Nga Albert Vataj
Një nga gjenitë e muzikës, një nga magjistarët e këtij arti magjepsës, ai që do të mbetet përjetësisht një ëndje e gjeneratave si mjeshtri i mjeshtrave, ai, Wolfgang Amadeus Mozart, iku duke lënë pas më shumë se trishtim. Iku në një rrugë pa kthim dhe humbi në asgjënë e harrimit atë mbasdite të sertë dhjetori. Iku për të mbetur pa varr. I’u dha një lamtumire aspak dinjitoze. Gjithçka e madhështisë së tij ishte katandisur në një asgjë 5 dhjetorin e vitit 1791, atë ditë kur kortezhin e përmortshëm e shpartalloi stuhia duke lënë pa zot arkivolin me trupin e pajetë të gjeniut.
Plot 118 diagnoza vdekjeje u përpiluan dhe krijuan panoramën morte të fundit të këtij gjeniu. Asnjëra prej tyre nuk u bë provë më shumë se sa ajo për të cilën shtypi vjenez pëshpëriti, ditë e vite më pas.
Ai që kishte mrekulluar e magjepsur një shekull të tërë kishte përfunduar në një varr të përbashkët. Një vdekje e mbetur mister, pas të cilës ngrihet alibia e një helmimi nga rivali dhe armiku i tij i përjetshëm, Antonio Salieri. Një lamtumirë e ndëshkuar nga moti dhe një pasvdekje që rrit famën e muzikës së tij, dhe bën me faj gjithçka që gëloi më pas, ndoshta më shumë se askënd bashkëshorten e tij. Ishte ajo, Kostanca, e cila u nda jo me aq dhimbje nga bashkëshorti i saj, se sa me merakun për të përfituar nga emri dhe nga pasuria muzikore që Mozart kishte lënë. Pasi kishte përfituar pension, kishte hequr qafe fëmijët duke i degdisur ata të rriteshin pa prindër, plot 18 vite nga vdekja e bashkëshortit ajo kujtohet të shkojë në varrezat e Shën Markut ku gjeniun e muzikës, të nesërmen e ceremonisë mortore, varrmihësi e kishe hedhur arkivolin me trupin e tij në një gropë të madhe e të thellë. Ishte ajo gropë ku zakonisht varroseshin vrasës, lypsarë e të pastrehë që ngrysnin ditët e mjera të agonisë në shtretër spitalesh apo shtëpi bamirësie. Kostanca Mozart ishte kujtuar shumë vonë për varrin e të shoqit. Kishin kaluar kaq vite. Kujdestari plak që atë mëngjes të 6 dhjetorit të vitit 1791 së bashku me arkivolet e tjerë të pjesës mjerane të shoqërisë kishte hedhur në gropën e përbashkët gjeniun e muzikës, nuk jetonte. Ajo, gruaja që u nda së gjalli e së vdekuri me njeriun që e bëri atë të pavdekshme, e kishte të pamundur mes atyre kockave, të gjente ato të bashkëshortit, atë grusht eshtra që ajo i kishte bluar dhe ngrënë për 18 vite pa u brejtur në ndërgjegje as si nënë, as si bashkëshorte.
Dhe kështu, historia e artit, bota e muzikës, kujtesa e kohërave u ndanë me Wolfgang Amadeus Mozart kaq tragjikisht, për të mbetur përgjithnjë të mbështjellë nga aureola e famës së tij, nga magjikja e muzikës që la testament njerëzimit.
Nata misterioze
Në vitin 1791 një i panjohur i tha Mozartit:
– Shkruamëni një Rekuim.
Tha këto fjalë misterioze dhe i panjohuri iku, pa u dukur fare sikurse edhe kishte ardhur dhe nuk u pa më.
Mozarti pati një mbresë të thellë nga ky takim. E shkroi Rekuimin me një forcë misterioze dhe pak ditë më vonë vdiq.
Ditën që vdiq Mozarti ishte një furtunë e madhe që vazhdoi edhe të nesërmen. Kjo pengoi edhe njerëzit më të afërm që të merrnin pjesë në varrim. Të vdekurin e çuan në varreza të pashoqëruar puthuaj nga asnjeri.
Tri ditë më vonë e shoqja shkoi në varreza për të parë vendin ku ishte varrosur burri i saj.
– Wolfgang Amadeus Mozart? – pyetën varrmihësit.- Nuk e kemi dëgjuar këtë emër dhe nuk kemi varrosur njeri me këtë emër.
Mozartin e madh, në atë stuhi të tmerrshme të natyrës e kishin varrosur shpejt e shpejt në një varr të zakonshëm ku shiu i zhduku shenjat e grumbullimit të dheut. Edhe sot nuk dihet me saktësi vendi se ku pushojnë eshtrat e kompozitorit të shquar.