Shkrimtari i shquar meksikan Karlos Fuentes dhe miku më i afërt i nobelistit Gabriel Garsia Markes, kaloi një fëmijëri dhe adoleshencë të gëzuar. Por jeta e tij familjare qe e mbushur, njëherazi, me lumturi e dhimbje. Fuentesi shquhej për bukurinë e tij mashkullore dhe shijen e hollë për t’u veshur, gjë që bëri të adhurohej prej femrave të kohës dhe sërës së tij. Më 1958, kur ishte 30 vjeç, Fuentes ra në dashuri me aktoren e famshme meksikane Rita Masedo (María de la Concepción Macedo Guzmán), e cila ishte tre vite më e madhe dhe që la burrin e dytë për shkrimtarin e ri simpatik. Bashkë patën një vajzë. Edhe pse Fuentesi e donte shumë, Rita divorcohet (1969) për shkak të tradhëtive të tij me të tjera femra. Rita, më 1993, kur ishte 67 vjeçe, vret veten, pasi merr vesh se ishte me kancer. Kjo e plagosi Karlosin.
Po atë vit (1969) Karlosi martohet me aktoren amerikane Jean Seberg që ishte dhjetë vjeçe më e vogël. Pas një romance intensive, por të shkurtër, pas pak muajsh ata ndahen. «Ishte brilante, inteligjente, e bukur… ishte një femër mjaft vunerable.», thotë Fuentes për të. Më 1979, kur ishte ende 41 vjeçe, edhe Jean Seberg i jep fund jetës, duke gëlltitur një mbidozë barbirutikos.
Më 1971 Fuentes humbet të atin, me të cilin ishte i lidhur shumë. Por, po atë vit u njoh me gazetaren Silvia Lemus, gjë që do ta quaj ngjarje vendimtare në jetën e tij. Pas një viti u martuan. Bashkë patën dy fëmijë: Karlosin dhe Natashën. Më 1999, kur sapo kishte mbushur 25 vjeç, biri i tyre, Karlosi, që vuante prej hemofilisë qysh i vogël, vdes. Dhimbjen për të Fuentes e tregon tek eseja e mësipërme. Por fatkeqësia nuk do të mbaronte këtu. Më 24 gusht të 2005-s, në gazetat e mbrëmjes njoftojnë se diku pranë lagjes Tepito të kryeqytetit qe gjetur trupi i pajetë i vajzës së Karlos Fuentes. Natasha sapo kishte mbushur 30 vjeçe.
Në tekstin kushtuar fëmijëve të tij, shkrimtari do të shkruajë për Natashën: «Ishte një vajzë lojcake, e gëzuar, plot imagjinatë dhe humor. Iluzioni i madh i një prindi është që bija e tij të jetë përherë një burim dashurie dhe përherë ta shikojë në sallon duke kërcyer…»
Më 23 korrik të këtij viti, kur Karlos Fuentes bën tre vjet që s’është më, Silvia Lemus prezantoi librin me kujtime për të shoqin, me titull “Shkrime dhe përshkrime”
“Silvia”
E para dhe e fundit, thotë Gerard de Nerval te poezia e mrekullueshme «Artemisa»… «Et c’ést toujours la seule – ou c’ést le seul moment*»… Nëse gjithë femrat që kam dashur do të përmblidheshin në një të vetme, do t’i përfshinte të gjitha ajo, do të ishte ajo, e vetmja grua që kam dashur përgjithmonë. Ato të gjitha janë yje, por Silvia është vetë galaksia. Ajo i rrok të gjitha. Ajo është bukuria, kënaqësia erotike, por edhe thjeshtë mrekullia për të qenë së bashku, për të ngrënë, për të fjetur dhe për t’u zgjuar së bashku, për të shëtitur dhe udhëtuar së bashku, për t’i pasur miqtë së bashku, për t’i ndarë të gjitha së bashku mëdyshjet, planet, të metat, gabimet, dashurinë; duam dhe atë që mund të mos na pëlqejë apo të na pezmatojë në personalitetet dhe sjelljet tona. E përbashkët kënaqësia për të pasur fëmijë dhe hidhërimi për t’i humbur ata. Të përbashkëta kujtimet, respekti për të shkuarën dhe shijet e ndryshme. Bashkëpërmbushja profesionale, intelektuale dhe emocionale: jemi të ndryshëm, por secili i jep tjetrit diçka që të mos i mungojë më, në mënyrë që e imja ndikon tek ajo, ashtu siç ndikon e saja tek unë. Ndërthurje gjenealogjish, miqësish, qytetesh të preferuara; vogëlima shkëlqimtare të ngrënash, restorantesh; pasioni ynë i përbashkët për kinemanë, teatrin, operën. Çdo gjë që na bashkon, madje edhe ajo që mund të na ndajë, kthehet në një pikë takimi, hetimi dhe në fund bashkimi. Fizikisht jemi shumë të ndryshëm. Ajo është delikate, vajzë e çlirët, bionde dhe me ca sy sensualë që ndërrojnë nga e kaltra në të gjelbër apo në gri, sipas kohës. Pamja e saj është europiane, por cipën e ka të brymtë, me një vezullim të bukur oriental. Shija e saj për t’u veshur është e jashtëzakonshme dhe më kënaq. E dua sepse unë jam njeriu më i përpiktë mbi këtë tokë dhe ajo, me përpikëri, mbërrin gjithnjë me vonesë. Është pjesë e magjisë së saj. Të bën të presësh. Europianët e shekullit XVII prisnin që vdekja t’u vinte nga Spanja, në mënyrë që të arrinte sa më vonë. Jo, mua dhe asaj na mbërriti shpejt, kur humbëm Karlosin. Të bashkuar përgjithmonë, na erdhi një vdekje që na bashkoi më shumë se kurrë. Ajo e ka pranë Karlosin çdo çast. Mua, më pak i ndjeshëm apo më burracak, më është bërë zakon ta thërras tim bir, me një forcë që vetë mua më habit, gjatë kohës kur shkruaj. Ky është momenti kur im bir vjen pranë meje, dhe ndiej se gjatë përpjekjes sime të përditshme për të shkruar, ai e përmbush qëllimin e tij të cunguar. Kësisoj, ndodh që gjithçka zgjatet dhe kthehet për t’u mishëruar në bashkimin e një çifti. Ka thënë Apolineri se ka nga ata që vdesin për të qenë të dashuruar. Në rastin tonë, biri ynë është gjallë, sepse dashuria që na bashkoi (Silvian, Karlosin dhe mua) është e gjallë në jetët tona. Ama është ajo, gruaja, e cila zbulon aftësinë për ta bërë dashurinë të veçantë dhe përfshirëse. Është ajo, Silvia, e cila kurorëzon ngrohtësisht përpjekjen time vitale për t’i kushtuar vëmendje seksuale, erotike, politike, letrare. Tregohu i vëmendshëm, ndryshe nuk do të kesh të drejtë që të të dua dhe të më duash. Miku ynë i shtrenjtë argjentinas, Tomas Eloi Martines, kur humbi gruan e tij të bukur Suzana Rotker shkroi një rekuiem të fuqishëm dhe të dhimbshëm që përfundonte kështu: «Do të jepja gjithçka jam dhe gjithçka kam për të qenë në vendin e saj. Sa do të doja ta shihja të plakej! Sa do të doja që ajo të shihte vdekjen time!»
Një çift nuk e di se cili do ta përcjellë tjetrin apo nëse do të vdesin së bashku. Veç ai që mbetet pas, nuk do të jetë thjeshtë një i pikëlluar, por një përfaqësues i vdekjes. Dashuria që vazhdon edhe pas vdekjes quhet eros. Ajo vazhdon edhe pas netëve, ditëve dhe viteve me gjallje, kur nuk është më, por vetëm përmes imagjinatës erotike. «Erotizëm do të thotë ta miratosh jetën deri në vdekje», thotë Georges Bataille te romani i shkrimtares britanike Emily Bronte, «Maja të stuhishme». Seksualiteti të çon drejt vdekjes, sepse të riprodhohesh do të thotë të zhdukesh. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh jetën erotike pas zhdukjes së çiftit. Të kuptosh këtë do të thotë t’i shtosh në maksimum mardhëniet seksuale të së tashmes, duke u zbrazur, erotikisht, gjithë kohën dhe në çdo moment, që fizikisht s’ka për t’u kthyer më.
Pra, vallë a nuk duhet pasur edhe në dashurinë më të plotë një paraprirje humbjeje që ta intensifikojë të tashmen?
Nganjëherë, duke parë Silvian që fle, do të doja t’i vidhja emrin, pamjen, përvojën dhe të qenit zot absolut i ekzistencës së saj, rojtari xheloz i të fshehtave të saj. Pa atë, vetëm e përfytyroj dashurinë përpara një pasqyre që dridhet nga kujtimet. Kthehem i nxituar, i shqetësuar dhe i uritur pranë saj. E trajtoj trupin e saj si të ishte imi. Me Silvian mësoj të jem, i apasionuar e njëherazi ta respektoj trupin femëror të bashkuar me trupin tim. E lëvdoj vetëm në emër të përsosmërisë që i dhuroj, edhe pse nuk është, dhe që ajo ma ofron, edhe pse nuk e shikon.
Çdo natë lë një shënim të padukshëm mbi nënkresën e saj që thotë: «Sa më pëlqen!»
Gratë janë udhëtare të agimit. Secila prej tyre është bartëse e një fati të ndryshëm. Fati im ka qenë të gjej Silvian dhe ta kthej fatin tim në të sajin.
—————————————————-
*Dhe është përherë e Vetmja – apo është i vetmi çast…
Në shqip: Bajram Karabolli/ revistasaras.al/