Shkodra asht njatje ku andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak me njaq shum’ dashuni, sa mundem vetëm me u përul, e tue u lut si para nji altari t’shëlbyem prej gazmimit, mundem veç me besu n’mrekullim t’gjanave qi mylmehen amëlcisht n’zemrat qi i bajn vend çdo andrre.
Mall kam për çdo gja tanën, Shkodër Loce.
Mall e dhimbje qi m’sëmbon njaq fort, sa krejtçka tjetër ma zbeh, gjithçmos t’rrokshme, veç ma ftof.
Ti ke mbetun njatje ku t’përkundin kujtimet, kotesh kllapitjeve t’ambla, kah Drini vërshon e Buna t’lag shputat e kamve, mramjeve kur meditueshëm lëshohesh… njatje ku Maranej t’përpin e Taraboshi t’fillëron përmbi, njatje ku liqeni shkadahet n’paqtin e vet, e ti veç jepesh dorzan këtij adhurimi.
Iki pa dasht me ta kthye shpinën. Kthehem tue mos besu se kam ik ndojherë.
Ka do gjana t’cilave edhe pse u ke kthye shpinën, ata s’munden me t’braktis, s’munden me t’ra mohit. T’vuhen parmas si jehona e zanit të nji legjende. Rrin me ty, me gjanat tuja, me t’shtrenjtat andje e kujtime.
Sa ma gjatë qi m’mungon, njaq ma i thellë asht shpimi i mallit për ty. Sa ma larg qi iki, njaq ma t’dishrueme e t’anshme mbeten tançka më mban t’lidhun me ty.
Nëpër andje harbimesh t’thekshme e dëshirimesh të rreshkuana prej mallit, gjegjem me u kacarrit pas do kumteve fotografike, s’andej me ftillue saora nji gjendje tërbimi ngjyrash, nji ngulm për me i diftu gjanat bash njashtu siç ky shkulm rreket me i end. Tinzisht më bahet se dielli turret ma duhishëm me e la me dritë e larushi, kah syni rrok me shastisje, se sa vet realja përçapet me e ravijëzu me dogoni idilin e vet, në kësi ditësh të fillërume prej resh t’nargume me zemëratë eterne, e të nji kjartësie që e ngërthen në solemnitet pamjen.
Ndoshta ma shum se syni, dikund mundet me kqyr njaq thellë dhe njaq kjart veç zemra, kjo ngase tançka asht end me fillin e vezullimit të dëshirimeve ma t’epërme, si tue dasht me kriju nji diçka fort t’andshme e ma t’bukrën qi ka mujt me rrok me rreze dielli.
Kam gjet përditë nji fije përkushtim për me t’kujtu, si tash qi po mundem me t’rikriju n’përfytyrimin tem. Kam ardhun te ti tinzisht, njashtu siç fminija e mbetun larg na i kujton gabimet. Ndahem prej teje tue t’lan çka ka ken përgjithmon veç e jotja, tue mujt me ken diqysh edhe e jona… t’mirën dhe zemërbardhsinë. Rrin e na pret te pragu si nana, diellplot, hanëndritun, e tançka tjetër na vetvedi kena patun si ngulm me e kumtu.
Gëzo Shkodër ma t’bukurën nur që t’ka ra. Shfleto n’kangt tuja, harenë e akshihaneve e namin e përbotshëm të bijve t’tu. Ma t’bukurën prej tyne këndoje me za, ta ndigjojn tan bota t’bylbylshmen kang, njat t’dashnis, dashnis qi ke dit bash fort me e dasht.
Tankush kje me ty, edhe un’, asht me shpirt e zemër aty ku ti dergjesh n’hallet tuja, përpushesh n’dogonit tuja, harbon n’gazmendin tand. Vijmë në prehnin tand, e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dëshira. E ti metesh tamli ma jetdhanës, ai i gjinit të nji flijimi.
Ke ndryshue njaq shum’ Shkodra jeme. Je ba njaq e bukur për syt e mi, e njaq flakruese për ma t’ndërkrymet dëshira qi mylmehen n’t’amblen, limfën tande. Po këndoj epo kjaj për ty. Po gazmoj e po vuej prej se njaq shum’ m’mungon. Kam lan te ti kujtimet, fminin, gazmendin e idhnimin, kam lan ç’ka kam pas ma t’shtrejt e ma t’dishrueme. Lanun kam te ty, Shkodër, diellin ma t’ndritshëm qi kam pa, ma t’harbuemet pranvera qi m’kan deh, kam lan n’prehnin e trullit tand eshtnat e prindve t’mi, e do t’la ç’ka ka me mbet e jemja për përjetsinë.