Njeriu që ka ndikuar më shumë te Zefi i vogël ka qenë një frat që kishte ardhur nga Italia, një italo-arbëresh i Pulias (“da Greci di Puglia”). Ai quhet Leonardo de Martino dhe është famullitari i Troshanit (dhe i fshatit Fishtë) që pagëzoi Zefin në ditët e para të jetës. Sigurisht ai është edhe njëri ndër françeskanët e Kuvendit të Troshanit që ka vlerësuar zgjuarsinë dhe zhdërvjelltësinë e zadrimorit të vogël teksa lëshonte shtat dhe rezatonte talent. At Leonardo de Martino, gjithashtu, duhet të ketë qenë edhe njëri ndër mësuesit e parë të Zefit të vogël në Shkodër (dhe Troshan), për deri sa në ato kuvende ai bënte edhe punën e mësuesit.
Fëmijëria e Poetit Kombëtar Gjergj Fishta është e lidhur me fshatin Fishtë të Zadrimës, ku ai ka lindur më 23 tetor 1871 dhe ka qenë pagëzuar me emrin Zef (vdiq më 30 dhjetor 1940). Pastaj lidhet me Shkodrën ku muar mësimet e para. Dhe, më tej, me Kuvendin e Troshanit, në kolegjin teologjik të të cilit nisi rrugën e françeskanit (1880-1886). Ishte fëmija më e vogël (pas dy vëllezërve dhe një motre) i nënë Prendës dhe babë Ndokës.
Françeskanët e Kuvendit të Troshanit, duke parë zgjuarsinë dhe talentin e spikatur të Zefit të vogël, e afruan për ta shkolluar qysh në fëmijëri me parimet e tyre të të Varfërit të Asizit. Për këtë qëllim e dërguan fillimisht në shkollën e françeskanëve në Shkodër diku rreth viteve 1878-1880.
Ishin vitet kur qyteti më skajor i Perandorisë Osmane, Shkodra, ishte vënë në krye të zhvillimeve për mbrojtjen e trojeve shqiptare në kuadrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njeriu që ka ndikuar më shumë te Zefi i vogël ka qenë një frat që kishte ardhur nga Italia, një italo-arbëresh i Pulias (“da Greci di Puglia”). Ai quhet Leonardo de Martino dhe është famullitari i Troshanit (dhe i fshatit Fishtë) që pagëzoi Zefin në ditët e para të jetës. Sigurisht ai është edhe njëri ndër françeskanët e Kuvendit të Troshanit që ka vlerësuar zgjuarsinë dhe zhdërvjelltësinë e zadrimorit të vogël teksa lëshonte shtat dhe rezatonte talent. At Leonardo de Martino, gjithashtu, duhet të ketë qenë edhe njëri ndër mësuesit e parë të Zefit të vogël në Shkodër (dhe Troshan), për deri sa në ato kuvende ai bënte edhe punën e mësuesit.
Madje, në Shkodër De Martino na paraqitet me një tekst dramatik origjinal të shkruar në gjuhën shqipe (“Nata e Këshnellave”). Është i pari tekst i shkruar për t’u interpretuar dhe që u inskenua prej nxënësve të shkollës Françeskane. Ne kemi një dëshmi me shkrim që na bën me dije se ajo dramë baritore (“dramma pastorale”) është luajtur disa herë me sukses (duke filluar nga data 24 dhjetor 1880 deri më 6 janar 1881) dhe autori i saj (Leonardo de Martino) është përgëzuar prej kolegëve të vet se ka arritur të prekë shikuesit (publikun) e pamësuar me shfaqje teatrore. Sot kemi edhe tekstin e dramës të botuar në vëllimin poetik të Leonardo de Martinos (“L’Arpa di un italo-albanese”/ “Harpa e një italo-arbëreshi”, Venezia, 1881, 442 f.), që i bie të jetë drama e parë shqipe (në Letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare) dhe shfaqja e parë teatrore (e Artit Skenik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare) që nis rrugëtimin e vet si lëvizje amatore në qytetin e Shkodrës.
Zefi i vogël (Gjergj Fishta) duket se e ka parë këtë shfaqje kur është luajtur në altarin e Kishës së Fretërve dhe/ose në atë të Kishës së Murgeshave Stigmatine. Më vonë Fishta do të merret edhe vetë me dramaturgji, duke i hapur rrugë teatrit në gjuhën shqipe, ashtu si kishte bërë me gjuhën e mësimit në shkollat françeskane ku, pas viti 1902, përdorej vetëm gjuha shqipe.
Fishta, për të cilin thuhet se në fillimet e tij poetike, kur ishte ende student, “edhe imitue e ka Leonardo de Martinon” (D. Gjeçaj), mësuesin e vet të parë, është angazhuar qysh heret me përshtatjen e pjesëve teatrore dhe me krijimtari origjinale për skenë. Dhe jo vetëm kaq. Përmes kontakteve me poetin shqiptaro-arbëresh dhe me veprën e tij letrare, Poeti ynë Kombëtar u mëkua shëndetshëm me parimet e romantizmin italian (edhe europian) ashtu si kishte ndodhur edhe me të tjerë shkrimtarë shqiptarë kur kishin rënë në kontakt me veprën e De Radës, Serembes, Skiroit etj.
Nuk mund të thuhet me siguri, nëse Fishta i ri e dinte më parë se të botohej “L’arpa…”, se frati arbëresh i Troshanit, që fliste një shqipe kaq të bukur, shkruante po kaq hijshëm edhe poezi të frymëzuara për atme e fe. Por do të sjell ndër mend një rast që na bind se Gjergj Fishta e ka mbajtur atë libër (“L’Arpa di un italo-albanese”) gjithnjë të hapur mbi tryezën e vet të punës qysh në rininë e tij të hershme.
Madje, kur Zefi i vogël (emri i pagëzimit), u bë poeti i madh Gjergj Fishta (emri si françeskan), tek po kthehej nga Franca (ku kishte përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris), bën një ndalesë kortezie në kuvendin françeskan të Sarnos (Itali), thjesht për t’u përshëndetur me mësuesin e vet 90-vjeçar, Leonardo de Martinon: “një takim vërtet prekës në mes të mësuesit të madh dhe nxënësit të madh” (R. Petrotta).
Më 1880 Zefi i vogël, djali i Ndokës (Ndoka i Simonit të Ndocit nga fshati Fishtë – Zadrimë) dhe i Prendës (Prenda e Lazer Kaçit nga fshati Kotërr – Zadrimë) kthehet nga Shkodra për të vazhduar mësimet teologjike në Seminarin e sapoçelur të Troshanit. Ai është vetë i gjashti student (të gjithë të veshur me zhguna deri në fund të këmbëve dhe me sandale pa çorape) që kanë nisur një jetë të re, në një familje të re, që është kolegji (apo kuvendi) i françeskanëve. Në këtë familje prindërit dhe vëllezërit e motra do t’i mungojnë, por ata vijnë për ta takuar herë pas here në Troshan kur kalojnë andej pari për punët e tyre të përditshme apo për të ndjekur meshë dhe veprimtari të tjera kishtare.
Disa biografë të shkrimtarit të ardhshëm vënë në dukje se Zefi i vogël kishte qenë një bari fshati që kulloste kecat (apo qingjat) kur jeta e tij mori rrugën e një françeskani të ri dhe më pas u bë ai që u bë. Mua nuk më vjen për mbarë ta konsideroj një fakt të tillë. Zefin, më parë se ta shkollonin, e shoh si fëmijë të një konaku zadrimor të madh: me 96 frymë (Shih Gjergj Frani, “Miqtë e Fishtës ose rikthimi i Pater Gjergjit në vendlindje”, Lezhë, 2017, f.11). Disa prej familjarëve të Fishtës i gjejmë në një fotografi të vitit 1922 ku numërohen 21 persona të kësaj familje (nipa, mbesa e kushërinj) së bashku me Gjergj Fishtën, të cilët i ka identifikuar një për një i njëjti autor (Gjergj Frani, vepër e cituar, f.125).
Në një shtëpi kaq të madhe fëmijët e vegjël (6-7 vjeç) nuk angazhohen me punë jashtë oborrit të shtëpisë. Pastaj duhet ta kemi parasysh se Zefi ishte më i vogli i të katër fëmijëve të çiftit Ndoka – Prenda. Më parë se t’i vinte radha atij për të bërë bariun, vëllezërit më të rritur mund ta mirrnin me vete për ta mësuar ose thjeshtë për t’u argëtuar…
Ne deri sot dimë se njëri vëlla, Simoni (shkurtimisht: Çupi), lindur më 1867(?), u vra më 1899. Ndërsa vëllai më i madh, Leka (1865-1921) vdiq kur Gjergji (Gjergj Fishta) ishte në Konferencën e Paqes në Paris (18 janar 1919 – 21 janar 1920). E motra, Lena, duket se jetoi më gjatë (+1948). Ajo duhet të ketë lindur para vitit 1871 dhe pas vitit 1867. Një dëshmi për të na vjen prej Pal Duka-\Gjinit (Daniel Gjeçajt), i cili e ka njohur personalisht. Prej Gjeçajt na vjen edhe një elegji (fragment) e saj për një vëlla, ndoshta, për Fishtën.
Duke njohur nga afër atë motër dhe aftësinë e saj për të improvizuar vargje (elegji), Daniel Gjeçaj ka shtruar tezën se Gjergj Fishta kishte një talent të trashëguar familjar për të krijuar vargje gjithfarëshe: edhe shpotitës. Familjarët e Gjergj Fishtës, ndoshta të gjithë, e kishin këtë aftësi: edhe nënë Prenda e babë Ndoka, edhe të dy vëllezërit e tij, edhe disa kushërinj e kushërira… Madje, në aftësitë natyrore të kësaj familjeje, Daniel Gjeçaj përfshinte edhe përdorimin prej tyre të ironisë, që shpërthente edhe më e fuqishme në vargje të rimuara, aq sa, sipas tij, Çupi u vra edhe për shkak se kishte rënduar me fjalë shpotitëse të rimuara një kundërshtar të vetin në lojën e kapuçave (lojë popullore që shoqërohej me vargje të improvizuara llafexhore). Gjithsesi, ashtu si mund të hetohet se edhe sot e kësaj dite, në Zadrimë (dhe më gjerë) ka ende individë që rimojnë me lehtësi vargje gjithfarëshe, disa prej të cilëve (vargjet) përcillen gojë më gojë derisa e humbasin autorësinë. Unë kam njohur disa improvizues të tillë, të cilët në Shkodër i quajnë bejtexhinj.
Për mësimet e para të Zefit në Shkodër (klasët fillestare) dhe në Troshan (klasët e para teologjike) ne nuk kemi informacion të mjaftueshëm. Mund të përsërisim ndërkaq thënien e një bashkënxënësi të tij që e veçon si studentin më të mirë, i cili dallohej prej të tjerëve për zgjuarsi natyrore, rendiment të lartë në orët e studimit dhe kujtesë të palimituar.
Një anekdotë shpjegon se si ra në sytë e françeskanëve të Troshanit Zefi i vogël. Ai kishte ardhur si zakonisht me të dy vëllezërit e vet nga Fishta për të luajtur me fëmijët që mblidheshin te sheshi i fshatit Troshan (në oborrin e kishës). Kur më të rriturit organizoheshin në lojrat e tyre, Zefi i vogël sajonte lojëra vetjake me guralecat e përroit.
Atë ditë kishte bërë një ndërtesë: ishte kisha dhe kuvendi i Troshanit, ashtu siç i shihte ai. Ndodhi që aty pari kaloi frati i Troshanit. Ai i donte shumë fëmijët, por edhe fëmijët e donin atë, sepse u mësonte këngë të bukura, të cilat i shkruante vetë. Ai qëndroi pa folur, derisa Zefi u ngrit për të gjetur disa guraleca të tjerë, se i munguan për dritaret e kuvendit. “Sa bukur,- i tha frati me zërin e tij të ëmbël,- po ti qenke artist i vërtetë! I kujt je?”
Dhe pas asaj dite Zefi i vogël do të fillojë të pikturojë nën kujdesin e fratit duke përdorur ngjyra gjithfarëshe. Nën përkujdesjen e tij (dhe të fretërve të tjerë të Troshanit) ai do të mësonte edhe shkrim e këndim në Shkodër e do të bëhej fra në Troshan. Më vonë do të nxitej të thurte vargje për lufta dhe heronj…
Në Troshan (edhe në Shkodër) Zefi i vogël improvizonte vargje humoristike kushtuar shokëve dhe mësuesve, të cilat i deklamonte në raste festash e përvjetorësh. Ai ushtronte edhe pikturën. Muzikën jo, por kishte shkruar një traktat për artin e muzikës. Madje, ai herë pas here kishte dëshirë të tregonte se kur kishte qenë në Dubrovnik (për një vizitë mjekësore) e kishin vënë të këndonte solo dhe kishte korrë duartrokitjet françeskanëve të vegjël të kolegjit të atjeshëm. Fishta shpesh herë i kërkonte at Justin Rrotës të luante diçka në pjano për të, diçka që sot do ta klasifikonim si muzikë klasike. Ai ka shkruar edhe vargje pë t’u muzikuar si ka ndodhur me Himnin kombëtar (muz. Lekë Kurti), Shqiptari i qytetnuem (muz. Martin Gjoka), Juda Makabe (muz. Prenk Jakova)…
Si përfundim, mësuesi i parë i Zefit të vogël që u bë Gjergj Fishta i madh, ka qenë Leonardo de Martino, nismëtar në Letërsinë e Rilindjes me një vëllim poetik (“L’Arpa di un italo-albanese”), shkruar nga një shqiptar që jeton në Shqipëri. Në atë vëllim ka qenë botuar edhe drama e parë në gjuhën shqip që u vu në skenë nga nxënësit e shkollës françeskane të Shkodrës, e cila duhet t’i ketë lënë mbresa të thella Zefit të vogël për derisa (kur u bë Gjergj Fishta i madh) iu kushtua dramaturgjisë duke lënë kryevepra të papërsëritshme në atë gjini, si: “Juda Makabe”, “Jerina”, “Dredhitë e Patukut” dhe “I ligu për mend” (të dyja sipas Molierit)… Por mund të thuhet me plot gojë se Gjergj Fishta artin e poezisë e kishte të lindur ashtu si familjarët e tij.