdo interpretim i ri apo vepër e re në art, i përngjet lindjes së një fëmije. Dhe a nuk është sublime dhe e perëndishme çdo akt ngjizjeje dhe krijimi..?
Kjo metaforë e ngritur mbi parandjenja dhe hamendësime, më ngjalli më shumë këshërinë. Ndaj për t’a shojtur atë, pyeta për më tepër dhe, mësova se vajzës para disa vjetësh, i kishte ndodhur një fatkeqësi në familje; aksidentalisht kishte humbur nënën e vet.
Është e tepërt të them se humbja e prindërve, aq më tepër në moshë të re, është një humbje e pamatë. Ndaj Zoti i ka dhënë njeriut, si një instrument shëlbese, harresën, përndryshe dhimbjet do të ishin të pa durueshme. Dhe, a nuk është arti me magjinë e tij një antidod çuditbërës, që i ndih këtij synimi..?
***
Për herë të dytë e takova Dasarën, në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit të madh Lasgush Poradeci. Ishte një ditë nëntori, kur së bashku me aktorin e njohur Zhani Petro, u ndodhëm në Pogradec, për të marrë pjesë në eventin artistik, organizuar me këtë rast prej pushtetit lokal. Natyrisht, spektakli përmbante krijimet më të mira të poetit të ndjerë dhe atje në skenë, e ripashë përsëri Dasarën. Në mes të grupit të aktorëve të tjerë si, Vangjo Shkurti, Brunilda, Mariana, dhe Evelina ajo ngjante vërtet e veçantë.
Veshur me një tunikë të ibërshimtë, si priftëreshat pagane të Vestës, sikur doli nga brendia e ” një tufe Junapi”, ( varg i Lasgushit) dhe u shfaq para nesh. Përreth, ngjante se flatronin nositë dhe mjellma, guza dhe rosa, yje të shndërritshëm i pezullonin mbi krye, ndërsa nga buzët e drithëshme, i pikonin zambakë e jargavanë. Mes yjeve, si një varkë e artë voziste hëna dhe në bash të saj, Kamadeva ndehte harkun dhe qëllonte. Me mijra shigjeta të praruara shënjonin zemrat e gjindjes, të drithëruara nga ndijesia e mallit të parë, ndërsa nën këmbët e saj nazike e femërore, dergjej muzgu vjeshtor dhe mjegulla e hollë liqenore.
Them si Vestale sepse ajo, ashtu si ato dikur në Romën e lashtë, që ruanin zjarrin e shënjtë dhe vlerat e familjes, mëton të ruajë zjarrin hyjnor të qytetit të vet, artin e madh të bijve më të shquar dhe më të denjë të tij.
Dhe ngjante rrezëllitëse ashtu, si e mbështjellë me magji dhe mister, duke mbushur ajrin me dritën e poezisë Lasgushiane. Nën këtë dritë, si një flockë e dalë nga ujrat, vallzonte Xhulia Kalkollari, mikesha e saj kërcimtare. Edhe vetë poezitë, interpretuar prej tyre me aq pasion e finesë, ishin si shpirtra fluidë, lindur prej liqenit dhe dashurisë së pamort të poetit.
Nuk di pse, si një “déjà vu” m’u kujtua një libër i Mereshkovskit, “Lindja e zotave” titullohej. Dhe përpara syve, m’u shfaq arena e Knosit në Kretën e lashtë, shtruar me rërën e bardhë vezulluese dhe priftëreshat kërcimtare që sfidonin demat e egër të malit të Idës.
Vallzimi i tyre i guximshëm, ngjante me një duel vdekatar, përpara turmave të ekzaltuara e të ngurosura prej ankthit. Megjithse shpesh në të tilla raste, kërcimtaret e hajthëshme, përfundonin në brirët e bishave, ato nganjëherë edhe triumfonin mbi to, duke i’u ngulur kafshëve thikën e mprehtë në zemër.
Ndërkaq, si në një shoqërizim të vagullt, m’u përshkëndit në mendje ideja e një metafore të çuditëshme dhe gati sureale. A nuk ngjan demi i egër, me diktaturat… me fuqinë e tyre primitive që shpesh turmat prej frikës i veshin atribute hyjnore..? Dhe, a nuk është arti me bukurinë dhe humanizmin e vet, një sfidë që i bëhet kësaj fuqie të errët..? Lasgushi, a nuk e sfidoj estetikisht me poezitë shkëlqimtare të dashurisë, shterpësinë ideologjike të tiranisë..?
Natyrisht, e bukura është heretike dhe e rrezikëshme për regjimet. Ajo me vlerat e saj, i neutralizon ato, ngjall shpresën dhe kurajon njerëzore për liri dhe dinjitet. Pikërisht, kësaj i druhen sundimtarët, ndaj ata përgjithësisht duke ndjerë pafuqine e tyre përballë saj, përpiqen t’a injorojnë, t’a mospërfillin, por pa i’a dalë dot mbanë. A nuk ndodhi kjo gjë edhe me Lasgushin, Mitrushin e shumë të tjerë që gati u harruan në asketërine e tyre..?
Bukuria nuk është tinzare, ajo është e ballëpërballëshme dhe e vertetë. Ajo s’ka nevojë për makjazh, nuk i lypsen maskat dhe hipokrizia. Dikur Aristoteli pohonte: “E bukura është e vërtetë dhe e vërteta është e bukur”. Prandaj, despotët kanë frikë nga ajo dhe nga mesazhi i saj. Ata synojnë mashtrimin dhe propagandën, si dhe kllounë e sahan lëpirës, për t’i shndërruar në megafonë dhe instrumenta të verbëra, te synimeve te tyre te mbrapeshta.
* * *.
Herën e tretë e takova Dasarën në një ekspozitë, ne shtëpinë e kulturës së qytetit të saj. Mbas vizitës, kur isha gati për t’u larguar, i’u luta t’i jepte kryetarit të bashkisë një libër që i’a kisha premtuar. Ajo jo vetëm nguroi, por edhe m’u lut të mos i’a ngarkoja një gjë të tillë. Nga kjo kuptova se droja e saj rrithte kryesisht, nga respektimi i raportit me shefin e vet dhe nga frika mos keqkuptohej, për synime afrimi apo servilizmi. Dinjiteti i vajzës më bëri shumë përshtypje. Përgjatë jetës, kam parë shumë syresh që krijojnë sebepe të kota, për t’iu afruar shefave, ndërsa Dasara megjithëse e kish të përligjur diçka të tillë, nguroi t’a bënte këtë. Kjo ndodhi, ishte shtysa që më intrigoi, të hidhja këto shënime. Dhe teksa shkruaj, s’di pse më përhiet një natë dhjetori, diku- dikur në një qytet, kur me rastin e vitit të ri, kremtohej “festa e dritave”.
Mbi një podium të sajuar në këmbësoren e qytetit, një grup muzikor, shpaloste talentin e vet. Mjedisi ishte pothuaj i pa ndriçuar dhe vetëm reflektimet e dritave të lokaleve përreth, orvateshin t’a mpaknin errësirën. Tingujt e muzikës, mezi e zotëronin zhurmën kaotike të turmës që priste të shijonte, ndezjen e dritave të krishtlindjes. Një çast u bë heshtje dhe në skenë u shfaq një prej aktoreve më në zë të qytetit. Ajo mori mikrofonin në dorë dhe mbajti fjalën e rastit duke mburrur shpirtmadhësinë e pushtetit. E mbylli fjalën, duke u çjerrë thuajse në ekstazë: “Kjo u bë e mundur, vetëm në sajë të njeriut më të dashur dhe më të shtrnjtë të qytetit tonë!”
U ndjeva i neveritur nga një servilizëm dhe paturpësi e tillë dhe s’di pse, për reminishencë më jehuan në kokë slloganet e dikurëshme; “Me mbështetjen e partisë dhe të udhëheqësit të shtrenjtë të popullit tonë.”, apo ” Nën kujdesin e lartmadhërisë së tij, mbretit august” etje, etje..!
Ndërkohë, kryetari i bashkisë i’a merr mikrofonin nga dora dhe buçet me një zë autoritar: 4,3,2,1…le të ndizen dritat..! Dhe sheshi llapëtiu, nga mijra llampa të vogla e zbukurime gjithfarë, që e bënë natën ditë. Nuk di pse këto fjalë më ngjanë si të huazuara nga bibla, kur qysh në fillim të dhjatës së vjetër, mbasi Zoti krijoi tokën dhe ujrat tha: “U bëftë drita!” dhe drita u bë.
Ndoshta e kam gabim por, shpesh mendoj se, një ligjërim i kësisojshëm është shprehje e një mentaliteti prej sundimtari. Vetëm një njeri që e ndjen veten zot e të pa gabueshëm në domenin e vet, mund të artikulojë kësisoj. Të rrethuar nga dallkaukë dhe miklues, atyre i’u ngjan, se janë ata që bëjnë dritën dhe errësirën, të mirën dhe të keqen.
Dhe s’di pse ndërkaq, m’u faneps “Hamleti” dhe fjalët e tij: “Drama është gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska”, (ne fund të aktit të II skena e II) teksa me veten time mërmërita; Lajkat janë gracka, ku shpirti i kryetarit kapet si laraska.
Lajka të pështira, që burojnë prej mungeses së dinjitetit dhe te një karakteri solid. Që synojnë përfitim material dhe përkëdheljen e pushtetit. Qënie të mjera, kauza e të cilëve, nuk është begatimi i artit dhe lulëzimi i tij por, shndërrimi i misionit të tyre fisnik, në propagandë dhe miklime zyrtarësh. Ndërkaq, këto jo vetëm nuk i nderojnë këta të fundit por i zhytin dhe më keq në shtjellat e vanitetit dhe të delirit të madhështisë, duke bërë kësisoj të shkëputen, jo vetëm nga realiteti, por edhe nga bashkëpuntorët e tyre të vërtetë që i bënë këta që janë.
Në një prej filmave të Hollivudit, “Gaztorët e mbretit” me aktorin Sean Peen, personazhi kryesor në rolin e guvernatorit, i’u drejtohej turmave: “Jeni ju, unë edhe Zoti..!”- dhe gaztorët e mbretit, do të shtoja unë.
“Jeni ju” pra turma, që në këtë rast është anonime dhe e manipuluar. Zoti, që është lart në qiell dhe nuk ka fare të bëjë me mbrapështitë e të fuqishmëve dhe ai guvernatori, mëkëmbesi i tij në tokë. Filmi përfundonte me një fjali të thukët: “U nis si idealist dhe përfundoi i rrënuar nga korrupsioni”. Dhe a nuk po përfundojnë kështu, shumica e pushtetarëve të sotëm..?
***
Dikur udhëtoja shpesh, për në Tiranë. Mbas qytetit të Pogradecit, një pjesë e madhe e rrugës, kalonte përbri liqenit të Ohrit. Duke qënë se merrja gjithmonë autobuzin e linjës së orës 4 të mëngjezit, agu i parë më gjente buzë gjolit. Lindja e diellit që çohej në bregun kundruall mbi Shën Naum, më zinte pranë fshatit Lin dhe unë i mrekulluar, sodisja përskuqjen e qiellit dhe të ujrave. Ishte si një magji që më robëronte shpirtin. Valët, herë- herë lozonjare dhe herë- herë të vrullëshme, guzat dhe rosat që flatronin mbi kreshtat e tyre dhe kridheshin për të gjuajtur, bregu i virgjër që ndehej si një fiston i artë, më ngjanin gati gati sureale. Kavakët, shelgjet dhe kallamishtet e egra, të krijonin ndijesinë se ndodheshe në ditët e para të krijimit të botës !
Pogradeci përherë ka qënë një prej pikave turistike më të afërta dhe më të frekuentuara për qytetarët korçare. Korani, mbreti i liqenit të Ohrit, i shijshëm dhe me mantel vezullues, belushkat elegante dhe krapi hijerëndë, mollët Anurka dhe starkingat e Tushemishtit, gështenjat e Zdërvaskes dhe vreshtat e bekuara që prodhonin verën Pamid, ishin unike në zonë. Këto së bashku me poezitë e Lasgushit apo rrëfenjat e Kutelit që ishin aureola mistike e mjedisit të krijonin imazhin e një visi parajsor, ku frymonte harmonia dhe virgjiniteti dhe ku plehërat, betoni apo plastika, ende nuk ishin shfaqur në horizont.
Pas viteve nëntëdhjetë, ndryshimet e vrullëshme, pothuaj ma zbehën këtë përfytyrim romantik dhe mbresat m’u topitën krejt. Prozaizmi i përpjekjeve për mbijetesë, dhe mungesa e kohës, krijuan tek unë një farë indiferentizmi ndaj vlerave të kësisojëshme. Mirpo ishte pjesmarja në një shfaqje, e mjeshtrit të madh dhe aktorit të njohur Ligoraq Riza, që më rizgjoi nga letargjia. Ftesa prej tij, në monodramën, “E madhe është gjëma e mëkatit”, që ai e kish ngjizur prej veprës me të njëjtin titull të Kutelit, më rizgjoi ndijesitë e dikurëshme. Dhe ja tani Dasara, me vrullin e saj rinor dhe pasionin prej vestaleje të përkorë ,mëton me përkushtim, t’i mbajë pezull këto vlera në zemrën e bashkëqytetarëve të vet. Qëndra kulturore “L. Poradeci” ku ajo është drejtore dhe regjisore njëkohësisht, gëlon nga artistët dhe shfaqjet që përgatiten atje. Mitrushi dhe Lasgushi, Gjergji Lako dhe Sofokli Koçi, janë prezent vazhdimisht në aktivitet kulturore. Por edhe Anastas Kostandini, Vangjo Vasili apo Ardian Fejzulla, organizojnë ekspozitat e tyre, duke mëtuar kështu, t’ia shtojnë më tepër magjinë liqenit dhe mistikës së tij. Pushteti i kësaj mrekullie, shtrihet e fërgellon edhe në vargjet lirike të poetëve pogradecarë.
Nuk di pse kam përshtypjen, se të gjithë nxitojnë t’a fiksojnë këtë parajsë tokësore, si të kenë frikë se mos e humbin, ndaj tentojnë ta ruajnë si në formalinë. Sepse a nuk është arti një lloj materieje që konservon të bukurën dhe misterin e saj.
Zoti krijoj parajsën për njeriun, ndërsa ai shpesh, me shkujdesjen dhe lakminë e vet, po e rrënon atë.
Po si është e mundur që dhuratën e tij po e përdhosim ne vetë dhe në vend të saj po ngjizim labirintet e djallit dhe të së keqes..?
Gjithësesi, Dasara me përkushtimin dhe pasionin e saj, ngulmon jo vetëm të përndritë breroren e qytetit të vet por dhe t’a pasurojë atë, me prurjet e reja metafizike. Pikërisht për këtë e respektojnë edhe eprorët e vet. Sepse, sado t’i pëlqejnë lajkat dhe miklimet një pushtetari, ai shumë shumë mund të të hedhë ndonjë kockë, por në thellësi të qënies së vet të përçmon. Ata, edhe kur janë cinikë, i respektojnë instiktivisht njerzit me vlera dhe me dinjitet.
***
Ndërkaq Dasara, vazhdon pa u ndalur të shpërfaqe potencialin e vet artistik. Në festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono” 2017 me drejtor, regjisorin e njohur Dhimitraq Orgocka, ajo fitoj çmimin e parë si aktorja më e mirë, prej një jurie ndërkombëtare, me pjesën, “Psikoza 4.48”. Ajo është gjithmonë në lëvizje. Nga Pogradeci në Tiranë apo në Korçë, Nga “Teatri Kombëtar” në “Teatrin A. Z. Çajupi”, nga eksperimentali “Kujtim Spahivogli” në “Universitetin e Arteve”, përherë në ndjekje të synimeve të veta.
Po cilat janë këto synime, dëshira për kënaqësi dhe aventura, apo rrënia pre e shtysave hedonistike brënda qënies së vet?!
Sigurisht që jo..! Dëshira e saj më e madhe, më zotëruese, është të ndjekë prirjen dhe talentin e saj, për t’u bërë një aktore e dëgjuar. Për t’i parë njerzit të shndërrohen dhe mbushen me dritë, duke ndjekur me admirim, lojën e saj në skenë! Dhe raporti i së bukurës e sublimes, me të keqen dhe të shëmtuarën, s’ka ku shfaqet më dukshëm se sa atje.
Ndërkohe, objekt i interpretimeve të saj, janë bërë një sërë rolesh të spikatura nga veprat e autorëve më të shquar të botës, që nga antikiteti e deri në ditët tona; si Sofokliu, Shekspiri, Moravia, Jean Genet apo Edwart Albee, duke i dhuruar kështu asaj, edhe një varg çmimesh të rëndësishme. Në fund do të pohoja se, vetë jeta është një skenë e madhe, ku ne të gjithë lozim personazhin tonë të cilin n’a i ka caktuar fati. Dhuntitë tona, karakteri dhe aftësija, rrethanat shoqërore dhe njohuritë që kemi, paradigmat dhe paragjykimet, apo mjedisi ku jemi formuar, këto e shumë të tjera e kushtëzojne këtë rol.
Skena e vogël e një salle teatri, nuk është gjë tjetër përpos një shëmbëlltyrë e zbehtë e skenës së madhe të jetës. Ndryshimi është se në të, aktorët nuk lozin vetëm vetveten, por edhe një sërë personazhesh të tjerë, stisur prej shkrimtarëve, në veprat e tyre letrare.. Nëse lavirja apo lypsari, ushtari apo mbreti do mjaftoheshin vetëm të shkërbenin vetveten, ç’nevojë do kish për dhunti apo aftësi interpretative për të qënë aktor..? Aktorët e vërtetë janë ata që lozin si filozofin dhe horrin, si varfanjakun dhe pasunarin, si kurtizanen dhe princeshën. Pra aftësia për të hyrë nën lëkurën e çdo personazhi, është ajo që quhet talent në aktrim. Sa më e madhe të jetë gama e tyre, sa më të larmishme të jenë rolet që luan një artist, aq më i madh është potenciali interpretativ që zotëron ai. Është e vërtetë që në skenë ngjiten shpesh edhe aktore si Silvenë Dyali, (personazh i M. Dryonit), merita e të cilave është vetëm kalimi nga një mentor tek tjetri, por lavdia e tyre është efemere. Fama dhe vlerat e vërteta të një artisti, kanë brenda tyre përveç pasionit, edhe këmbënguljen dhe sakrificën më të epërme…