Më 27 tetor 1782, u lind në Genova, Niccolò Paganini, më i magjishmi i violinës, kësaj vegle muzikore që nisi rrugëtimin e vet mrekullibërës që në antikitet, për t’u njohur në Italinë e shekullit XVI si një dimension etern joshjes estetike. Violina nuk ka njohur në historinë e ekzistencës së saj një virtuoz më të zotin se Nikolo Paganini. E çfarë nuk është thënë dhe sendërtuar për ta ngecur në kurthin e legjendës. Gjithë kjo për ta shëmbëllyer të përplotësuar atë çfarë ky gjeni kumtoi e kurorëzoi. I madhi Robert Schuman që ka thënë: “Paganini ishte pikë kthese në historinë e virtuozitetit”.
Talenti i tij i jashtëzakonshëm mendohesh se ishte rezultat i një pakti me “djallin”, ai luante në violinë si një magjistar. Ndërsa kur Paganini luajti për herë të parë në La Scala të Milanos me 1813, një kritik Italian shkruante: “Ai është pa asnjë dyshim violinisti më i madh në botë. Interpretimi i tij ishte vërtetë i papërfytyrueshëm. Pasazhet e tija gjatë luajtjes në violinë, kërcimet e harkut dhe akordet asnjë herë nuk janë dëgjuar nga ndonjë violinist”. Referohet se princesha Eliza e Lucas, motra e Napoleonit e kishte të pamundur ta dëgjonte pa i rënë të fikët, dhe se kompozitori Rossini qante si vajzë e vogël kur dëgjoi Paganinin të luante për herë të parë. Ky ishte Paganini, ajo perëndi e ardhur nga Olimpi si shëmbëllimi i një afrie të toksores me hyjnoren.
Paganini ndërroi jetë në Francë me 27 maj të vitit 1840, si arsye e një sëmundje të fytit. Përpara se të vdiste kishte lënë amanet të mos ti bënin një varrosje kristiane. Trupi i tij, ashtu sic thotë i biri më vonë, mbeti i pavarrosur deri në vitin 1845, pasi priftërinjtë refuzonin të varrosnin dikë që kishte refuzuar besimin e krishterë. Nikolo Paganini ishte një artist i shkëlqyer, që magjepste me talentin e tij dhe me të drejtë emri i tij ndodhet në listën e shkurtër të violinistëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave. Muzika e tij frymëzoi shumë njerëz, dhe pavarësisht shpifjeve kundrejt tij ai krijoi dhe la pas një trashëgimni të madhe, një pasuri për të gjithë njerëzimin.
***
Paganini mërzitej shumë kur e ftonin për drekë apo për darkë, sepse duhej të luante disa pjesë për të kënaqur të ftuarit.
Atyre që i thoshnin “Hajde për drekë por mos harro violinën”, ai i përgjigjej:
Violina ime nuk ha kurrë jashtë shtëpisë.
***
Një pianist po mburrej se në koncertet e tij kishte aq shumë dëgjues, sa që mbusheshin edhe korridoret.
– Kjo nuk është asgjë, i tha Paganini, – në koncertet e mia ka aq shumë njërëz aq që unë jam i detyruar të rri më këmbë.
***
Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Milano, Paganini po shëtiste nëpër një rrugë të parëndësishme duke mbajtur violinën e tij të mrekullueshme nën sqetull. Kur ndjeu erën e peshkut të skuqur, u drejtua nga restoranti aty pranë. Pronari i doli përpara dhe e shtyu me përçmim. Ai i tregoi një tabelë mbi portë ku shkruhej: “Ndalohet hyrja për muzikantët shetitës”.
***
Për interpretimin e mrekullueshëm të Paganinit u krijuan legjenda të tëra… Thonin, për shembull, se ai kishte qenë i dënuar me burg të rëndë për vrasje dhe i ishte kushtuar magjisë për të fituar zanatin e djallit.
Kjo legjendë u mor në atë kohë prej shumë njerëzve si e vërtetë. Disa prej tyre pohonin se e kishin parë me sytë e tyre kur Paganini ekzekutonte dhe djalli i mbante harkun.
***
Kur ishte dhjetë vjeç Paganinin e dërgoi i ati në Parma pranë profesorit të famshëm Aleksandër Rola për të marrë mësime në violinë. Kur profesori e dëgjoi fëmijën tek luante një koncert të vështirë të kompozuar prej tij, i tha:
– Në qoftë se ke ardhur për të mësuar, unë nuk kam se ç’farë të të mësoj.
***
Megjithëse e quanin koprac Paganini ishte shumë i gatshëm që t’i ndihmonte të gjithë ata që ishin në hall. Është shumë e njohur bujaria e tij për Berliozin, i cili kur ishte i panjohur nuk kishte asnjë dysh për të jetuar. Kur doli për të dhënë koncert ishte edhe Paganini, i cili e kuptoi se ç’gjeni në muzikë ishte Berliozi. Kur u ngjit në skenë për ta uruar, u ul në gjunjë te këmbët e tij dhe i tha se ai ishte mbreti i të gjithë muzikantëve që ishin gjallë.
***
Paganini takoi në rrugë një djalë të vogël e të varfër, që i binte violinës. Iu afrua, e pyeti dhe mësoi se ai i binte violinës për të siguruar ushqimin e nënës së tij të sëmurë dhe të dy motrave të vogla që kishte në shtëpi. Paganini u mallëngjye shumë, e mori në dorë instrumentin dhe nisi t’i binte në mes të njerëzve që grumbulloheshin nga të katër anët për të dëgjuar violinistin e famshëm. Shumë shpejt u mblodh një turmë e madhe përreth violinistit. Kur mbaroi së rëni violinës në kapelën e tij u grumbulluan shumë monedha, të cilat ia la djalit të vogël.