Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Elona Çuliq
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Me qenë. Me lexue. Me ditë me dashtë. Me ditë me vdekë.
Cila është frika juaj më e madhe?
Gjarpëri; frika ma e madhe që njoh për momentin.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ajo që më dha jetë
në të tetëmbëdhjetën ditë të pritjes
të syve drejtuem qiellës në hapje.
Ose siç e thërras unë, mama jeme.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Ka pasë momente që kam dashtë me qenë Ai që ka thanë “I have a dream”. Por jam dhe kam ma shumë se një andërr.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Francezët thojnë “Apprendre par coeur”, ne i thona me mësue përmendsh. Pra, nuk më pëlqen që nuk mundem me nxanë (mësue) përmendsh, edhe pse zemra asht në to, asnjë nga poezitë e mia apo kangët e Nick Cave.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Injoranca. Ku ka injorancë nuk ka komunikim. Ku nuk ka komunikim, nuk e di ça mundesh me ba a me ndërtue me tjetrin.
Në cilat gjëra e teproni?
E teproj duke mos e teprue. Nuk e di nëse të qenurit peshore në shenjën e zodiakut ka ndonjë farë lidhjet.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Preferoj heshtjen në vend të gënjshtrës në çdo rrethanë. Kjo përgjigje nuk asht një gënjeshtër.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga për në mal. Rruga për në shtëpi. Rruga drejt dashnisë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Në të folun mundohem mos me ra në kurthin e përsëritjeve të fjalëve. Mundohem, nuk don me thanë që ia dal përherë. Ndërsa në poezi lëshohem në kurthin e ambël të përdorimit të shpeshtë të fjalëve rranjë e dritë.
Për çfarë iu ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Dashnia më ka mësue me u pajtue me të gjitha. Nuk kam pendime. Keqardhje po, dhe asht në momentin kur kaloj në rrugë e mund të më ikin ndonjë fëmijë, qen a mace pa i buzëqeshë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dashnia ma e madhe asht një vit, 2010, kur u takova për herë të parë me Mevlanen, Rumin.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
U ba dhjetë ditë që e kam mendjen të “zanun” me Prishtinë. Jam e mbarsun me dashninë e këtij qyteti, e padiskutim, me kangën e sorrave që oshëtijnë në mue. I du!
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Me ndryshu një gja don me thanë me ndryshue gjithshka në rrugëtimin e deritanishëm të asaj që kam jetue me atë që jam. Dhe unë nuk du me ndryshue asgja!
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Kur them “Më fal”!
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgja. Ndonjëherë e nza vedin duke dëshirue me pasë ma shumë mbamendje për periudhën e fëminisë. Por, kam mësue me jetue me mos mbamendjen. Asht formë bekimi.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ka jetë mbas vdekjes.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Një korrespondencë prej rreth 300 letrash me miken time të jetës. Ka shumë Unë aty, që duhet me iu rikthye herë mbas here mos me e harrue.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Me jetue pa dashni.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Besoj se jam aty ku duhet me qenë. Por, nëse do kisha zgjedhë një vend, ai do kishte qenë, padiskutim, një mal.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Që di me dashtë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Kur nxjerrë ma të bukurën tek një femër.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Kur ruen feminilitetin. Jetojmë mot të vrazhdë.
Çfarë vlerësoni më së tepërmi tek miqtë tuaj?
Kohën. Vitet që jena bashkë. Fakti që për asgja nuk kena lejue me humbë vedin dhe njeni-tjetrin. Asht ndjesi e bukur me u kthye në kohë dhe me pa që ke afër po të njëjtit miq që ke pasë para 10 vitesh. Por jeta asht bujare, asht ma shumë se kaq, na takon me miq të rinj, që në dashni e afërsi janë të një jete të tanë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
A mundem me thanë kangautorin ma të preferuem të lutem: Nick Cave.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Fëmijët.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Nuk më pëlqen me e përqendrue të menduemit në gjanat që do të kisha dashtë me pasë. Çmoj shumë atë që m’asht dhanë: të shkruemit. Po punoj përditë e ma shumë që me e përmirësue dhe me e ba ma të qashtër e ma të bukur atë që du me thanë e dhanë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Me buzën në gaz.
Cila është motoja juaj?
Asht një thanie me dritë e Rumiut “Don’t grieve! Everything you lose comes round in another form”. E kam për zemër, e kam moto, siç po i thonë./ Gazeta Observer