Një kryq i kuq, ndërmjet shkronjave “T” dhe “S” me të njëjtën ngjyrë, lidhur me një vijë, ngjyer – edhe ajo – me të kuqen e gjakut të martirëve. Është prova e persekutimit të të krishterëve në Koloseum, që për një kohë të gjatë e akoma sot, mohohet edhe nga studiues të njohur. Ky zbulim i madh u bë nga historiani i Kishës Pier Luigi Guiducci, pedagog në Universitetin Papnor Lateranens, i cili njofton edhe për një zbulim tjetër të ri. Është fjala për monogramën e Krishtit (Chrismon), që bashkon grafikisht shkronjat “Ki” dhe “Rho” greke, gjetur në një kriptoportik nën pallatin, ku aktualisht ndodhet ambasada amerikane në rrugën Veneto, në Romë. Shenjë e pranisë së ndjekësve të Krishtit, në shekullit e tretë – i njëjti datim me kryqin e Koloseumit – edhe në zonën e Horti Sallustiani, në ambientet e pushtetit politik e të klasave aristokrate. Dëshmia e martirëve të krishterë në Romë, nga shekulli I deri në shekullin IV është argumenti i librit “Në orën e sprovës”, shkruar nga Guiducci për Shtëpinë Botuese Albatros.
Kryqi i Koloseumit
Me këmbëngulje, historiani italian i dha besueshmëri shkencore intuitës, që nuk e la të qetë, nga çasti kur pa në internet fotografitë e restaurimit të fundit të disa zonave të Koloseumit, filluar në vitin 2012. Në vitin 2016, në një galeri në nivelin e tretë, arkeologët dhe restauratorët arritën të gjenin disa mbishkrime në një korridor disi të fshehtë, të cilit nuk i ishte dhënë aspak rëndësi më parë. Ambient anësor, i destinuar për hyrjen e plebejve në shfaqjet e amfiteatrit.
Pikërisht aty, Guiducci vuri re kryqin e kuq, në mesin e grafiteve të zeza, lënë nga vizitorët e kohëve moderne, me emrat, datat e nganjëherë, edhe me vendin e origjinës së tyre. Edhe gjatë kërkimeve të tjera janë gjetur kryqe në Koloseum, në ambientet e brendshme, më afër arenës, në nivelin e parë e të dytë, por kurrë në nivelet e epërme. Mbi sfondin e bardhë të suvasë së korridorit në nivelin e tretë – siç rezultoi më qartë edhe nga dixhitalizimi i imazheve – një dorë e panjohur ka shkruar me të kuqe dy shkronja të mëdha, “T”-në dhe “S”-në e, në mesin e tyre, një kryq. Por cila është domethënia e këtyre shkronjave e pse kryqi është vizatuar në një pozicion disi më të lartë, pikërisht mbi vijën grafike, që lidh bazën e këtyre shkronjave?
Hipotezat e Guiducci-t për Kryqin e Koloseumit
“Hipoteza fillestare – shpjegon Guiducci – ishte ajo e incialeve të një emri si Tarcisius apo Theseus. Por romakët, zakonisht, i shkruanin emrat të plotë”. Kështu, hodhëm idenë se shkronjat simbolizonin thirrjen e spektatorëve të lojrave: “Taurus, taurus, taurus!”. Kjo ishte britma e plebejve, kur demi hynte në arenë, ose fillonte dyluftimin, pasi skllevërit e cysnin me pishtarë dhe me heshta. E kjo hipotezë bëhet më e besueshme po të mendohet se në atë kohë, në Romë, ndër kultet e ndryshme, ishte i përhapur edhe ai në nder të hyjnisë Cibele. Pikërisht në Palatin, më 10 prill të vitit 191 para Krishtit, asaj i kushtohet një tempull. E po në Palatin, Papa kremton çdo vit Udhën e Kryqit, sepse ai është vend simbol, për të cilin tradita e krishterë sjell deri në ditët tona dëshminë e një numri të madh martirësh vrarë në Koloseum. Ndër ta edhe shën Injaci i Antiokisë, i kthyer në Romë në vitin 107, sepse perandori Trajan donte të kremtonte fitoren e madhe kundër dakëve, me 123 ditë luftime “ad bestias”.
“Në atmosferën e vdekjeve në arenë, në gjendje, shpesh, jashtëzakonisht të dhimbshme, dikush – sigurisht i krishterë – deshi t’ia besojë mëshirës hyjnore shpirtrat e të vdekurve”. Guiducci e interpreton kështu zbulimin e vet. E shton: “Ndërsa, nga njëra anë, ngrihej në qiell forca, gjaku, pushteti, nga ana tjetër, një kryq i vogël, mjaft i fshehur, ndoshta, për shkak të persekutimeve, kujtonte një realitet tjetër, të dhimbshëm, por shëlbues”.
Monograma e Krishtit në ambasadën amerikane
Mohimi i persekutimit të të krishterëve në Koloseum “është më tepër ideologji se sa histori”, shpjegon profesori italian, duke nënvizuar se të krishterët vriteshin në arenë “jo në grupe, por veç e veç, të përzierë me të dënuarit e tjerë me vdekje”. Ideologji, sipas Guiducci-t, është edhe mohimi i pranisë së të krishterëve në klasat e pasura. Provë për këtë prani është monograma e Krishtit, gjetur në ambasadën aktuale amerikane në Romë, në zonën ndërmjet rrugës Lucullo dhe rrugës Friuli. Grafitë si ky janë mesazhe të kodifikuara, nënvizon historiani.
“Shekulli i tretë pas Krishtit dhe fillimi i të katërtit u karakterizuan nga persekutime kundër të krishterëve. Prandaj, është e natyrshme të mendojmë se të krishterët, edhe ata të pushtetshmit, i luteshin Krishtit Shëlbues e përpiqeshin të ndihmonin sivëllezërit në fe. Duheshin mbrojtur ata, që ishin diktuar nga autoritetet, ose ata, që ishin në rrezik për t’u gjetur”.
Fakti që monograma e Krishtit (Chrismon) u gjet në kriptoportikun e Horti Sallustiani, në një pronë të pushtetit të atëhershëm politik, provon se së paku disa të krishterë bënin pjesë në ambiente të larta të shoqërisë. “Ndoshta, është fjala për shërbëtorë, ose ushtarakë, por nuk përjashtohet edhe ndonjë i fesë së krishterë ndërmjet autoriteteve politike”, interpreton Guiducci zbulimin e tij të dytë.