Peter Paul Rubens u lind më 28 qershor 1577 dhe u shua më 30 maj 1640. Ai ishte një ithtar i një stili ekstravagant barok që thekson lëvizjen, ngjyrën, dhe ndjeshmërinë. Rubens është i njohur për kundërreformën e tij në portrete, peizazhe, dhe piktura historike të subjekteve mitologjike dhe alegorike.
Në historinë botërore të pikturës, Peter Paul Rubens do të mbamendet jo vetëm si një nga penelatat më të jashtëzakonshëm flamande të barokut, por edhe mishërimi i idilit epik të mitologjisë. Nëse Homeri krijoi një monument të letërsisë klasike, siç ishte “Iliada”, duke ngjizur me nervin, mishin dhe gjakun e së atëhershems, historikën heroike, eposin antik dhe perënditë që na magjepsin, Rubens i jetësoi ato në imazhe, i veshi ato me kurme të fuqishme, duke i pavdekësuar këto trille në kujtesën e përgjithmonshme. Ai e shkroi si pakkush tjetër atë faqe të historisë së njerëzimit, me gjithë shkëlqimin dhe të perëndishmen që arti i penelit dhe pasioni i mjeshtrit e ngriti në mitin në kult. Ai ndërtoi ato altare ku gjunjëzohet çdo përfytyrim dhe magjepset çdo ëndje adhuruese.
Nga jeta e piktorit
* Rubensi ishte njeri shumë i aftë, fliste shtatë gjuhë, njihte mirë poetët më të mëdhenj të Evropës, madje kishte bërë njëfarë antologjie me pjesët më të mira. Prej tyre ai frymëzohej. Kur pikturonte, atij i lexonin me zë faqe nga historia ose tregime të ndryshme. Ishte edhe diplomat i aftë dhe merrte vesh nga shkencat ekonomike e politike. Markezi Spinola, që e njihte nga afër, thoshte se Rubensi kishte aq shumë vlera dhe aftësi të ndryshme si intelektual saqë ajo më e vogla ishte aftësia e tij si piktor.
* Matin Preti, piktor i dëgjuar italian, po vështronte një tablo të Rubensit në një kishë të Avernës. I’u afrua një i panjohur dhe i kërkoi mendimin për pikturën. Preti e lavdëroi shumë, ndërsa i panjohuri e kritikoi ashpër. Kjo skenë vazhdoi gjatë. Piktori italian u fut thellë në argumente për të mbrojtur Rubensin:
– Unë kam ardhur enkas nga Anversa për t’i bërë vizitë këtij piktori. I panjohuri e shoqëroi për t’i treguar shtëpinë e artistit të madh. Kur arritën atje e përqafoi Pretin dhe i tha:
– Rubensi, që ju e mbrojtët aq mirë, jam unë.
* Një ditë te Rubensi u paraqit një alkimist, që i premtoi gjysmën e fitimeve në qoftë se dëshironte të merrte pjesë me një shumë të caktuar të hollash për të kërkuar gurin filosofal.
Njëzet vjet më parë, – u përgjigj Rubensi, – do të kishin mundur të binim dakord, por unë tashmë e kam gjetur gurin filosofal dhe unë nuk nevojë ta kërkoj.
Dhe duke i treguar penelat i tha:
– Ja guri im filosofal.
* Piktori, Kornelio Skut ishte një prej kritikëve dhe armiqve më të egër të Rubensit. Megjithatë Rubensi kur e mori vesh se Skuti kishte mbetur pa punë e vuante nga uria, shkoi vetë dhe u kujdes për ta mbajtur atë me bukë.
* Rubensi rridhte nga një familje fisnike dhe kishte ndrikull një konteshë, e cila e donte shumë, dhe kishte shprehur dëshirën që ai të bëhej ambasador. E ëma, përkundrazi donte ta bënte gjeneral. Kontesha, ndrikulla e tij, e mbante Pierin e vogël në shtëpinë e saj dhe për ta dëfryer e rrethonte fëmijën me të gjitha llojet e lodrave. Një ditë Pieri u zhduk papritur. Shërbëtorët e konteshës e kërkuan fëmijën në çdo qoshe të pallatit. Më në fund e gjetën duke pikturuar me penelat e një piktori që punonte në katin përdhes të pallatit.
Këto ishin prirjet e para të Rubensit të vogël.
* Një prsonalitet i dëgjuar i rekomandoi Rubensit një djalë të ri që ta merrte në studion e tij.
– Në mos tjetër, – i tha Rubensit, – ai mund t’ju ndihmojë për të pikturuar qiellin dhe sfodet.
– Si? Ky djalë që po ma rekomandoni di të bëjë qiellin dhe sfondet? Dërgomani sa më shpejt dhe unë do të marr jo si nxënës por si mjeshtër, sepse prej shumë kohësh po mundohem të arrij të pikturoj qiejt dhe sfonde.