Në jetën e një burri ka shumë gra, ashtu siç ka shumë burra në jetën e një gruaje. Pavarësisht nevojës gjithnjë alarmuese për ta mbajtur veten larg kësaj ligjësie të ndëshkuar nga çdo normë dhe ligj, kod e kanun, si për tu distancuar jo dhe aq nga një e keqe ndëshkuese, se sa një telash, përgjithësisht udha jonë kalon përmes një fushe të minuar, ku jo të gjithë arrijnë i’a dalin, por askush nuk shpëton.
Në jetën e një burri ka nga ato gra, që e duan, nga ata që e çmojnë dhe nga ato, të cilave burri u duhet. Përgjithësisht, një burrë është i dashuruar nga ato gra që e çmojnë, por edhe u duhet. Ata burra që gratë i çmojnë, atyre edhe u duhen. Atyre grave, të cilave burrat u duhen… u duhen dhe vetëm kaq.
Po burrave?
Burrave, gratë u duhen, madje edhe atëherë kur janë të dashuruar marrëzisht pas tyre… atyre sërish ata vetëm u duhen. Përgjithësisht burrat nuk dinë të dashurojnë, pasi atyre u kanë mësuar vetëm se si të duan. Ato meshkuj që duan, dashurojnë dhe çmojnë, janë privilegj i pak grave, të cilat jo gjithnjë janë mirënjohëse kësaj bujarie, me të cilat fati i ka shpërblyer.
Në jetë, marrëdhëniet e një burri me gratë janë të rëndësisë thelbësore. Si të tilla ata gjithnjë janë bërë shkas gojimesh dhe përkufizimesh, janë përshkuar prej definicionesh anatemuese nga përvoja të mrazta personale, dhe kanë rrokur glorifikime llamburitëse prej atyre mendjeve, të cilat nën efektin dehës të epshit nuk kanë gjetur qiell për t’i bërë fole idilit të asaj gruaje që e ka magjepsur, duke i’u ofruar si e mundshme mrekullimi.
Janë gatuar kaq shumë perifrazime, shprehje, dehje dhe lajthitje. E popullojnë kaq dendur këto lëndina me lule shumëngjyrëshe e aromëmira, këto shtigje të mrazta plot ferra e territje, grishjen tonë për të mbushur një boshllëk që e gërryen një zhgënjim, ashtu sikurëse për të na zbrazur atë ngopje që çon në velje. Të gjitha këto gostitje janë shtruar në tryezat e ëndjes tonë për të shuar atë uri, e cila veç se na bën më të babëzitur.
Përvojat personale janë kryesisht kudhrat ku janë temperuar këto yje vezullues dhe zhigjeta zemërshpuese. Gabimisht ne gjithnjë i marrim ato si busull orientimi në rrugëtimin e vështirë të njohjes së gruas dhe marrëdhënies me të, ndërkohë që eksperiencat tona mund të mos kenë asfare lidhje me kohën kur një situatë ka yshtur një mendim dhe formalizuar një definicion. Është fare e lehtë të konstatosh se dy palët, si gratë ashtu edhe burrat janë kaq ethshëm të interesuar për maksima, shprehje frazologjike, apo siç duan ti quajnë, urtësi.
Duke qenë se kohëve zakonisht i ka mbijetuar mendimi i shkrimtarëve, filozofëve, artistëve, janë jetët e tyre, marrëdhëniet e tyre, të cilat në shumësinë e herëve kanë qenë udhëtuese nëpër një terren të thyer, kësisoj ata gjithnjë kanë mëkuar perifrazime personale të këtyre marrëdhënieve duke na i servirur si përgjithësuese dhe psalmet e zotërimeve.
Po, a ngjajnë jetët tona?
Përgjithësisht po, specifikisht jo.
Në këto rrethana, mendimet e tyre duhet parë gjithnjë me rezerva, jo vetëm për faktin e përkatësisë veriake, se sa edhe për koherencën e tyre. Shoqëritë kanë evoluar, mendësitë gjithashtu kanë pësuar transformime deri në tjetërsim, për pasojë edhe atributi i përputhshmërisë së ligjërimeve të kohës konsiderohen si bastione të rëna. Një shprehje frazologjike mund të ju pëlqejë, mund ta përdorni si armë dhe si mburojë, por ajo vetëm sa do ta vështirësojë qartësinë e të menduarit dhe ta pamundësojë kthjelltësinë e pamjes, siç e ka të pamundur të të ofrohet si alternativë zgjidhjeje të një çështje apo të një marrëdhënieje. Shkrepëtimat e vetëtimave nuk mund të jenë udhërrëfyes të shtegrarit nëpër natë me stuhi.
Gjithsesi secili ka përvojën e duhur të vlerësoje nëse Balzaku ka të drejtë kur thotë se: “Femra është mbretëreshë e botës, por skllave e dëshirave”, apo Wilde, i cili përkufizon: “Ekzistojnë vetëm dy lloje femrash: ato që flasin gjithmonë dhe ato që nuk heshtin kurrë”, apo Rihter që menon se: “Te femra gjithçka është zemër, bile edhe koka”.